Një sulm vdekjeprurës në Moskë më 22 mars 2024, ekspozoi cenueshmërinë e kryeqytetit rus ndaj kërcënimit të grupit të Shtetit Islamik dhe degës së tij ISIS-K. Por ai gjithashtu risolli në vëmendje shtrirjen e rrjetit, duke bërë që disa ekspertë të terrorit të mendojnë: A mund të jetë një qytet i SHBA-së i radhës?Nuk ka pasur asnjë sulm masiv me viktima në SHBA të kryer në emër të grupit të Shtetit Islamik që nga viti 2017, kur një kamion përplasi çiklistët dhe këmbësorët në një autostradë të qytetit të Nju Jorkut, duke lënë tetë të vdekur. Megjithatë, pesë vjet pas disfatës territoriale të grupit të Shtetit Islamik në Baghuz, Siri, kishte nxitur shpresat se rrjeti terrorist ishte në rënie përfundimtare, një valë e fundit e sulmeve e ka kthyer grupin përsëri në qendër të vëmendjes. Tani, edhe vetë FBI e ka pranuar rrezikun, madje duke ngritur alarmin për mundësinë e një sulmi si ai në Rusi, ndoshta një goditjeje edhe më të koordinuar e të mirëmenduar.
Alarmi i FBI
Drejtori i FBI-së Christopher Wray ka paralajmëruar për rrezikun në rritje të një sulmi të koordinuar terrorist në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Wray tha se FBI është gjithnjë e më shumë e shqetësuar për mundësinë e një lloj sulmi të koordinuar në atdhe. Ai shtoi se një ngjarje e tillë mund të jetë e ngjashme me atë që ndodhi në “një sallë koncertesh në Rusi disa javë më parë ku sulmi u krye nga ISIS-K”. Wray ka thënë më parë se është i shqetësuar për kërcënimin e shtuar terrorist dhe paralajmëroi në një panel të Dhomës së Përfaqësuesve në fillim të këtij muaji se “kërcënimi aktual terrorist është më i madhi që ai mund të kujtojë në karrierën e tij”. “Kur shikoj pas në karrierën time të zbatimit të ligjit, do të kisha vështirësi të kujtoja një kohë kur kishte kaq shumë kërcënime për sigurinë tonë publike dhe kombëtare,” tha ai.
4000 hetime për terrorizëm
FBI kishte 4000 hetime të hapura ndërkombëtare për terrorizëm në fund të vitit të kaluar, sipas Wray. Ai tha gjithashtu se kërcënimi terrorist ndaj SHBA-së është rritur që nga sulmi vdekjeprurës i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor. “Ne menduam se edhe para 7 tetorit, kërcënimi terrorist tashmë ishte rritur. Por pas 7 tetorit, ai shkoi në një nivel krejtësisht tjetër,” tha ai. Duke folur për mjedisin gjithnjë e më armiqësor ndërkombëtar dhe përhapjen e mundshme të veprimeve terroriste, Wray tha: “Pavarësisht nëse është një kërcënim nga Kina, Rusia, Irani, ne kemi kërcënime të huaja terroriste, por edhe kërcënime nga terrorizmi i brendshëm”. Wray, i cili u emërua nga Trump në 2017, ka udhëhequr një fushatë në Kongres për të marrë më shumë fonde për agjencinë e tij. Buxheti fiskal i FBI-së për vitin 2024 është 500 milionë dollarë më pak se ajo që nevojitet për të ruajtur funksionet e saj aktuale.
SHBA në rrezik
Që kur SHBA u tërhoqën nga Afganistani në vitin 2021, zyrtarët në administratën e Bidenit kanë paralajmëruar vazhdimisht për rrezikun në rritje të ISIS-K për interesat amerikane, si brenda dhe jashtë vendit. Propaganda e ISIS-K e ka inkuadruar vazhdimisht SHBA-në si armikun e saj kryesor, një narrativë që ushqehet nga përpjekjet ushtarake dhe ekonomike të Amerikës për të çmontuar operacionet e Shtetit Islamik që nga viti 2014. Përfshirja e Shteteve të Bashkuara, veçanërisht në bashkëpunim me talebanët – kundërshtari kryesor rajonal i ISIS-K, e ka vendosur Amerikën në shënjestër.