Fredi Beleri nuk rezulton aspak i votuar në sondazhet e bëra në Greqi sa i takon kandidatëve për eurodeputetë në listën e partisë “Demokracia e Re”.
Në një lidhje skype për emisionin “Breaking” me Dafina Hysën në Top News, gazetari Artur Bibe tha se vetë deputetët e partisë së kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis e kanë pranuar se futja e Belerit në listën e kandidatëve për eurodeputetë, u bë me qëllim marrjen e votave të ekstremit të djathtë në Greqi.
“Pjesa politike është transferuar në Athinë ku është bërë pjesë e një arene brutale mes forcave të majta dhe të djathtave. Forca “Demokracia e Re” duket se po bën autogol ku deputetë të saj në tentativë për të mbrojtur Belerin, e kanë nxjerrë zbuluar duke e shënjestruar se futja e tij në listën për kandidatëve për eurodeputetë, është bërë për të mbledhur votat e ekstremit të djathtë grek. Demokracia e Re e përdori edhe në zgjedhjet parlamentare një vit më parë”- u shpreh Bibe.
Ndër të tjera, ai tha se në sondazhin e publikuar mbi kandidatët për eurodeputetë, në krye të listës është një gazetar i ndjekur më pas nga Pirro Dhima. Ndërsa për Belerin, Bibe theksoi se ka rënie të mbështetjes si kandidat për eurodeputet.
“Beleri ka shënuar rënie në sondazh. Kemi një sondazh të parë sa i përket listës së Demokracisë së Re. Në krye të kësaj liste është një gazetar që mori 41% të votave të Demokracisë së Re. I ndjekur nga Pirro Dhima me 27% të votave, i cili doli haptas dhe tregoi sesi ishte bullizuar në Greqi si shqiptar, por tha pavarësisht se nuk është shqiptarë, ai ka vëllezër këtu dhe është rritur me ta”- shtoi gazetari.