MENU
klinika

“Opozita sot nuk ka para për të ngrënë bukë”

Sula del kundër Berishës dhe Metës: Nuk duhet të ketë sulme ndaj SPAK-ut dhe Dumanit!

26.04.2024 - 20:19

Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula ka deklaruar se beson te drejtësia e re dhe SPAK, si dhe ka dënuar sulmet e bëra ndaj SPAK.

Në një intervistë për “A2CNN”, Sula tha se dënon dhe sulmet personale ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani, si nga Sali Berisha dhe nga Ilir Meta.

“Besoj te drejtësia dhe te SPAK dhe e mirëkuptoj situatën e vështirë dhe jam i sigurt që Veliaj do shkojë para drejtësisë, SPAK duhet të mbështetet, dhe nuk duhet që SPAK ta degradojmë, kritikat duhen bërë, por jo më gjuhën e rrugëve. Kritikat ndaj SPAK dhe kreut të saj shumë të rënda, janë të gjithë shumë në hallë”, deklaroi deputeti.

Për këtë arsye, ai thotë se është i mendimit që Sali Berisha duhet të distancohet nga “gjuha e rrugës” me sulmet për SPAK e Ilir Metës.

“Shpreh keqardhje për opozitën, të isha në vendin e Berishës, apo opozitarët e tjerë SPAK do e kritikoja, se e kam thënë që hetimi ndaj Berishës për një VKM lë shteg dhe interpretime të forta, por kjo s’do të thotë, Berisha dhe të tjerët të thotë, po e vuajmë këtë persekutim, jemi në një hetim politik, por e mbështetim SPAK sepse akuzat që ka ngritur opozita do mbeteshin retorikë politike nëse nuk do materializoheshin nga SPAK, fakti që kemi persona të arrestuar nga SPAK, provon atë që korrupsioni është në prehrin e kësaj mazhorance. Ne kemi vetëm një person në SPAK, para drejtësisë, dhe ndërkohë besueshmëria për SPAK është 80%, kudo flitet për SPAK. Berisha duhet të distancohet pa diskutim nga gjuha e Ilir Metës, duhen respektuar rrugët institucionale”, tha Sula.

Ndalur te protesta e opozitës para Bashkisë së Tiranës, demokrati tregon se është pro këtij aksioni nga kolegët e tij.

“Protesta e ligjshme dhe e padiskutueshme”, tha Sula.

Ai ka zbuluar se nuk ka qenë i pranishëm në protestë për shkak se ndodhet në Peqin, me takime elektorale, megjithatë është i palëkundur në mbështetjen e tij.

“Nuk kam qenë se jam në Peqin, në zonë me takime, e mbështes fuqishëm, që të mos ketë asnjë përgjegjësi, por është e pafalshme nga SPAK që kryetari i Bashkisë të mos hetohet, gjëja më elementare, nëse hetimi e nxjerr të pafajshëm, atëherë është në rregull”, shtoi ai.

Sa i përket akuzave të bëra nga kryeministri Edi Rama se për investigimin e shkrimit të Rai3 fshihet pas opozita, Sula iu përgjigjet me batutë dhe ironi.

“Opozita sot nuk ka para për të hëngër bukë, jo për të fabrikuar prova për mediat italiane. Do dalin gjëra, të kesh ndikim te Rai3, ne s’kemi mundësinë që të ndikojmë në një media këtu, e jo më në Itali, duhet parë me përbuzje”, u shpreh Sula.