MENU
klinika

Arsyeja që e detyron t’i shkojë poshtë ballkonit Sali Berishës

Petro Koçi zbërthen skemën: Pse Ilir Meta ndodhet në krizë mendore

27.04.2024 - 14:29

Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi ka komentuar situatën politike në vend, duke e ndalur theksin tek situata brenda opozitës, mazhorancës, si dhe shfaqja e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili po sulmon ashpër Prokurorinë Speciale (SPAK).

Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, Koçi shprehet se Meta ndodhet në krizë mendore, teksa tregon edhe gabimin e madh që ndodhi me ish-presidentin në kohën e Fatos Nanos dhe arsyeja që po e detyron t’i shkojë poshtë ballkonit Sali Berishës.

Sipas tij, Meta është një figurë politike e egër krahasuar me Sali Berishën, të cilin e ka idhull. Ndërkohë gjatë intervistës me kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigels Seliman, ligjvënësi socialist Koçi thekson se bashkimi i Metës dhe Berishës do jetë avantazh për PS. Nga ana tjetër, ai nënvizon se duhet ashpërsuar lufta kundër korrupsionit.

-Zoti Koçi, PS duket se po mendon që tani për zgjedhjet e ardhshme, çfarë po ndodh ditën e sotme që do të përcaktojnë dhe muajt në vijim dhe sa i takon kritika, a duhet të bëhet një diferencim mes PS dhe rrezikut të përdorimit të aseteve shtetërore në zgjedhje, një rekomandim ky edhe nga OSBE-ja?

Janë dy çështje të ndryshme, së pari ne jemi në zbatim të një procesi politik të cilin e kemi zbatuar që në fillim të vitit, që nisi me aktivizimin dhe rienergjizimin e strukturës së PS, që është shtirë sipas çdo qendre votimi, bëmë disa aktivitete dhe takime, përfunduam dhe procesin e zgjedhjeve në këtë nivel dhe më pas vijon me strukturat e tjera të partisë që përfundon ky proces organizativ në qershor me kongresin zgjedhor. Tani jemi gati për të zgjedhur delegatët e kongresit, do të ketë risi pasi do të jenë 50 % të rinj që nuk kanë herë tjetër në kongresin e partisë për t’i dhënë një materializim përfaqësimi më pranimet e reja gjatë kësaj faze. Me mbledhjen e asamblesë kombëtare, patëm 30 mijë anëtarësime dhe u la detyrë që deri në kongres kjo shifër të shkojë në 50 mijë. Jemi në fazën organizative, ku për PS ky proces është shumë i rëndësishëm.

-Ndarja nga asetet shtetërore dhe nga punonjësit e administratës, a do të jetë e vështirë, a do të ketë një thirrje inkurajuese dhe nga lidershipi i PS për ta shmangur diçka të tillë?

PS në filozofinë e saj ka të qartë ndarjen e partisë nga shteti. Ka ligje që tregojnë qartazi se kush është punonjës civil dhe kush është punonjës i natyrës së punës politike, i ka të ndara vetë administrata. Sigurisht dhe çdo shqetësim që ka dalë nga raporti i OSBE-së, ka një reflektim, por besoj se zgjedhjet në përgjithësi kanë patur një progres sa i përket objektivitetit të rezultatit të tyre, mangësitë kanë ardhur duke u pakësuar. Pala që humbet gjithmonë e ka të gatshme këngën e vajtimit mbi procesin zgjedhor por ne duhet të përpiqemi që çdo mangësi e evidentuar të neutralizohet në zgjedhjet që vijnë.

-Ka patur disa ngjarje ditët e fundit që kanë goditur ashpër imazhin e Shqipërisë dhe të qeverisë nga ana tjetër, së pari ka qenë raporti i DASH i cili ka folur për praninë e korrupsionit në të gjitha shkallët e qeverisjes ishte dhe dokumentari i shumë folur i ‘RAI3’. Ka një problem qeveria me korrupsionin, çfarë duhet të bëhet në këndvështrimin tuaj, a ka qenë e ushtruar si duhet përgjegjësia për ta luftuar këtë fenomen?

Duhet të bëjmë një qartësim për gjuhën angleze pasi kur thuhet ‘goverment’, ato nuk kanë patjetër parasysh qeverinë, por i thonë qeverisjes, d.m.th administrimit në përgjithësi, administratës. Dhe padyshim që këtu ka një të vërtetë dhe qeveria mban përgjegjësi kur ka një fenomen në administratë pavarësisht statusit të nëpunësit civil, ndonjëherë e ka të vështirë edhe një ministër që të reagojë ndaj një nëpunësit që është problematik pasi vetë statusi të pengon, të zhvillon një sërë gjyqesh që janë problematike, sidomos me gjyqësorin e dikurshëm.

-Keni patur problem të largoni një nëpunës të korruptuar?

Jo patjetër të korruptuar, por nuk është kaq kollaj pasi ministrat nuk janë aq fuqiplotë. Në kohën që kam qenë unë ministër, ’98-’99, atëherë ministri ka qenë më fuqiplotë të bënte lëvizje. Sot është shumë më e komplikuar, ka një ndarje ndryshe dhe të pushteteve e emërimeve. E kam fjalën për administratën në përgjithësi dhe është e vërtetë që ka fenomene të përhapura të korrupsionit. Fatkeqësisht kjo është kthyer në një kulturë shoqërore që infekton shpesh të rinj. Dhe të rinjtë duan që të kapin një vend pune jo me emër thjesht të një karriere që duhet ta nisin dhe pastaj të kenë progres deri sa të arrijnë majat por me disa synime që janë pragmatiste nga pikëpamja financiare dhe të ndikimit të pozicionit për të patur përfitime të tjera nga ato që janë legale. Ky është një infeksion shoqëror dhe ato që janë të ndershëm i konsiderojnë si të paaftë në të tillë ambienti. Shpeshherë ky enturazhi i njerëzve problematik sa i përket integritetit e mbyt mundësinë dhe zërin e njerëzve të aftë dhe këtu duhet të bëjmë më shumë. Ne duhet të reflektojmë në dy drejtime, kur kemi folur për rastet te kapura nga SPAK-u në qeverinë tonë. Së pari, sistemi i përzgjedhjes duhet të jetë shumë më efikas, duhet të promovojmë në administratën me përgjegjësi financiare, njerëz me aftësi e integritet i provuar. Së dyti, nuk duhet të mjaftojë vetëm mirëbesimi kur ti e përcakton por duhet dhe të kontrollosh. Duhen patur parasysh një situatë që t’i të kesh mundësi të kontrollosh dhe me institucione të tjera pasi korrupsionin nuk mund ta luftojë vetëm SPAK-u.

-Ndërkohë, kemi parë një qasje agresive të Ilir Metës në raport me kreun e SPAK, Altin Dumanin, çfarë po ndodh me Ilir Metën në këndvështrimin tuaj?

Konkluzioni është se të dy titullarët e koalicionit Rithemelim-LSI, Berisha-Meta, kanë të njëjtin qëndrim ndaj SPAK-ut. E gjitha alibia që opozita e mbështet SPAK-un, bie sa kohë dy titullarët janë kundër SPAK-ut. Etika, është përtokë, njëri e quan organizatë kriminale e tjetri etiketon me një fjalor të rëndomtë kreun e SPAK-ut. Ndërkohë, linja nuk është vetëm e SPAK-ut në vetë vete por është dhe Gjykata e Posaçme. Politikisht, mendoj që ky është konkluzioni kryesor. Provat flasin për një qasje kundër SPAK-ut nga ana e opozitë. SPAK-u është në rrugë të drejtë dhe kur gjykon si të pandehur dhe ata që quhen përfaqësues si në administratë dhe në politikë, sepse mendoj që është ajo që ne kemi pritur dhe publiku këtë e do.

-Cilat janë përshtypjet për Metën si ish-koleg, si kundërshtar politik më vonë, si bashkë qeverisës?

Ka një rënie, është një krizë psikologjike pa diskutim, duket dhe si krizë mendore. Meta është një figurë politike e egër, e krahasueshme me Sali Berishën, këtë të fundit e ka idhull. PS i dha shumë më tepër se ça meritonte që në kohën e Fatos Nanos, gjëra të pamerituara dhe këtu është kriza e tij pasi duke marrë gjëra të pamerituara i duket sikur ka humbur atë që i takon, por në fakt ka fituar atë që nuk i takon.

-Sot do të ketë një Konventë PL dhe për herë të parë Ilir Meta do të shkojë të rrugica e Berishës, kjo dyshe mund të prodhojë diçka në zgjedhjet e ardhme apo është rivali i juaji i preferuar?

Bashkimi i Metës dhe Berishës do jetë avantazh për PS-në. Këto përbëjnë një avantazh për PS, në dy raundet e fundit zgjedhore Ilir Meta na ka ndihmuar drejtpërdrejtë me mënyrën si ai i është qasur fushatës dhe mënyrën si ka sulmuar PS, ka bërë kundër prodhuesin, duke qenë kundër produktiv duke na ka dhënë avantazhe që dhe nuk do t’i meritonim. Këta bëjnë një avantazh për PS, dhe mendoj që gara e PS të jetë në një tjetër format dhe jo mes Berishës dhe Metës.

-Mendon se me Berishën mund të keni diçka tjetër në raport me Metën, besoni se ai ka një pjesë më të konsiderueshme të elektoratit?

Pesha e Berishës në krahasim me Metën është më e konsiderueshme, Meta pothuajse nuk ka më elektorat dhe në funksion të shushunjës do t’i ngjitet dikujt. I vetmi që i ka mbetur është Sali Berisha duke qenë se janë bashkëpunëtor të hershëm. Duket se dhe këtë herë nuk do e shesin njëri-tjetrin. Por në një farë mënyre i ulin pikët njëri-tjetrit, shumë mbështetës të Berishës duke parë Metën aty nuk do energjizohen por do iu bien bateritë. Është një avantazh që ne ndoshta nuk do ta meritonim.

-PS do të ketë një takim ambicioz me emigrantët e Greqisë më 12 maj, çfarë do të ndodh në këtë takim me emigrantët?

Marrëdhënia me emigrantët, nuk është vetëm marrëdhënie e votës. Greqia është ngjitur me ne dhe nëse nuk do arrihej dot të garantohej vota e tyre nga aty ku janë, pesha e emigracionit është shumë e rëndësishme.

-Pse nuk ka një qartësim në Parlament për votën e emigrantëve?

Kjo është një çështje ku marrëdhënia është proporcionale, siç është vota në vend, ashtu është dhe jashtë. Është e njëjta ndarje, preferencë. Problemi është që për ta realizuar procesin ka një mos besim mes palëve por edhe te teknologjia që mund të vihet në shfrytëzim për ta zbatuar. Nuk vihet në vullnetin e vetëm një pale por do konsensus, por padyshim që do të vij një moment i cili do të zgjidhet.

-Keni një koment për debatin për emisonin “RAI 3” për Shqipërinë?

RAI3, është një televizion i cili orientohet nga pozicione shumë të majta politike dhe janë shumë kundër të djathtës në pushtet. Goditja e ‘RAI3’ është një taktikë për të goditur qeverinë Meloni.

-Ndjeheni të prekur nga asgjë që u transmetua në material?

Unë nuk e kam parë materialin. Kam parë disa pyetje që iu përgjigjej zoti Agaçi, por pyetjet më dukeshin si pa vend. Nuk besoj se ‘RAI3’ bën një emision për Engjëll Agaçin. Nëse ti ndërton një fabul që lidhet me marrëveshjen, vijmë pastaj te mentaliteti shqiptar dhe themi ti nuk ke të drejtë, se ti je Rigelsi. Mendoj se ky është absurdi i atij emisioni brenda së tërës. Mendoj se e dëmton marrëdhënien Shqipëri-Itali dhe duke qenë dhe në një televizion publik e kompromenton. Nuk do ketë pasoja në kuptimin elektoral në Shqipëri, por e dëmton marrëdhënien dypalëshe. Duket si një goditje nën brez për Melonin./ SOT