Mëngjesi i ditës së diel nuk ishte i zakontë për gjyqtarin e Shkodrës, Tonin Sterkaj. Një person i maskuar me kapuç të zi dhe doreza u afrua në portën e banesës së tij duke i vënë një sasi tritoli.
Fatmirësisht si pasojë e shpërthimit nuk pati persona të lënduar, por vetëm dëme materiale. Gazetari i ABC News, Simon Shkreli, thotë se grupi hetimor ka nisur të kontrollojë dosjet e fundit, të cilat ka patur në dorë gjyqtari Sterkaj.
Paraprakisht, bazuar dhe në dëshminë e tij, gjyqtari ka deklaruar se nuk ka konflikte personale me persona të tjerë. Sakaq, ky akt sipas grupit hetimor dyshohet se ka qenë mesazh për veprimtarinë e tij si gjyqtar.
“Bëhet fjalë për një mesazh. Ky është dyshimi, pasi gjyqtari Sterkaj nuk rezulton të ketë konflikte personale”, raportoi gazetari.
Shtëpia e gjyqtarit në Shkodër është marrë në ruajtje nga efektivë të Gardës së Republikës.