Prokuroria e Elbasanit ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen ndaj tre rusëve që u arrestua për hyrje në ish-fabrikën e armëve në Gramsh.
Ndaj Mikhail Zorin, Svetlana Timofeeva dhe Fedir Alpatov, rëndon akuza “Sigurimit të informacionit” kryer në bashkëpunim, ndërsa për të parin rëndon edhe akuza e goditjes për shkak të detyrës.
Në dosjen hetimore e siguruar nga gazetarja Klodiana Lala, janë marrë edhe dëshmitë e tyre. Mikhail Zorin sipas dosjes, kishte si alibi udhëtimin e tij në Shqipëri pasi do të përdorte makinën e shokëve të tyre.
Siç ka dalë edhe më herët në dritë, Zorin ishte shoqëruar nga policia ruse për pjesëmarrjen në protestat për lirimin e Aleksi Navalnit, tanimë i ndjerë dhe gjatë marrjes në pyetje ishte shoqëruar edhe në zyrat e shërbimit inteligjent rus, FSB.
“Në mars 2021, ai ka marrë një telefonatë në celularin e tij, nga një numër telefoni Rus dhe pasi e ka hapur, ishte një femër e cila i’u prezantua si punonjëse e sekretariatit të FSB. Ajo i kërkoi nëse mundej që të shkonte brenda disa ditëve në ndërtesën kryesore FSB në Moskë. Kjo ndërtesë ndodhet në sheshin Lubianka në Moskë.
Ai shkoi atje, u paraqit tek recepsioni, paraqiti pasaportën dhe i tha se ka një takim. Atje, roje të forcës Rosgvardia e kanë çuar në një zyrë…Tek zyra mban mend që ishte një pllakë informuese ku ishte emri i personit dhe konkretisht: VLADIMIR GENNADIEVICH (emri i babait) PETROV (mbiemri). Ai ishte i vetëm në zyrë dhe atje biseduan. Deklaruesi sqaron se Vladimir Petrov, i ka thënë që kishte lexuar të dhënat e tij dhe atje kishte parë që ai ishte shoqëruar dhe herë të tjera në polici, për fotografime të vendeve të braktisura dhe ai e dinte për hobin e tij, i cili është eksplorim urban”, thuhet në dëshminë e tij.
Në këtë takim, zyrtari i lartë i FSB-së i ka kërkuar atij që të punonte për shërbimin sekret.
“Gjithashtu ai e dinte pjesëmarrjen e tij në protestën e Janarit dhe nëse nuk donte më telashe si arrestime etj, ai i propozoi që të punonte për FSB dhe konkretisht ai i ka thënë: “Nëse nuk kërkon telashe, në mund të krijojmë shumë telashe për ty për punën tënde apo kur udhëton jashtë shtetit, kështu që do jetë më mirë nëse punon për ne.”. Atje ai i tregoi deklaruesit disa fotografi të tijat dhe i ka thënë: “Që në e dime se je ti ai që bën këto fotografi”, prandaj deklaruesi duhet të bashkëpunonte duke firmosur disa letra. Letra që ka firmosur ishte vetëm një dhe aty shkruhej se Mikhail Zorin nuk ishte punonjës i FSB, por do të punonte me ta dhe do t’i informonte në vazhdimësi. Gjithashtu ata do t’i kërkonin atj në kohë të ndryshme që të bënte punë për ta. Pra shkruhej vetem që Mikhail Zorin do të bashkëpunonte. Pas firmosjes, ata i kanë thënë që do ta kontaktojnë nëpërmjet aplikacionit TELEGRAM, ndaj duhet ta kontrollonte shpesh Telegramin. Mikhail Zorin Telegramin e ka të hapur me numrin e tij të telefonit +79165798825. Deklaruesi sqaron se, ky komunikimi funksion në këtë mënyrë: Mikhail Zorin ka Telegramin dhe ata mund t’i dërgojnë mesazhe me numër të fshehur, pra nuk duket numri dhe ai i lexon vetëm mesazhin të cilit mund t’i përgjigjet. Pasi ata e fshijnë bisedën, Mikhail Zorin nuk mund t’i kontaktojë, përsëri ata sepse nuk e ka numrin”, thuhet më tej në dosje.
Mikhail Zorin ka deklaruar gjithashtu se në maj 2021 vendosi të lërë punën në qendrën e kërkimeve dhe të shkonte në Pragë, Republikën Çeke me qëllim kryerjen e studimeve. Ai fillimisht ka aplikuar online në faqen GoStudy dhe më pas ai ka marrë një mesazh në Telegram nga FSB, duke i thënë: “Jemi nga VLADIMIR GENNADIEVICH, në e dimë që ju keni aplikuar për studime në Republikën Çeke dhe në do kishim dëshirë të bënim një pyetje për të bërë diçka për ne”.
“Mikhail Zorin i është përgjigjur, duke i pyetur se çfarë pune do të bëjë. Ku përgjigja e FSB ishte që nqs do të kalonte kufirin apo të fluturonte drejt Republikës Çeke, ai duhet të konfirmonte që do kryente një detyrë për FSB. Mikhail Zorin ju përgjigj “Ok” dhe mori detyrën në vijim të mesazheve, e cila ishte që të bënte një përmbledhje me fotografi të objekteve ushtarake në gjendjen aktuale. Për të kryer këtë detyrë kishte kohë 3 muaj, pas mbërritjes në Pragë. Pas tre muajsh ata do ta kontaktojnë deklaruesin që t’i dërgoji fotot e arkivuara/zippuara (të ngjeshura) përmes Telegramit.
Deklaruesi preu biletën dhe ka udhëtuar drejt Pragës me 22 Tetor 2021 me kompaninë Czech Airlines nga Moska në Pragë. Biletën e preu vetë dhe prindërit i dhanë lekë në dorë që t’i kishte për jetesën. Pasi mbërriti në Pragë, ai filloi të mësoje gjuhën Çeke, në shkollën GoStudy, e cila ndodhej në lagjen 5 (Praga 5) në qytetin e Pragës, në rrugën Vltavska. Adresën kryesore kjo shkollë e ka në lagjen Praga 1, ndërsa Mikhail Zorin studioi në Praga 5. Në fillim ai jetonte në një apartament me qera, të cilin e ndante me studentë të ndryshëm. Ishin 7 persona në një apartament me 4 dhoma. ai qëndroi vetëm 2 ose 3 javë atje, për shkak të kovidit dhe më pas ka kërkuar dhe gjetur një apartament ku filloi të banojë.
Apartamenti ka qënë në zonën Praga 2 dhe ai paguante 10.000 koruna çeke në muaj, afërsisht rreth 400 euro. Gjithashtu ai atje gjeti një punë, e cila kishte të bëntë me përgatitjen e skenave për koncerte, si ndërtimi i skenës, lidhjet elektrike të dritave si dhe ngarkim-shkarkim. Emri i kompanisë quhet ‘Shameless.CZ”. Ai filloji të frekuentonte shkollën rregullisht dhe në fundjavë në verë punonte tek kompania. Deklaruesi sqaron se nuk kreu dot mision, pasi nuk donte të bënte diçka të tillë, pasi isha tashmë në Pragë dhe ata nuk mund të arrinin tek unë. Pas disa kohësh ata e kontaktuan, rreth datës 20 dhjetor 2021 duke i shkruar: “Ç’kemi, a e mbarove detyren?”.
Deklaruesi nuk i ka kthyer përgjigje dhe rreth datës 25 Dhjetor, ai mori një mesazh tjetër, që shkruhej: “Mospërgjigja do të të shkaktojë pasoja”. Por në fakt, deklaruesi nuk kishte ndonjë pasojë, deri në fillimin e luftës. Në mesin e muajit Mars, që përkonte një muaj pas fillimit të luftës me Ukrainën, ata e kontaktuan atë nëpërmjet Telegramit, duke i’u prezantuar që janë nga VLADIMIR GENNADIEVICH, duke i thënë që të rishikonte bashkëpunimin e tij me ta. I kanë thënë që e dinë ku punon babai dhe nëna (babai jurist që merret me transaksione pronash, mamaja në logjistikë).
Për shkak të luftës Mikhail Zorin mendoi se Rusia nuk kishte më frena, mund t’i bënin çdo gjë atij dhe familjes së tij, në këto kushte ai u detyrua të pranonte. I kanë thënë që detyra këtë radhë do të ishte të bënte një përmbledhje të objekteve ushtarake dhe strategjikë, në gjendjen aktuale, në një vend në Ballkan dhe që vendin mund ta zgjidhte ai. Mikhail Zorin vijon me deklarimin se, e kontaktuan përsëri në Qershor dhe i thanë që detyra ishte akoma në fuqi. Ai pranoi. I kanë thënë që mund ta organizonte si të donte. Deklaruesi zgjodhi Shqipërinë, për shkak të historisë së shekullit XX dhe zgjodhi të vijë me biçikletë meqë do të ishte opsioni më i lirë”, thuhet në dosje.
Deklaruesi sqaron se, “FSB nuk i kishte dhënë objektiva konkrete se në cilën bazë ai do fokusohej. Ata i kanë thënë që të mundohej që të merrte informacione sa më shumë të mundej nga objektivat ushtarake në Shqipëri, apo infrastrukturë kritike. Si mision të tillë, ai zgjodhi sipas mëndjes së tij disa vënde të braktisura ushtarake dhe me qëllim që ta përfundonte misionin e dhënë nga FSB dhe në të njëjtën kohë të zgjidhte objektiva të lehta në mënyrë që si të mos rrezikonte shumë veten, nëpër objektiva të vështirë ushtarake. Sipas detyrave të dhëna, ata do të më kontaktonin në Shtator të 2022 dhe ai do t’ua jepte fotot nëpërmjet aplikacionit Telegram”.
Dy rusët Mikhail Zorin, 23-vjeç, Svetlana Timofeeva, 33-vjeç dhe 25-vjeçarin ukrainas Fiodor Mihailoviç, po fotografonin ambientet në Uzinën e Armëve më 20 gusht të vitit 2022. Teksa kanë tentuar që të futen brenda, u pikasën nga ushtarët shqiptarë të cilët u kanë bërë me shenjë që të ndalojnë. Ato nuk u janë bindur urdhrave të ushtarëve shqiptarë, ndërsa njëri prej tyre Mikhail Zori, i ka sulmuar me spraj kimik. Të tre u arrestuan nga policia, ndërsa u hetuan edhe si spiunë të shërbimit sekret rus. Në makinën me targa ukrainase, që po përdorej prej tyre gjatë qëndrimit në Shqipëri u gjetën 2 dronë, 4 celularë, 1 laptop, 1 kamer, karta memorie, 3 pasaporta, 2 aparate fotografikë, harta, të cilat u sekuestruan nga policia.