Në seancën e radhës ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, avokatët e tij këmbëngulën që pyetja e 5 shtetasve amerikanë për llogari të procesit, të behet përmes video-konferencës.
Avokatët i kërkuan gjykatës të autorizojë prezencën e gjeneral major Andrey Turley, avokat penalist, si përfaqësues i Mediut gjatë ekzekutimit të letër porosisë.
Po ashtu, ata kërkuan edhe mundësinë e autorizimit për prezencën e njërit prej tyre. Kërkesa e avokatëve për video konferencë u mbështet edhe nga prokurorët e SPAK, nëse ishte i mundur realizimi i saj.
Gjatë seancës ku vetë i pandehuri Mediu nuk ishte i pranishëm, pati debate të forta mes palëve në lidhje me mos marrjen e një vendimi nga gjykata për pyetjen e ekspertëve që kanë përgatitur akt ekspertimin financiar.
“Prokurorët na treguan akt-ekspertimin, por nuk na thanë çfarë provon ajo për Mediun”, tha avokati Henrik Ligori.
“Ky është një proces shterpë, që nuk pjell dot fajësi. Është proces me vese procedurale”, u shpreh avokati tjetër, Ardian Visha.
Gjykata është tërhequr në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit.