Furnizuesi i Shërbimit Universal ka përcaktuar procedurat që duhet të ndjekin furrat e bukës, që prodhojnë edhe produkte pastiçerie apo kanë ekspres dhe bar kafe për të ndryshuar kontratat e energjisë me çmimet e skemës së re, që u miratua muajin e kaluar. Përmes një shkrese, drejtuar Shoqatës së Bukës, FSHU saktëson se subjektet që kanë 2 kontrata, duhet të paraqiten pranë çdo qendre të Kujdesit ndaj Klientit, për të bërë mbylljen e një prej kontratave që disponojnë.
Furnizuesi i Shërbimit Universal saktëson se do të bëhet mbyllja e kontratës që është hapur më vonë, ndërkohë që sipas rastit, për kontratën që do të aplikohet mbyllja, do të merren masa që fuqitë e instaluara, të transferohen në kontratën që do të vijojë të furnizojë objektin. Paralelisht, FSHU bën me dije se për çdo subjekt furrë buke apo prodhim mielli do të ushtrohen kontrolle, për të kryer verifikimin e veprimtarisë së tyre. Ndërkohë që, për çdo sipërmarrje, në bazë të verifikimeve të kryera do të merren masa për ndryshimin e kategorisë, duke përcaktuar edhe çmimin me të cilin do e paguajnë energjinë elektrike të konsumuar.
Sipas skemës së re, për furrat e bukës, që s’kanë asnjë aktivitet tjetër të integruar, çmimi do të vijojë të jetë 7.6 lekë/kWh. Ndërkohë që, për ato ambiente që kanë furra buke, produkte pastiçerie apo dhe produkte të tjera të brumërave, çmimi që do të aplikohet do të jetë 9.5 lekë/kWh. Kategoria e tretë përfshin ato ambiente që janë më të zgjeruara e që kanë të përfshirë ekspres, bar dhe kafe, për të cilat çmimi do të jetë 12 lekë/kWh.