Avokati i njohur, Spartak Ngjela ka komentuar situatën poltike në vend. Gjatë një intervistë për gazetën “SOT”, avokat Ngjela është ndalur tek drejtësisë së re, teksa theksoi SPAK është i vendosur për t’ju shkuar deri në fund luftës kundër korrupsionit. Sipas tij, Rama-Berisha-Meta nuk shpëtojnë dot nga SPAK. Gjithashtu, ka parashikuar fatin e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi ku GJKKO dha vendimin duke i lënë ende në masën e sigurisë “arrest me burg”, juristi Ngjela deklaron se drejtësia e re ka prova ndaj tyre që ato nuk mund t’i shmangen, ku hetuesia po zgjat procesin e hetimit për dy arsye ku provat nuk janë të mjaftueshme ose kërkojnë për vepra të reja penale që mund të kenë kryer. Nga ana tjetër, Ngjela zbuloi se para se të ikte nga Shqipëria, ambasadorja amerikane, Yuri Kim i ka thënë gjatë një bisede, se prokurorët e SPAK janë të trembur dhe se kishte kërkuar që t’i mbronin.
-Avokat Ngjela, thuhet këto ditë që do të presim ngjarje tronditëse, ngjarje të mëdha, arrestime të bujshme, emra shumë të rëndësishëm të politikës shqiptare për të cilët do të kërkohet nga SPAK masa sigurie, ziejnë studiot televizive nga këto lajme por diçka konkrete nuk ka?
Konkrete ka, se është arrestuar Saliu.
-“Në arrest shtëpie”…
Arrest quhet ai, gjysmë dite e fiton këtu e gjysmë dite e fiton në burg. Njësoj, regjim është edhe ai. Problemi qëndron se a do të dënohet apo jo. Ndërkohë kjo tregon se drejtësia ka provat që ato nuk mund t’i shmangen. Si do ecë çështja e tyre, varet kur të shohim provat. Në ato prova që ne kemi parë për Saliun dhe dhëndrin e tij në lidhje me çështjen e ish-kompleksit ‘Partizani’, ka indicie brenda. Por për faktin që po zgjatet kaq shumë hetimi, provat nuk janë të konsoliduara, d.m.th janë në favor të akuzuarve. Profesionalisht, për vepra penale që janë gati në flagrancë, hetuesia po zgjatet janë dy arsye:
1. Ose provat nuk janë të plota
2. Ose po kërkojnë për vepra të reja penale që mund të jenë kryer.
Nga ana tjetër, janë dhe tre ministra, një zv. Kryeministër nën akuzë, është thirrur në SPAK një kryebashkiak i lartë që nuk dimë a ka dhënë dëshmi a jo dhe pse ka dijeni për ngjarjen (5 D).
-Prej ditësh Ilir Meta ka përdorur një gjuhë të ashpër e të vrazhdë ndaj kreut të SPAK, tensionet nuk kanë munguar, ka reaguar edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë edhe ambasadat e huaja në Tiranë, por është thënë që janë drejt përfundimit hetimet por nuk kemi parë asgjë konkrete ndaj zotit Meta dhe zonjës Kryemadhi. Është një strategji e SPAK-ut kjo?
Hetimi zgjat, e aq më tepër për një ish-president e ish-kryeministër që ka mbajtur këto poste ai. SPAK-un nuk e drejtojnë shqiptarët, e drejton ekspertiza Amerikane, e di Meta, por është i trembur, nuk godet SPAK-un por Uashingtonin. Në gjuhën e tij është nivel i ulët i koshiencës, nuk është Meta ai. Meta nuk ka aftësi intelekti dhe nuk e kupton se çfarë po ndodh, godet SPAK-un që të trembet Amerika. Nuk goditet SPAK-u, por merr masa me avokat të mëdhenj që të marrësh pafajësinë. Këto lloj ekuacionet janë të barabartë me 0.
-Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, ka thënë që zoti Meta ka ngritur tonet dhe ka përdorur atë gjuhë ndaj SPAK-ut sepse deri tani SPAK nuk ka reaguar ndaj denoncimeve që ka bërë opozita?
Organet e drejtësisë nuk preken në një vend demokratik. Këto janë shollogunët që kanë ardhur nga komunizmi, ku dinë këto se çfarë është demokracia, shollë dhe gunë, nuk dinë asgjë, erdhën dhe vodhën këtë vend.
-Mund të ngarkohen me përgjegjësi penale zoti Meta dhe zonja Kryemadhi?
Krimi është qëndrimi psikik ndaj veprës. Është qëndrimi psikik i personit ndaj veprës penale. Ky qëndrim psikik i këtij personi jep derivatin nëse është i fajshëm ose jo. Se mund të ketë ndodh një krim nën petkun tënd por ti nuk je në dijeni dhe nuk ke qëndrim psikik, nuk ke dashje.
-Si i keni parë lëvizjet e Partisë së Lirisë, ku ka qenë në një krizë e si e tillë u finalizua me Konventën ku u zgjodh President Ilir Meta dhe largoi Monika Kryemadhin si anëtare kryesie?
Kjo quhet sorollatja nëpër kallamishte, mirëpo mendje lehtësia e një injoranti futet në kallamishte se mendon se do fshehet, por një helikopter e sheh nga lart. Nuk kanë asnjë mbrojtje, e i kanë bërë hapur krimet. Njeriu që akuzohet për t’u mbrojtur duhet të tregojë akuzën në publik. Lëvizjet e tjera janë gjurulldi për të krijuar tensione .
-Këtë që po ndodh po e konsideroni një teatër?
Ka një tension ku ka qëllimin dhe duan të krijojnë destabilizim, por me 30 veta nuk krijojnë destabilizim pasi nuk i erdhi njeri në Konventë. Ilir Meta është në delir, janë dy aksioma për të akuzuarin, o shkon në delir e i duket vetja mbret, o shkon në manipersekucioni, prandaj domosdoshmërisht duhet të ketë avokat.
-Si e parashikoni të ardhmen politike të zotit Meta?
Nuk mund të ketë të ardhme politike, Ilir Meta pasi nuk ka vota. Në gjithë këto lëvizje që ka bërë tregon se ka humbur përqindje votash.
-Vetë SPAK-u ka momente stepje herë pas here?
Ka. Ambasadorja Kim, 4 muaj para se të ikte më tha që Prokurorët e SPAK janë të trembur. Iu thash vendosuni mbrojtje, por kanë fëmijë e krimi të godet aty ku nuk e mendon kurrë.
-Zoti Dumani deklaroi publikisht se një nga Prokurorët e SPAK ishte kërcënuar te familja e tij…
Fakti që e deklaroi se është i kërcënuar do të thotë se e ka deklaruar i kërcënuari, prokurori. Fakti që nuk e ka deklaruar do të thotë se nuk ka pranuar shantazhin, është në favor të shoqërisë shqiptare. Kur i shantazhuari nuk e deklaron shantazhin, kuptohet që është thyer, kur i kërcënuari publikon shantazhin do të thotë që nuk ka pranuar.
-Keni informacione që Prokurorë të caktuar janë kërcënuar seriozisht nga politika dhe bota e krimit të organizuar?
Politika po kërcënon është në krim, politika që kërcënon drejtësinë është në botën e krimit, e kërcënon me kosharat që ka jo vetë personalisht.
-Cilat janë këto ngjarje që pritet të ndodhin, pasi diskutohet shumë kohët e fundit?
Kur drejtësia e sidomos hetimi e nxjerr këtë se do të ketë ngjarje e flitet për personalitete të mëdhenj, ajo është ngjarja që mbahet sekret. Unë them se as Rama nuk është i sigurtë në luftën anti-korrupsion. Do ketë zbutje për faktin se ka ndihmuar në funksion të ligjit por drejtësia është drejtësi. Po të kesh futur dorën te ëmbëlsira e shtetit, nuk shpëton dot. Jo vetëm Rama por të gjithë kryeministrat nuk shpëtojnë dot, nuk janë të sigurtë.
-Ngjarjet do të jenë të fokusuara vetëm në Shqipëri dhe i referohem deklaratave të huajve që jetojnë në Shqipëri dhe që kanë një lloj influence…
Këto i ndihmon FBI-ja dhe organizmat ndërkombëtare të hetimit të cilat i kanë investiguar dhe iu kanë konstatuar e perceptuar shumat e parave që i kanë depozituar. Nuk i di emrat, por një nga këto ekspertë më tha se tre pushtetarë të nivelit të lartë nga 1 miliardë dollarë në perëndim. Nuk ka rëndësi në e ka vënë pasurinë në emrin e gruas apo në emrin e motrës së gruas. Këto nuk e kuptojnë se i madh është i fshehur informacioni politik sot në perëndim e sidomos në SHBA gjithçka dinë. P.sh, nëse unë sot i them një mikut tim që punon në këto organe e dëgjoje avokatin duke i dhënë pozicionet gjeografike, menjëherë ato që flet të dëgjon, pa qenë nevoja të kenë aparate përgjimi pasi funksionon me satelit. Dëgjojnë gjithçka dhe e kanë sekret pasi vetëm ato i kanë.