MENU
klinika

Kush rrezikon

Kreshnik Spahiu paralajmëron “tërmet” në PS: Rama do të largojë emra “VIP”

06.05.2024 - 10:49

Juristi, njëherësh dhe analisti politik, Kreshnik Spahiu ka komentuar mbledhjen e jashtëzakonshme që do të mbajë kryeministri Edi Rama me kabinetin qeveritar ditën e martë të kësaj jave (7 Maj), ku thotë se e ka të domosdoshme për shkak të skandaleve të njëpasnjëshme që ka mbërthyer Partinë Socialiste. Spahiu, në një intervistë televizive ka shigjetuar Ramën, ku thotë se sipas tij mandati i tretë për kryeministrin është mandati më i errët për imazhin dhe perceptimin e qeverisjes rozë. Jo vetëm kaq, por juristi thotë se në zgjedhjet e ardhshme pas imazhit të rrënuar të qeverisë Rama do të zgjedh personazhe të rinj e të panjohur si figura politike ku të gjithë ministrat të mos jenë deputet, të cilët nuk kanë profil të lartë dhe nuk kanë imunitet politik e si të tillë të hiqen e të vihen në çdo moment.

-Pse kjo mbledhje e Ramës, si e shihni këtë lëvizje?

Rama e ka të domosdoshme qoftë të grupit parlamentar, qoftë të PS, qoftë të ministrave për shkak të një sërë skandalesh të cilat janë bërë tashmë rutinë. E gjithë qeveria Rama po përballet më dyert e SPAK-ut. Ministrat, deputetët, liderët, udhëheqësit apo drejtuesit e disa bashkive më të rëndësishëm, tashmë janë të ekspozuar ndaj hetimeve të SPAK. Mandati i tretë është mandati më i errët për imazhin dhe perceptimin e qeverisjes Rama. Vetëm rrethanat e një opozite të copëtuar e të shpërbërë dhe të degraduar i kanë mundësuar Ramës për një mandat të katërt. Nëse do të kishte një opozitë të re në Shqipëri, Rama nuk do të kishte asnjë shpresë për një mandat të katërt në Shqipëri. Në këto kushte Rama është i detyruar më shumë sesa të punoj për vota të përmisojnë imazhin e PS-së. Rama nuk rri në pushtet se ka problem çështjen e votave, rri në pushtet për shkak se nuk ka një kundërshtar politik. Imazhi i Ramës është tërësisht i rrënuar dhe nuk do të jetë që të kërkojë ministra po liderë lokal që i sigurojnë vota por do të përpiqet të ngrejë një administratë e qeverisje të re që nuk i humbet vota. Ramës i duhet të sigurojë ministra që nuk ia nxijnë faqen pushtetit apo ministra që nuk rijnë dot pa vjedhur. Qeveritarë të cilët të mos kenë firmat e tyre që vjedhin para. Në skemat që ka zbuluar SPAK-u këto kanë vetëm një mënyrë, nuk marrin më përqindje por ia japin vetes së tyre paratë publike. Këto kanë krijuar kompanitë e tyre para se të vinin në pushtet, i kanë transformuar bizneset nga shoqëri tregtare në disa emra fiktiv dhe të gjithë fondet publike i çojnë në kompanitë e tyre duke mos lënë asnjë cent që të dalë jashtë skemës së përfitimit personal. Dhe kjo ka ndodhur në çdo ministri dhe çdo bashki. Kjo skemë duhet të marr fund një herë e përgjithmonë.

-Rama thotë unë nuk mbaj përgjegjësi personale por a do të jetë dhe ky rasti të martën në mbledhjen me kabinetin ku mund të thotë të njëjtat fraza apo jo?

Rama do tentojë që sëpari të marrë sukseset e SPAK-ut, vazhdon me historinë që ky ka meritën që e ka SPAK të punonte dhe kjo është e pavërtetë pasi po të jetë për Ramën nuk do të dëshironte të mos linte asnjë nga miqtë, kolegët, rilindësit e tij të cilët na i prezantoi në fillim si Luigj Gurakuqi, Isa Boletini. Të gjithë këto që sot janë në SPAK në posterin e vitit 2013 të PS ishin të gjithë me sloganin ‘Rilindja’, të gjithë këto rilindën pas 100 vitesh dhe rilindnin sërish. Pas 100 vitesh ishin brezi e nipat e rilindësve tanë. Tani të gjithë janë në SPAK. Në këto kushte e para, do që të gjithë meritën ta marrë për vete duke thënë se unë e mundësova luftën kundër korrupsionit. E dyta, mendoj se do t’i paraprijë ndryshimeve thelbësore në qeveri sepse shumë ministra nuk i duhen.

-Keni emra zoti Spahiu, kush rezulton më shumë?

Të gjithë ato të cilët janë disi ‘VIP’, janë të njohur. Rama do të vazhdojë të thellojë ngritjen e një qeverisje të re të PS, me ekspertë, me njerëz tërësisht të panjohur. Madje, një nga projektet pas kulisave që organizohet, pritet që të jetë një qeveri që përveç kryeministrit, të gjithë ministrat të mos jenë deputet, të mos jenë figura politike. Do ngrihet një qeveri që do të ketë persona të cilët nuk kanë profil të lartë, nuk kanë imunitet politik dhe të hiqen e të vihen në çdo moment. T’i largohet skemës qeverisë-shtet e cila është shumë e dëmshme për Shqipërinë. Shqipëria nuk shkëputet dot nga forca që ka partia.

-Pjesa tjetër a është e mirë apo e dëmshme që mendohet se mund të realizohet sipas jush?

Kjo në disa aspekte është pozitive, në disa të tjera negative sepse nga ana tjetër, kryeministri Rama të jetë dhe kryeministër dhe 20 herë ministër. Të mos kenë fare profil figurat ministrore dhe të mos kenë dot iniciativën dhe pavarësinë e duhur.

-Shumëkush mund të thotë se dhe tani ashtu është?

Nuk mendoj se po të dalim në këtë konkluzion i bie që të gjithë ministrat jenë të pafajshëm, ku asnjëri prej tyre të mos ketë vjedhur dhe të gjithë kumbullat dhe dardhat të kenë shkuar për kryeministrin. Nëse themi që SPAK me të drejtë ka thirrur disa ministra, deputetë e drejtues bashkish të PS o kanë përgjegjësi o s’kanë përgjegjësi. Nëse këto janë bërë për llogari të vetëm një personi i bie që të jenë të pafajshëm. Gjë që unë e kam të vështirë ta besoj që këto ministra të jetë të pafajshëm e të kenë ngrënë kumbulla e dardha vetëm për vete. Jo, kumbullat e dardhat, përfshirë dhe pjeshkë i kanë ndarë. Edhe sikur ta kenë bërë për llogari të një personi, ai që merr përsipër të jetë ministër, duhet të mbajë dhe përgjegjësi kur hedh firmën për tendera e koncesione.

-A e shqetëson Ramën protesta para Bashkisë së Tiranës?

Rama nuk është fare i shqetësuar për protestën para Bashkisë së Tiranës sepse nga 12 vite lëvizje ‘Rama ik’ u katandis në ‘Veliaj ik’. Çuditërisht një ditë të bukur të gjitha kauzat për të larguar Ramën janë shpërbërë janë venitur dhe tani ka vetëm një aksion për të larguar Erion Veliajn. Pse duhet të jetë i shqetësuar Edi Rama kur ka arritur të bëj një marrëveshje me grupin e Sali Berishës, me Rithemelimin, ka mundur ta ulë në Parlament, ta ç’fryjë tullumbacen karrigeve që thyheshin apo dritareve që kapërceheshin nga deputetët dhe arrinin të bllokonin seancat parlamentare mendoj sëpari se Rama është i lumtur se nga protestat në bashki nuk dëmtohet pushteti në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. E dyta, Rama gjithmonë fiton kur opozita zgjedh kauza të humbura, se protesta para Bashkisë nuk është kaos e Opozitës por e SPAK-ut që ka marrë në hetim pa denoncim të opozitës gjysmën e drejtorëve të Bashkisë së Tiranës. SPAK është bërë iniciator për korrupsion nga drejtorët e Bashkisë së Tiranës, pa i kallëzuar dhe pa i denoncuar opozita. E zënë teorikisht sikur Erion Veliaj jep dorëheqjen dhe kandidon çdo Erion në PS përballë Opozitës, kjo e fundit humb në Tiranë pasi ka një diferencë prej 60 mijë votash. Opozita ka zgjedhur një kauzë të dështuar, ka harruar qëllimisht Edi Ramën dhe është tërhequr nga lëvizja ‘Rama ik’ e ka minimizuar në ‘Veliaj ik’, nga ‘Veliaj ik’ e ka çuar në ‘Drejtor ik’, po e ulin aq shumë pazarin dhe nivelin e protestave sa po e shpërbëjnë veten e tyre. Kanë zgjedhur dhe një kauzë e cila nuk ka fund dhe nuk ka zgjidhje pasi dhe në rast të zgjedhjeve të parakohshme, përsëri i humbin ato, për këtë arsye Rama është njeriu më i lumtur që ka ç ‘vendosur disa protesta para zyrës së tij janë katandisur në disa protesta me disa qindra para zyrës së Erion Velisë.