“Partia Socialiste është sot një parti që në mënyrë konstante është në beteja, në përpjekje për të vijuar të transformojë Shqipërinë, dhe unë besoj që PS sot është padyshim forca më patriotike dhe më progresiste që ka patur ndonjëherë vendi”, kështu është shprehur kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, në një intervistë në emisionin “Real Story” në ABC News.
Gjithashtu Veliaj nënvizoi se në asnjë moment tjetër Shqipëria nuk është qeverisur nga një forcë më e mirë, se Partia Socialiste.
Pjesë nga intervista:
Pyetje: Erion, ti përmende pak më herët banaqet e Tiranës, ato që Rama i quan kazani mediatik, në një nga këto dëgjova me këmbëngulje që thoshte Erion Veliaj do shkarkohet nga drejtues politik i qarkut të Tiranës dhe nuk e di nëse kjo do ndodhë apo jo, por nëse kjo ndodh çfarë do të thotë për Erion Velinë.
Erion Veliaj: Unë kam punuar si aktivist edhe si njeri që bën fushata në PS pa patur asnjë ofiq, kështu qe do ta bëj këtë gjithmonë, me ofiq ose pa ofiq, me Bashki ose pa bashki, me titull ose pa titull. Sepse unë besoj që njerëzit që i trajtojnë betejat e tyre si pjesë një misioni janë ata që i fitojnë betejat dhe e çojnë misionin deri në fund. Njerëzit që pastaj, në varësi të ofiqit që kanë, dhe të kujtoj që në 2009 pata një super disfatë, për një grusht votash humba mandatin ne Berat, dhe nëse vure re nga 2009 deri në 2013 përfshi edhe 21 janarin, angazhimet e tjera, punën me diasporën, e bëra pa patur asnjë ofiq. Kjo do të thotë që në botë janë ndarë njerëzit, që e ndjejnë që kanë një vokacion dhe kanë një mision dhe njerëz që pastaj mendojnë që vetëm kur të kem ofiqin dhe spaletat do shkrep pushkën.
Pyetje: Më kujtove një shembull të bukur të 2009, në sondazhet që unë drejtoja atëherë G99 ishte shumë lart, shumë më lart se LSI, dhe befas G99 u kthye në një kamikaze përballë LSI, e di që nuk keni për ta pranuar kurrë, por unë e di shumë mirë që në atë rrugë, shkuat për shkak të një rakordimi që kishit me kreun e PS, z.Rama dhe jam i sigurt që u vetësakrifikuat me ndërgjegje për një gjë të tillë, në emër të një kauze të fitores së PS vetëm, pra pa ndihmat e patericave të LSI, mendoni se z. Rama mund t’iu sakrifikojë edhe ju, por kësaj radhe pa dijeninë tuaj?
Erion Veliaj: Kjo është një pyetje që nuk është për mua dhe s’është me vend se nuk besoj se edhe analogjia që ju përmendët e 2009 ishte një sakrifikim. Ishte një kalkulim i sondazheve të asaj kohe ku ne besonim se kishte qoftë edhe për ato pak vota, një dritare shumë të mirë për një forcë të re. Sigurisht duke mos patur komisionerë, prezencën kapilare. Vendimi më racional ishte të bashkonim forcat me atë që është partia më e madhe në vend, më progresiste në vend. Atë parti që Edi Rama e transformoi me dyer të hapura, por fillimisht me një mendje të hapur, si një hapësirë për të gjithë të rinjtë që donin të jepnin një kontribut, dhe ma dha këtë shans mua, ia dha këtë shans shumë të tjerëve. Është sot një parti që në mënyrë konstante është në beteja, në përpjekje për të vijuar të transformojë Shqipërinë, dhe unë besoj që PS sot është padyshim forca më patriotike dhe më progresiste që ka patur ndonjëherë vendi. Në 100 e ca vite shtet nuk gjykoj që ka patur një moment që Shqipëria të jetë qeverisur nga një kryeministër, apo një forcë më e mirë, me gjithë imperfeksionet tona. Shiko, njeriu edhe në familje ka gjëra që duhen sqaruar edhe prodhohen pafund debate, imagjinoje një familje me 1 milion veta dhe me një kuzhinë me 1 mijë tiganë, ku ka 1 mijë kantiere që ziejnë kudo. Sigurisht që ka gjithmonë vend për të bërë disa gjëra më mirë. Kemi patur një transformim total në Bashki edhe me ndryshimin e nënkryetarëve edhe me ndryshimin e drejtorive, është një familje e madhe me 12 mijë veta, rreth 11 700 në mos gaboj, kështu që në këtë sens është pjesë e një ristrukturimi të jashtëzakonshëm, por unë gjykoj që për sa kohë që qyteti mban ritmin e punëve, njerëzit secili që ka bërë punë do vlerësohet, secili që duhet të bëjë sqarime duhet të bëjë sqarime, por që karvani do shkojë përpara kjo s’ka asnjë dyshim.