Gjykata e Shkodrës ka lënë në burg 31-vjeçarin Erdgys Arrazi, i cili akuzohet se shtyu drejt vetëvrasjes bashkëshorten e tij, Alma Arrazi që u vetëmbyt në lumin e Bunës së bashku me tre fëmijët e tyre.
Togat e zeza kanë caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tij, ndërsa pak minuta më parë është gjetur edhe trupi i pajetë i bashkëshortes në ujërat në afërsi të fshatit Pentar të njësisë Dajç. Tashmë me gjetjen e nënës përfundon operacioni i gjetjes së katër kufomave të familjes Arrazi, 38-vjeçares dhe tre fëmijëve.
Mbrëmjen e së shtunës, 4 maj, në mënyrë rastësore nga një peshkatar i zonës u gjet trupi i vajzës 9 vjeçare. Ndërkohë pas kërkimeve të panderprera u gjet edhe trupi i vajzës 8-vjeçare më 6 Maj dhe ditën e sotme i djalit 3-vjeçar, si edhe nënës së tyre.
Dyshohet se shkak i kësaj ngjarje të rëndë tragjike ka qenë dhuna që bashkëshorti, Erdgys Arrizi ka ushtruar ndaj saj dhe fëmijëve.
NGJARJA
Mbrëmjen e 3 majit, Ergys Arrazi ka shkuar në policinë e Shkodrës dhe ka dëshmuar që ka humbur kontaktet me bashkëshorten e tij, Almën.
Ai i ka thënë policisë se gruaja ka marrë tre fëmijët e tyre dhe është larguar nga banesa dhe se nuk ka asnjë informacion për ta se nga mund të kenë shkuar. Policia nuk dihet ende se çfarë veprimi ka ndërmarrë, por ka qenë një informacion i shkuar te motra e gruas së zhdukur, e cila ka mbërritur në komisariatin e Shkodrës duke fajësuar për zhdukjen pa gjurmë të motrës dhe të fëmijëve të saj pikërisht Ergys Arrazin.
Policia ka shkuar menjëherë në banesën e Ergys Arrazit, një emri jo të panjohur për ta dhe krejt strukturat e hetimit dhe të gjurmimit të krimit, në Shkodër e përtej, dhe i kanë komunikuar faktin se është gjendur trupi i pajetë i së bijës në brigjet e Bunës. Ergysi ka reaguar ftohtë në momentin që i është treguar për të bijën, ndërkohë që policia i ka vënë prangat duke e akuzuar për dhunë në familje dhe shtyrje në vetëflijim. Ai ka mohuar edhe në momentin e prangosjes, por edhe në polici të ketë ushtruar dhunë.
Ka pranuar se ka pasur konflikte me bashkëshorten, por ka mohuar në mënyrë kategorike të ketë ushtruar dhunë ndaj fëmijëve. Mirëpo në polici ishte lënë më herët dëshmia e kunatës së tij, motrës së Almës, e cila sapo është njoftuar për zhdukjen e të motrës me tre fëmijët, ajo ka fajësuar kunatin e saj.
DOSJA E PROKURORISË SË SHKODRËS
“Informacion nga Prokuroria Shkodër ndaj shtetasit E.A. nën akuzë për Veprën Penale ‘Shkaktimi i vetëvrasjes’. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka regjistruar procedimin penal nr. 511/2024, mbi bazën e materialeve procedurale të përcjella nga Komisariati i Policisë Shkodër, referuar për kryerjen e veprës penale ‘Shkaktimi i vetëvrasjes’, parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit E.A. Nga të dhënat e akteve të hetimit deri në këtë fazë, ka rezultuar se në datën 03.05.2024, rreth orës 17:30, është paraqitur në Komisariatin e Policisë Shkodër shtetasi E.A., i cili ka kallëzuar largimin nga banesa të bashkëshortes së tij shtetases A.A., bashkë me tre fëmijët e tyre të mitur.
Në lidhje me këtë fakt janë marrë deklarimet e personave që kanë dijeni për ngjarjen, nga ku ka rezultuar se në datën 02.05.2024, pasdite, shtetasja A.A. me fëmijët e mitur, ka shkuar për të pirë kafe me kunatën, shtetasen V.P., në lagjen “Iliria” Shkodër. Aty kanë qëndruar për rreth dy orë dhe më pas shtetasja A.A. i ka thënë kunatës se do ta merrte prej aty vëllai i saj me taksi, pasi do shkonte një javë tek shtëpia e tij që të qetësohej. Nga administrimi i pamjeve filmike, pasi është ndarë nga kunata, shtetasja A.A., bashkë me tre fëmijët, ka ecur në trotuarin e rrugës që të çon te “Ura e Bunës” së vjetër, në drejtim të “Kishës së Zojës”, Shkodër. Dalja nga lokali është në orën 20:10 të datës 02.05.2024. Në vijim, nga ana e shërbimeve të policisë është bërë shpallja në kërkim policor e shtetases A.A. dhe tre fëmijëve të saj.
Në vijim, në datën 04:05.2024 rreth orës 22:0, shërbimet e policisë u njoftuan se është gjetur trupi i pajetë i një fëmije, në anë të lumit Buna në fshatin Darragjat, Njësia Administrative Dajç, identifikuar si shtetasja E.A. e datëlindjes 20.10.2015. Në prani të mjekut ligjor, është bërë këqyrja e kufomës dhe nuk janë konstatuar shenja dhune. Është vendosur kryerja e ekspertimit mjeko-ligjor për shtetasen E.A., me qëllim përcaktimin e dëmtimeve që konstatohen në trupin e viktimës dhe përcaktimin e shkakut të vdekjes. Nga ana e Policisë Gjyqësore është ushtruar kontroll banese të shtetasit E.A., ku nuk janë konstatuar sende të paligjshme. Deri në këtë fazë janë krijuar dyshime të arsyeshme bazuar në prova se shtetasi E.A., si rrjedhojë e dhunës psikologjike të vazhdueshme ndaj bashkëshortes së tij, shfaqur në formën e ofendimeve të vazhdueshme dhe tradhtisë bashkëshortore, duke prekur rëndë dinjitetin e saj, ka shkaktuar vetëvrasjen e shtetases A.A., e cila në gjendje të rënduar psikologjike dyshohet të jetë hedhur në lum bashkë me tre fëmijët e mitur. Në këto kushte është kryer ndalimi i shtetasit E.A., si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkaktimi i vetëvrasjes” parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal.
Vijojnë hetimet me qëllim këqyrjen e të gjitha pamjeve filmike të kamerave përreth vendit të ngjarjes me qëllim zbulimin e itinerarit të shtetases A.A. dhe fëmijëve të mitur, vijon pyetja e personave që kanë dijeni për ngjarjen dhe kryerja e hetimeve të tjera me qëllim për të grumbulluar të dhëna të nevojshme lidhur me zbardhjen e plotë të rrethanave të faktit penal dhe për individualizimin e përgjegjësisë penale”.