Erdgys Arrazi, babai i tre fëmijëve të cilët bashkë me nënën u mbytën në lumin Buna në Shkodër është në gjendje të rënduar psikologjike.
Kështu ka deklaruar avokati i 31-vjeçarit, Blerim Bazhdari, i cili u shpreh se Drejtoria e Burgjeve nuk e ka lejuar që të marrë pjesë sot në varrimin e dy fëmijëve.
Po ashtu ai tha se dëshira e Erdgys Arrazit ishte që bashkëshortja e tij, Alma Arrazi dhe fëmijët të mbytur në lumin Bunë, të varroseshin në të njëjtin vend.
“Nuk ka pasur dëshirë t’i ndajë, prandaj ka kërkuar që edhe e shoqja të prehet pranë fëmijëve. Nuk ka dashur që t’i ndajë. Por Erdgysi është në gjendje të rëndë psikologjike. Në momentin që takon klientin tim me atë lloj gjendje, është shumë e vështirë të diskutosh për gjëra të tjera”, u shpreh avokati për Shqipëria Live, duke mos dhënë detaje lidhur me akuzat që i bëhen klientit të tij.
Sjellim në vëmendje që Alma Arrazi dhe tre fëmijët e saj, Ergesta 9 vjeç, Gresa 8 dhe Arditi 3 vjeç janë varrosur në dy qytete të ndryshme.
39-vjeçarja me kërkesë të babait të saj u varros në Durrës, ndërsa tre të miturit në Shkodër.