MENU
klinika

Zgjedhjet në Maqedoni

Pendarovski pranon humbjen dhe sulmon BDI-në e Ali Ahmetit

08.05.2024 - 22:50

Kandidatja për presidente nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska-Davkova e cila ka marrë mbështetjen më të madhe nga qytetarët, deklaroi se kjo, në radhë të parë nënkupton edhe përgjegjësi të madhe.

Ajo komentoi dhe bojkotin duke e cilësuar atë si presion politik e partiak.

“Të bëni thirrje për bojkot, nënkupton presion politik e partiak. Por pavarësisht kësaj qytetarët dolën në votime dhe e dhanë votën e tyre për atë që deshën. Mua nuk më ndodhi që t’i bind qytetarët që të votojnë për mua, se jam më e mira, më e mençura, por e lash që qytetarët vetë të vendosin”, tha Siljanovska-Davkova.

Stevo Pendarovski ka pranuar humbjen dhe i uron punë të suksesshme kundërshtares nga radhët e VMRO-DPMNE-së.

Ndërkohë që akuzoi BDI-në e cila ka bërë thirje për bojkot. Pendarovski me këtë rast tha se pavarësisht rezultatit ai ka ndërgjegjen e pastër, dhe pyeti nëse edhe ata të cilët thirrën në bojkot kanë ndërgjegjen e pastër.

“E dimë se ka disa raporte për disa parregullsi, por këtë ua lemë organeve kompetente që të mos mbetet asnjë njollë ndaj procesit zgjedhor. I uroj fituesve, u dëshiroj sukses në punë gjatë katër viteve, gjegjësisht 5 viteve të ardhshme. Koncepti imë për një Maqedoni multietnike të integruar në strukturat euroatlantike nuk gjeti mbështetje tek votuesit, megjithatë unë mbetem në qëndrimin se vetëm një Maqedoni e tillë mund të jetë prosperuese. Megjithatë ndërgjegja ime është e pastër. Por nuk e di nëse e kanë ndërgjegjen e pastër edhe ata të cilët thirrën në bojkot“, deklaroi Stevo Pendarovski. .