Reforma e ndërmarrë nga qeveria gjatë vitit 2023 për rritjen e pagave vijon të nxjerr “frytet” e saj. Këshilli i Ministrave ka miratuar strukturën e pagave, nivelet e pagave dhe shtesat e tjera mbi pagë të zëvendësministrit, funksionarëve të kabineteve, prefektit, nënprefektit, nëpunësve civilë dhe nëpunësve në disa institucione të administratës publike. Në muajin Prilli përfundoi edhe detajimi i rritjes së pagave për të gjitha kategoritë e punonjësve në sektorin shtetëror, ndërsa rritja do të hyjë në fuqi më 1 korrik 2024. Këto ndryshime kanë si objektiv arritjen e një niveli page mesatare, prej 900 euro në muaj.
Zbardhet vendimi
“Në vendimin nr.325, datë 31.5.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës së pagave, niveleve të pagave dhe shtesave të tjera mbi pagë të zëvendësministrit, funksionarëve të kabineteve, prefektit, nënprefektit, nëpunësve civilë dhe nëpunësve në disa institucione të administratës publike”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa: a) Në shkronjën “b”, të pikës 1, të kreut I, dhe në pikën 25, të lidhjes nr.3, fjalët “… Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike …” dhe “… Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike …” zëvendësohen përkatësisht me “… Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike …” dhe “… Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike …”. b) Në shkronjën “ç”, të pikës 1, të kreut I, bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme: i. Emërtesa “Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve” zëvendësohet me “Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve”; ii. Emërtesa “Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar” zëvendësohet me “Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar”; iii. Pas emërtesës “Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura” shtohet “Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve”. c) Në pikën 1, të kreut IV, fjalët “… Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve …” zëvendësohen me “… Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve …”. ç) Lidhja nr.9/6 zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe emërtim, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. d) Në lidhjen nr.12, pas emërtesës “Përgjegjës të degëve të tjera vendore të thesarit” shtohet emërtesa “Drejtor drejtorie në drejtoritë rajonale të arsimit parauniversitar.”. 2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi: a) për përcaktimet e shkronjave “a”, “b” “c” dhe “d”, të pikës 1, të këtij vendimi, fillojnë nga data e emërimit/transferimit të nëpunësve në detyrë dhe për vitin 2024 përballohen nga fondet e miratuara për secilin institucion për këtë vit; b) për përcaktimin e shkronjës “ç”, të pikës 1, të këtij vendimi, fillojnë nga data 1 korrik 2024 dhe për vitin 2024 përballohen nga fondet e politikës për rritjen e pagave të përcaktuara në ligjin nr.97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024”, të ndryshuar. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.”
Rritja e pagave
Nga ana tjetër, guvernatori i Bankës Qendrore të Shqipërisë, Gent Sejko, ka deklaruar dje se ekonomia shqiptare ka lëvizur në kahun e pritur. Në një konferencë për mediat mbi vendimmarrjen e politikës monetare, Sejko tha se aktiviteti ekonomik, punësimi dhe pagat kanë vijuar të rriten gjatë dy tremujorëve të fundit, ndërsa sipas tij, inflacioni ka vijuar të ulet. “Përditësimi i parashikimeve tona sugjeron se këto trende pozitive zhvillimi do të vijojnë edhe në të ardhmen. Vëllimi i aktivitetit ekonomik do të vijë në rritje gjatë vitit 2024 e në vazhdim, ndërsa inflacioni do të luhatet rreth niveleve aktuale gjatë dy tremujorëve të ardhshëm dhe do të rritet gradualisht drejt objektivit gjatë tremujorit të fundit”, ka deklaruar Sekjo. Ai është shprehur se Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë gjykoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm për garantimin e objektivit të stabilitetit të çmimeve në afatin e mesëm. “Në këndvështrimin makroekonomik, trendi rënës i inflacionit në vend vijon të përcaktohet nga rënia e inflacionit në partnerët tanë tregtarë, nga forcimi i kursit të këmbimit, si dhe nga normalizimi i qëndrimit të politikës monetare”, tha Sejko. Guvernatori Sejko shtoi se politika monetare ka pasur një ndikim pozitiv në ruajtjen e ekuilibrave monetarë e financiarë të vendit. “Normalizimi gradual dhe i kujdesshëm i qëndrimit të politikës monetare ka bërë të mundur reduktimin e presioneve inflacioniste, pa dëmtuar perspektivat afatmesme të rritjes ekonomike. Në përgjigje të kësaj politike, tregjet financiare kanë qenë të qeta, në prani të një likuiditeti të bollshëm dhe të primeve të reduktuara të rrezikut”, tha ai. Sipas guvernatorit Sejko, aktiviteti ekonomik projektohet të vijojë të rritet, si në aspektin afatshkurtër dhe në atë afatmesëm.