Deputeti i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka komentuar lëvizjet për drejtuesit e qarqeve.
Ai tha se interesi i partive politike në momente të caktuara është që figurat e spikatura të japin kontributin e tyre, aty ku ka më shumë nevojë.
Salianji theksoi gjithashtu se partia duhet të bëjë më shumë, duke u hapur drejt shoqërisë e duke shqyer dyert drejt diasporës. Salianji shtoi se PD është sot gati për betejë elektorale dhe për mundur Edi Ramën.
“Unë në zgjedhjet e fundit kam qenë drejtues politik në Kavajë dhe kemi arritur t’i kthejmë demokratëve atë bastion që nuk e kishim.
Sa i përket lëvizjeve të tjera, janë vendimmarrje që i takoj drejtuesve politik, kryetarit, kryesisë dhe këshillit kombëtar. Ajo që ju them është që PD brenda muajit qershor e mbyll organizimin në zgjedhjeve e degëve dhe plotësimin e strukturave dhe është e gatshme për betejë elektorale në çdo moment sa i takon aspekteve organizative. Ashtu siç është e gatshme dhe do të vijë me prezantim të plotë të programit. Ne që sot jemi gati për ta mundur Ramën.
Interesi i partive politikeve është që figura të caktuara të japin kontributin e tyre aty ku ka më shumë nevojë. Përtej këtyre hapave, PD duhet të bëjë maksimumin të hapet më shumë drejt shoqërisë dhe padiskutim për t’i shqyer dyert drejt diasporës. Kemi kohë për ta bërë këtë”, tha Salianji për News24.