MENU
klinika

Roli i Dodikut

Bosnja, “Ukraina” e ardhshme në Ballkan

11.05.2024 - 11:53

Dodik nuk ka qenë gjë tjetër veçse një ngatërrestar, që thuajse i vetëm e ka penguar Bosnjën të funksionojë si një shtet efektiv.

Në rast se Donald Trump fiton zgjedhjet presidenciale të nëntorit në SHBA, do të ketë zhvillime shumë dramatike. Meksika do të përballet me një krizë të madhe kufitare. Kina do të goditet nga një valë e re tarifash që do vendosë ndaj saj Uashingtoni. Ukraina do të fillojë të përgatitet për braktisjen nga aleatja e saj kryesore.

Dhe Milorad Dodik do ta copëtojë Bosnje Hercegovinën. Ndoshta nuk keni dëgjuar kurrë për këtë të fundit. Ai është lideri i Republika Srpska, entiteti me shumicë serbe brenda Bosnjës. Prej vitesh, Dodik ka kërcënuar se do ta shpallë një shtet të pavarur enklavën e tij.

Në dhjetor të vitit të kaluar, ai tha në një intervistë për një stacion televiziv serb, se do ta ndërmerrte këtë veprim që kur Donald Trump u zgjodh president për herë të parë në vitin 2016, por “u frikësua dhe nuk e bëri”. Nëse Trump rizgjidhet, ai premton se do të hedhë këtë hap.

Nëse unë do të kisha një ngatërrestar të madh në shtëpinë time, dhe ai do të deklaronte një ditë se do shpërngulet të jetojë diku tjetër, do të isha shumë i lumtur. Dhe Dodik nuk ka qenë gjë tjetër veçse një ngatërrestar, që thuajse i vetëm e ka penguar Bosnjën të funksionojë si një shtet efektiv.

Pra, udha e mbarë! E megjithatë gjeopolitika nuk funksionon kështu. Ballkani mbetet një rajon i paqëndrueshëm, dhe ndërhyrja ruse vetëm sa i ka përkeqësuar gjërat. Shpërbërja e Jugosllavisë ishte një fatkeqësi, ndërsa ajo e Bosnjës mund të jetë një vazhdimësi tragjike e atij procesi.

Me luftë në Ukrainë, Evropa mezi po ia del të përballet me një luftë të madhe në kufijtë e saj.
A mund të përballojë ajo dy të tilla? Në vitet 1990, Milorad Dodik e shfaqi veten si një reformator që mund të siguronte një udhëheqje të nivelit të lartë në Republika Srpska. Kjo në kontrast me ultra-nacionalizmin e Radovan Karadzic, i cili e udhëhoqi enklavën në vitet 1992- 1996, por më pas u fsheh ndërsa për kapjen e tij si kriminel lufte u vendos një shpërblim.

I mbështetur nga Perëndimi, që rrethoi ndërtesat administrative në kryeqytetin e Banja Lukës për të kundërshtuar forcat besnike të Karadzic, Dodik mori detyrën si kryeministër i rajonit në vitin 1998. Nuk kaloi shumë kohë dhe ai nisi të sillej si Orbán.

Ashtu si kryeministri hungarez, Dodik pa shumë shanse në anën e djathtë të spektrit politik.

Dhe si në rastin e Orban, ishte një humbje politike, ajo që e nxiti atë të zgjohej dhe t’i kthehej nacionalizmit. Në vitin 2000, Dodik dështoi në përpjekjen e tij për t’u bërë president i Republika Srpska, duke marrë vetëm 25 për qind të votave në garë kundër një kandidati nacionalist.

Shumë shpejt, do të pozicionohej aty ky mblidheshin shumica e votuesve. Në fillim të viteve 2000, Dodik po fitonte shumë terren me premtimet e tij për ta nxjerrë Bosnjën nga kthetrat e autoriteteve ndërkombëtare dhe Republikën Srpska nga kthetrat e Bosnjës. Ai zbatoi të njëjtin manual joliberal të Orbán dhe të liderit rus Vladimir Putin.

Megjithatë, Shtetet e Bashkuara po e mbështesnin ende Dodik në fillim të viteve 2000 si një forcë që garantonte stabilitet, edhe pse në fakt ai po përgatitej të shkëputej nga Bosnja. Ndërsa liberalët evropianë flisnin për pranimin e Bosnjës në BE, Dodik po shkonte në drejtimin tjetër, duke kënaqur euroskepticizmin e audiencës së tij.

Shumë serbë në Serbi dhe Republikën Srpska, u ndjenë të tradhtuar nga Evropa, pasi vendet evropiane e mbështetën Kroacinë dhe Bosnjën gjatë luftërave në ish-Jugosllavi. Serbia mbetet jashtë BE-së dhe NATO-s, ndaj Dodik mund të përfitojë lehtësisht nga politika që bazohen tek pakënaqësia e qytetarëve.

Në vitin 2019, Dodik u shfaq hapur si një mohues i gjenocidit, duke e quajtur një “mit të fabrikuar”masakrën e Srebrenicës. Dhe ashtu si liderë të tjerë jo-liberalë, ai po grumbullonte shumë pasuri përmes akteve korruptive. Duke përdorur një taktikë të njohur të Trump, Dodik ka mohuar çdo akuzë që i është bërë, dhe është ankuar për një gjueti shtrigash ndaj tij.

Gjithsesi Republika Srpska nuk është e bashkuar pas Dodik. Në zgjedhjet e fundit në tetor 2022, ai mori vetëm 47 për qind të votave përballë kandidates liberale anti-korrupsion Jelena Trivić, e cila mori gati 43 për qind të votave. Duke pasur parasysh akuzat për manipulim të procesit, ka mundësi që Dodik ta humbiste garën.

Në çdo rast, ‘Trumpi’ i Ballkanit është kthyer në pushtet, dhe synon të bërë pjesën e tij për të shkatërruar Bosnjën, shtetin e së drejtës dhe bashkë me aleatët, Putinin dhe Trumpin edhe komunitetin ndërkombëtar. Por Dodik nuk është arsyeja e vetme pse Bosnja po shkon drejt ndarjes.

Brishtësia është futur praktikisht në ADN-në e këtij vendi, falë dispozitave të Marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995. Sipas kushtetutës që doli nga procesi i Dejtonit, Bosnja është një vend me dy pjesë përbërëse (Republika Srpska dhe Federata e banuar kryesisht nga boshnjakët dhe kroatët) dhe tre presidentë (një boshnjak, një kroat dhe një serb).

Kjo strukturë, ka garantuar që politika boshnjake të dominohet nga rivaliteti etnik. Edhe Federata i ka ndërlikuar gjërat, duke u fokusuar në interesat e veta komunale. Si për t’i ndërlikuar më tej gjërat, kjo strukturë mbikëqyre nga një i huaj, Përfaqësuesi i Lartë, i cili ka kompetenca të gjera, përfshirë aftësinë për të zbatuar ligje.

Kohët e fundit, Përfaqësuesi i Lartë Christian Schmidt miratoi një ligj të ri zgjedhor,për të futur numërimin elektronik të votave dhe për të penguar garimin e kriminelëve të dënuar të luftës. Kjo ishte ndërhyrja e dhjetë e Schmidt në çështjet boshnjake, dhe në vetvete nuk është një shenjë e mirë.

Bosnja ka tashmë statusin e vendit kandidat për në BE, por vetëm 18 për qind e banorëve të Republikës Srpska e mbështesin këtë (60 për qind thonë se nuk e dinë se çfarë përfitimesh u jep anëtarësimi). Korrupsioni është ende i shfrenuar, PBB-ja për frymë është rritur me disa mijëra dollarë.

Por hendeku me Bullgarinë është dyfishuar, në 8.000 dollarë, dhe shumë të rinj po largohen nga Bosnja, sa që vendi është në krye të listës së vendeve evropiane për ikjen e më të arsimuarve. Lufta në Ukrainë e ka ndihmuar Bosnjën t’i afrohet NATO-s dhe BE-së. Por Dodik është i vendosur të ndryshojë gjithçka.

Kur James Ker-Lindsay i konsideroi “boshe” kërcënimet e Dodik për shkëputje në një analizë të gjerë në vitin 2015, një faktor kryesor ishte ngurrimi i Rusisë për të mbështetur ekstremizmin e Dodik, si dhe mbështetja e madhe për një Bosnjë të bashkuar, që vinte si nga BE ashtu dhe Shtetet e Bashkuara.

Një dekadë më vonë, Rusia duket e gatshme të mbështesë çdo lëvizje që e poshtëron Perëndimin dhe shpërblen aleatët e saj evropianë (si Serbia dhe Republika Srpska). Sa i përket Bashkimit Evropian, zgjedhjet parlamentare muajin e ardhshëm, ka të ngjarë të çojnë atje shumë politikanë të ekstremit të djathtë që simpatizojnë nacionalistët serbë, si udhëheqësi aktual në Beograd, Aleksandar Vucic.

Dhe nëse Donald Trump fiton në nëntor, e djathta ekstreme do të ketë sërish një aleat në Uashington. Nuk është çudi që Dodik, është duke pritur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale amerikane, përpara se të bëjë lëvizjen e tij. Sigurisht, ai e sheh shkëputjen si një proces, dhe jo thjesht një ngjarje.

Srećko Latal shkroi së fundmi në Balkan Insight:Që nga vera e vitit të kaluar, Dodik ka i përshkallëzuar përpjekjet e tij separatiste, duke dekretuar një numër ligjesh të diskutueshme, të cilat më pas u miratuan edhe nga Asambleja Kombëtare e RS, duke e dëmtuar punën e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës.

Shumë ekspertë paralajmërojnë se këto ligje, kanë krijuar dy sisteme ligjore paralele dhe kundërshtare midis tyre, duke përfaqësuar de fakto fillimin e një ndarje. Mjedise të ndryshme ligjore, kanë krijuar gjithashtu një mundësi për incidente mes policisë së shtetit dhe policisë së Republika Srpska, duke ndjekur udhëzime të ndryshme ligjore.

Ashtu si “Bota ruse” e Putinit, Dodik dhe nacionalistë të tjerë serbë kanë si vizion “Botën serbe” ku të gjithë serbët mund të jetojnë së bashku, pavarësisht nga kufijtë aktualë. Dhe mund të shohim një retorikë të ngjashme rreth “Shqipërisë së Madhe” nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Nëse këtyre vizioneve u lihet rrugë e lirë, ato do të copëtojnë jo vetëm Bosnjën, por edhe Maqedoninë dhe Malin e Zi. Për momentin, kryeministri serb Aleksandar Vucic nuk i ka mbështetur hapur planet e Dodik për shkëputje nga federata boshnjake.

Por nëse ndryshojnë ekuilibrat, dhe nuk kanë rezultat përpjekjet e Serbisë për t’iu bashkuar
BE-së, atëherë Vucic mund të lidhë plotësisht fatin e tij me Putinin në lindje dhe Dodik në Perëndim. Një bosht anti-liberal, mund të përsërisë Luftën e Parë Botërore duke luftuar për fatin e Bosnjës dhe pjesës tjetër të Ballkanit.

Kremlini po i sheh me shumë kujdes të gjitha këto. Plani i saj B, nëse nuk do të mundet ta reduktojë fqinjin e saj në statusin e një shteti-kukull, do të jetë kthimi i Ukrainës në një lloj Bosnje:të ndarë, të dobët dhe politikisht jo-koherente.

Kremlini do ta përdorë Donbassin, po aq sa disa nacionalistë serbë e përdorin sot Republikën Srpska si një mjet për të frenuar Bosnjën nga të qenit një fqinje e fuqishme. Dhe nëse Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, të dominuara gjithnjë e më shumë nga politikanët e ekstremit të djathtë, lejojnë që Bosnja të shpërbëhet, kjo do t’i dërgonte një sinjal të fortë Rusisë mbi fatin e mundshëm të Ukrainës. Nëse nuk sfidohen provokatorë si Dodik, Evropa do të përballet vërtet me një luftë tjetër të mundshme në kufijtë e saj