MENU
klinika

Motive pronësie

Arrestohet 67-vjeçari, kanosi nipin me armë zjarri

11.05.2024 - 11:55

Policia ka parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të një konflikti për motive pronësie në fshatin Mërqi të Lezhës. Pjetër Nika, 67 vjeç u vu në pranga pasi kanosi me armë zjarri nipin e tij F.N., për motive pronësie.

Forcat ‘Shqiponja’ dhe shërbimet e komisariatit të Lezhës shkuan menjëherë në vendngjarje në Mërqi sapo u mor njoftimi dhe falë ndërhyrjes në kohë u parandaluar përshkallëzimi i konfliktit dhe u sekuestrua arma me të cilin xhaxhai po kërcënonte nipin e tij.
Gjatë kontrollit në banesën e 67-vjeçarit u gjet një sasi municioni luftarak.

‘Falë ndërhyrjes në kohë është parandaluar përshkallëzimi i konfliktit dhe është sekuestruar arma e zjarrit pistoletë me municion luftarak, që dyshohet se e posedonte shtetasi P. N., 67 vjeç, banues ne Merqi, Lezhë.
Gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi u gjet edhe një sasi municioni luftarak.’, thuhet ndër të tjera në njoftimin e policisë.
Ndërkohë materialet proceduriale i janë kaluar Prokurorisë për dy vepra penale: “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.