Një natë para ngjarjes së rëndë vajzat kishin qenë në një lokal nate nën tingujt e muzikës dhe alkoolit në kryeqytet.
Detaje të reja kanë dalë në lidhje me vdekjen e dy vajzave ukrainase në zonën e “Selvisë” në Tiranë.
Dy ukrainaset e gjetura të pajeta në një apartament në zonën e Selvisë në Tiranë dhe shoqja e tyre, e cila bëri denoncimin në polici, kanë zhvilluar një festë deri në orët e vona të mbrëmjes së të enjtes.
Mësohet se Antonina Kozaçenko dhe Anastasia Lopukova, 25 dhe 40 vjeçe kanë shkuar më pas në apartamentin e tyre ku dyshohet të kenë vazhduar festën me alkool dhe muzikë. Me anë të dëshmisë së shoqes së tyre, policia ka ringritur edhe njëherë skenën e ngjarjes.
Trupat e pajetë të vajzave, u gjetën të ndara nga njëra-tjetra, njëra prej tyre në sallon dhe tjetra në dhomë.
Paraprakisht dyshohet se ato kanë përdorur medikamente të ndryshme me përmbajtje droge dhe kanë kaluar në gjendje overdoze në gjumë, duke bërë të pamundur të kërkonin ndihmë duke humbur kështu jetën. Gjatë mbrëmjes së të premtes, grupi hetimor ka marrë dëshminë e shoqes së dy vajzave që u gjetën të vdekura.
Ajo ka treguar se si pasi është zgjuar në mesditë dhe ka konstatuar që dy mikeshat ishin pa shenja jete. Ajo ka mbërritur në vendin tonë 2 muaj më parë dhe në fillim të majit ka pritur dy vajzat e reja, për të cilat ka thënë se kanë pasur edhe probleme shëndetësore.