Kryeministri Edi Rama nis sot nga Athina turin me diasporën. Takimi pritet të nisë në orën 11:00 dhe do të mbahet në stadiumin ‘Galatsi’, në sallën “Christmas Theater”.
Kreu i qeverisë pritet të mbërrijë në aeroportin ”Eleftheros Venizelos” rreth orës 09:00 dhe për mbarëvajtjen e këtij takimi janë marrë masa të rrepta sigurie me qindra punonjës policie.
“Fjalimi i tij është planifikuar për në orën 10.30 dhe pritet të kthehet në Tiranë pasdite. Të paktën 2000 persona kanë udhëtuar nga Shqipëria drejt Greqisë gjatë ditës së djeshme për të ndjekur fjalimin e kryeministrit shqiptar në Klisto tou Galatsi”, shkruan protothema.
Sipas informacioneve të protothema.gr, Edi Rama do të shoqërohet nga afërsisht 150 persona. Në këtë shoqërim do të jenë anëtarë të kabinetit të tij, deputetë dhe 50 gazetarë.
Pas përfundimit të takimeve, Rama do të pijë kafe me kolegët e tij në Galatsi, ndërsa në orën 18:00-19:00 pasdite do të shkojë në aeroport për t’u larguar nga Athina. Rama në llogarinë e tij personale në Facebook ftoi shqiptarët që ndodhen në Athinë apo pranë kryeqytetit grek të marrin pjesë në tubimin që do të mbajë në Galatsi.
Kryeministri në postimin e tij foli për një “moment të rëndësishëm krenarie për të gjithë shqiptarët në Greqi”. Ftesa shoqërohet me një pamje nga Akropoli dhe flamujt e Shqipërisë dhe Greqisë.