MENU
klinika

Pasuri turistike

VOA: Zona veriore e Shqipërisë, ende e pashfrytëzuar

12.05.2024 - 14:06

Shqipëria arriti të tërheqë vitin e kaluar një shifër rekord turistësh, prej më shumë se 10 milionë, ndërkohë që këtë vit synon rritjen e këtij numri në rreth 15 milionë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Pëllumb Sulo, ekpertët e fushës mendojnë se vendi ka ende shumë potenciale turistike të pashfrytëzuara, sidomos në zonën malore në veri të vendit, por nevojiten investime për të përmirësuar infrastrukturën rrugore, sinjalistikën turistike, shërbimet publike dhe sigurinë e lëvizjes së turistëve përgjatë shtigjeve malore.

Ekspertët e ekonomisë dhe turizmit pohojnë se Shqipëria ka ende kapacitete të pashfrytëzuara në fushën e turizmit, për të pritur një numër edhe më të madh turistësh se vitin e kaluar, kur u regjistrua një shifër prej më shumë se 10 milion vizitorësh.

Sipas profesorit të ekonomisë në Universitetin e Shkodrës, Gentian Memës, ndërsa zona bregdetare në jug të vendit po shkon me shpejtësi drejt plotësimit të kapaciteteve të veta turistike, vëmendje duhet t’i kushtohet zonës veriore, e cila ka potenciale të mëdha turistike thuajse të pa shfrytëzuara, sidomos në drejtim të turizmit malor dhe atij kulturor, që ndryshe nga turizmi bregdetar është gjithëvjetor.

“Potencial në zhvillim janë zonat tashmë të njohura siç është Thethi, Vermoshi, Lëpusha. Por edhe Bregu i Liqenit të Shkodrës dhe Velipoja sidomos, janë destinacione që kanë potencial rritjet të konsiderueshëm. Por, pa lënë pas dore destinacione që, për momentin, ndoshta nuk janë shumë të zhvilluara, por që kanë mundësi për të zhvilluar sidomos turizmin malor, ku mund të përmend zonën e Kelmendit”, thotë ai.

Në këtë fazë të zhvillimit të turizmit, thotë profesor Mema, shteti duhet të luaj rolin e vet në drejtim të mundësimit të zhvillimit të biznesit turistik në këto zona, përmes ofrimit të infrastrukturës së nevojshme, pastrimit, ndriçimit publik dhe të gjithë elementëve të tjerë të nevojshëm për një turizëm të qëndrueshëm.

Mes zonave turistike me potencial të lartë zhvillimi në sektorin e turizmit është edhe Bashkia “Vau Dejës”, një territor që gjendet mes Shkodrës, Pukës dhe Tropojës. Specialistja e sektorit të turizmit në Bashkinë Vau Dejës, Entela Kolaj, thotë se kanë qenë vetë turistët e aventurës ata që, për herë të parë, e kanë promovuar këtë zonë në mediat botërore.

“ Liqeni i Komanit, Liqeni i Vaut të Dejës dhe Lumi i Shalës nuk kanë nevojë të promovohen më sepse, jo vetëm turistët e huaj dhe vendas, apo mediat botërore, po na promovojnë përditë. Ajo që ka nevojë Bashkia e Vau Dejës janë tashmë investimet. Kemi nevojë për investime. Sigurisht, rruga është një nga problemet e jashtëzakonshme. Unë i kam cilësuar shpesh 32 kilometrat rrugë nga Vau i Dejës deri në Koman si rrugë tejet të amortizuar”, thotë ajo.

Dy vite më parë u premtua nga qeveria dhënia e fondit për rrugën e Komanit, një rrugë shumë e rëndësishme jo vetëm për sektorin turistik që po zhvillohet me shpejtësi në këtë zonë, por edhe për jetën dhe ekonominë e banorëve. Megjithatë rruga vazhdon të jetë jashtë çdo parametri sigurie dhe rrugëtimi.

Ekspertët pohojnë me shqetësim se, në pjesën më të madhe të zonave turistike në Veri të Shqipërisë mungon sinjalistika turistike si dhe shoqëruesit e çertifikuar për shtigjet malore.

Në rajonin e Alpeve, vitin e kaluar u rregjistruan 6 aksidente me turistët e huaj, ku njëri prej tyre humbi jetën pas rrëshqitjes në një humnerë. Ky shqetësim u ngrit edhe në takimin që Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, pati ditët e fundit me prefektët e vendit.

“Duhet ta parandalojmë lëvizjen e turistëve pa guidë, sidomos në zonat malore të Veriut. Kemi turistë të cilët lëvizin pa guida lokale dhe kjo na kushton jetë dhe shëndet, po ka edhe një kosto ekonomike, se nisim helikopterë, nisim makineri. Pra, në një farë mënyre vëmë në rrezik edhe jetën e njerëzve”, ka deklaruar zonja Kumbaro.

Zhvillimi i mëtejshëm i turizmit në Veri të Shqipërisë përballet me shumë sfida, mes të cilave, menaxhimi mbeturinave, furnizimi me energji elektrike të pandërprerë, përmirësimi i infrastrukturës rrugore, por edhe përmirësimi i sistemit të sigurisë, sfida këto që është e vështirë të përballohen vetëm me fondet e bashkive të vogla.

Ndaj, sipas ekspertës së sektorit të trashëgimisë kulturore, Majlinda Laçaj, kërkohet një plan strategjik që t’i paraprijë ecurisë së mëtejshme të sektorit turistik.

“Së pari, institucionet përkatëse si Ministria e Turizmit dhe Mjedisit apo edhe institucione të tjera vendore duhet të kenë një plan menaxhimi strategjik përsa i përket menaxhimit të situatave të këtij niveli”, thotë ajo.

Stategjia e turizmit 2019-2023 ka muaj që ka përfunduar efektet e saj. Ndërkohë, megjithëse është muaji maj, Shqipëria ende nuk ka gati strategjinë e re të turizmit për vitin 2024-2030.

Sipas Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit gjatë muajve të parë të këtij viti numri i vizitorëve ishte 60 përqind më i lartë se ai i një vit më parë, tregues ku që dëshmon për ecurinë e mëtejshme të sektorit turistik. Në zonën veriore të Shqipërisë destinacionet turistike më të frekuentuara janë Valbona, Thethi, Vermoshi, Lëpusha, Boga dhe Razma./VOA