MENU
klinika

“Çfarë bëri mysafiri i paftuar…”

Mediat greke komentojnë fjalimin e Ramës: Bëri fushatë në Athinë. Përmendi Bubulinën…!

12.05.2024 - 17:45

“Vizita e Kryeministrit Edi Rama në Athinë, bëhet me qëllimin e vetëm të zgjedhjeve elektorale në Shqipëri”. Kështu theksojnë mediat greke, të cilat ndoqën nga afër fjalimin mbi një orë të Kryeministrit Rama.

Mediat greke i mëshojnë faktit se Rama ka bërë fushatë në Athina dhe se ka marrë anëtarë të Partisë Socialiste nga Shqipëria me autobus. Po ashtu hapësirë në mediat greke gjen deklarata e Fredi Belerit nga burgu, për të cilin vizita e Ramës është një provokim për grekët dhe shfaqje force brenda Shqipërisë, pasi sipas tij, data 12 Maj është data e arrestimit të Belerit nga autoritetet shqiptare.

“Çfarë bëri ‘mysafiri i paftuar’ në Galatsi”, është titulli i Protothema.gr.

Sipas protothema.gr, “një vit pas burgosjes së Fredi Belerit, kryeministri shqiptar organizoi një festë “parazgjedhore” në Galatsi”.

Pothuajse në të njëjtat tone shkruan edhe Newsbomb.gr, ku e akuzon kryeministrin shqiptar si falsifikues të historisë.

“Pyes veten për qëllimin e vizitës së Edi Ramës në Greqi, me kryeministrin shqiptar duke dhënë një recital nacionalizmi pasi nuk ngurroi pa turp të përmendte se Laskarina Boubulina ishte… shqiptare! Rama, në një furi të pabesueshme, nuk hezitoi të falsifikojë historinë dhe ta shkruajë si të dojë… duke dëshmuar se është edhe antihistorik, edhe i rrezikshëm! Ai u shpreh në mënyrë karakteristike se “Bubulina u rrit në një familje që fliste shqip”! Dhe e gjithë kjo në Greqi!”, shkruan Newsbomb.gr.

Ndërsa portali i njohur Zougla.gr preferon ta mbajë titullin me përgjigjen e kryeministrit ndaj kritikëve, të cilët e konsiderojnë provokim takimin e tij me emigrantët.

Edhe CNN-i grek i ka kushtuar vëmendje deklaratës së Ramës dhe se vizita e tij nuk është provokim, por një takim me njerëzit e tij.

Tanea.gr zgjodhi të përshkruajë atmosferën e krijuar nga shqiptarët në stadiumin “Galatsi”.

Sakaq mediat greke kanë raportuar edhe protestën e disa personave të cilët mbanin në duar parulla dhe flamuj të Partisë Demokratike. Sipas medias greke, rreth 30 militantë të PD filluan të protestonin kundër Ramës. Gjithashtu jashtë stadiumit ndodhi një incident i vogël mes të pranishmëve, ku disa thanë se Rama po provokon homologun e tij grek, Mitsotakis, ndërsa disa të tjerë janë shprehur me fjalët: “Mos i vini zjarrin dy popujve”.

Disa nga mbështetësit e Edi Ramës, theksojnë mediat greke mbërritën në stadiumin e Galatsit të veshur me bluza me mesazhe dhe referenca për “krenarinë kombëtare”.

Disa media fqinje shkojnë edhe më tej duke e quajtur fjalimin e Ramës të mbushur me fantazi nacionaliste.