Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Industrisë së Shqipërisë, Taf Koleci ka komentuar problematikat që shoqërojnë minatorët, naftëtarët, metalurgët dhe punonjësit në energjetikë. Ai thotë se ata janë më të pak paguarit, pasi po përballen me kufirin e mbijetesës. Koleci, teksa foli për protestën mbajtur së fundmi nga minatorët përpara Kuvendit tha se minatorët kanë shumë të drejtë që dalin dhe protestojnë. Por sipas tij, ata po kërkojnë dhe njëherë statusin edhe kjo gjë nuk bëhet pasi ajo njëherë është zhbërë. Ai shprehet se statusi i minatorit u zhbë nga qeveria në vitin 2016, pasi nuk përballonte dot financiarisht trajtimin e 32 mijë naftëtarëve dhe 30 mijë minatorëve, e më pak metalurgë dhe si zgjidhje pa trajtimin me pensione suplementare. Ai deklaron se me kontraktimin e kompanive të huaja, minatorët kanë kushte më të mira për sigurinë e jetës në punë, trajtimet spitalore si dhe shpërblimi i familjeve në vlerë mbi 60 milion lekë ndaj familjeve që humbin familjarin minator në punë.
-Zoti Koleci, ju përfaqësoni punonjësit e industrisë në Shqipëri. Sa është bërë nga qeveritë në vend për të mbështetur këtë kategori?
Unë përfaqësoj rreth 10 mijë punonjës të industrisë, siç janë minierat, metalurgjia, nafta dhe gazi, energjetika; në prodhim, transmetim dhe në shitje. Qeveria gjatë gjithë këtyre viteve sidomos për energjetikën pa bërë shumë pak, edhe për minatorët. Këto të fundit, kërkojnë akoma më shumë për rritjen e pensionit suplementar. Rritja e pagave ka qenë shumë e ulët, ka qenë shumë e vogël në krahasim me të tjerët dhe pagat e shtetarëve. Minatorët, naftëtarët, metalurgët, energjetika, janë në kufijtë e mbijetesës pasi janë rritur dhe çmimet, janë rritur gjithçka dhe me pagat që marrin nuk i përballojnë dot.
-Së fundmi minatorët kanë dalë në protesta para Kuvendit. Sipas tyre pensioni nuk u del as për ilaçe. Keni një koment?
Minatorët kanë shumë të drejtë që dalin dhe protestojnë. Por që të kërkojnë dhe njëherë statusin, kjo gjë nuk bëhet pasi ajo njëherë është zhbërë. Është bërë më parë një status dhe nuk e quajtën status në 2016-ën qeveria dhe kjo çështje është mbyllur. E quajtën pension suplementar. Minatorët kanë të drejtë që të kërkojnë rritjen e pensionit suplementar, nga 1% për minatorët të vihen në 2%.
-Pse qeveria nuk ka miratuar ende një ligj për statusin e minatorit dhe sa i nevojshëm është?
Unë kam qenë vetë pjesë e kësaj kërkese për statusin e minatorit dhe statusin e naftëtarit. Në atë kohë kërkonim 4% më shumë se të tjerët. Në disa takime me qeverinë, arritëm në përfundimin që të mos quhej status, pasi brenda ka përfitime deri në disa breza, edhe familjet e tyre.
-Çfarë përfshin statusi i minatorit?
Përfshin pagën e cila duhet të jetë dinjitoze, të kenë një pension më të lartë, trajtimet dhe vizitat, operacionet, spitalore i kanë falas ku edhe bashkëshortja dhe fëmijët e tyre marrin trajtim falas në spital. Njësoj kanë qenë si statusi i minatorit dhe i naftëtarit. Statusi i naftëtarit ka kaluar në Parlamentin e ri, siç e kemi bërë ne. Ishte një status që kishte vlera por qeveria duke parë buxhetin e zhbëri këtë gjë. Në kohën kur bëmë kërkesën për miratimin e statusit për kalim në Kuvend, ishin në fillim 12 mijë minator, 14 mijë naftëtar dhe metalurgë kishte më pak. Naftëtarët arritën të shkojë numri në 32 mijë persona, 30 mijë minatorë, pra u rrit numri nga sa ishte parashikuar. Atëherë nuk pranoi qeveria dhe thanë që do të bëjmë pension suplementar. Sa herë që minatorët dalin në protestë për të kërkuar miratimin e statusit të minatorit, kjo kërkesë është e pavlerë pasi kjo gjë nuk do të ndodh pasi qeveria pranoi për miratim statusin suplementar. Minatorët duhet të kërkojnë rritjen e vlerës së pensionit suplementar, është e vetmja gjë që mund të sjell ndryshime. Ligji i vitit 1958 për profesionet e vështira nuk i pasqyron mirë të gjitha kërkesat e minatorëve. Me kalimin e kohës ka patur ndryshime teknologjike të cilat kanë arritur që edhe këto profesione që i kërkojnë naftëtarët, metalurgët dhe minatorët, të ulemi dhe të bisedojmë që edhe ato të futen në skemën e pensionit suplementar.
-Me çfarë problemesh përballen sot minatorët e naftëtarët?
Si minatorët, si naftëtarët, si metalurgjikët, kanë të gjithë të njëjtin problem, pagat. Aty ku ka kontrata kolektive, nuk ka abuzime pasi kontrollohen të gjithë punonjësit me sigurime shoqërore dhe shëndetësore, me veshje pune, dhe sigurinë e jetës në punë. Miniera e Bulqizës e cila është bërë tani një minierë shumë e vështirë nën regjimin e gazit. Tani në zotërim e ka marrë shoqëria turke “Yildirim International Mining Investments B.V.”, e cila po hap fronte të reja pune nën kontrolle të rrepta sigurie të gazit, trajnimin e të gjithë punonjësve me rregullat e sigurimit në punë.
-Në momentin kur minatorët lëndohen në punë apo në rastet kur ka humbje jete, a trajtohet familja me ndihmë përkujdesje për vitet në vijim?
Aty ku janë zbatuar kontratat kolektive, kemi bërë një amendament për sigurimin e jetës së minatorëve, duke siguruar çdo minator. Kur minatori ndërron jetë në punë, familjes i jepet shpërblim një vlerë monetare mbi 60 milion lekë familjes dhe trajtohen fëmijët deri kur arrijnë moshën 18 vjeçare. Aty ku nuk janë të kontraktuara kontratat kolektive, aty nuk ka investime, sepse duke futur investimet në miniera shtohen elementet e sigurisë së jetës së minatorit. Pavarësisht se ato marrin një pagë të kënaqshme për 2-3 orë punë në ditë, por nuk dihet e sigurtë, a dalin gjallë apo jo. Duhet të shtohen kontrollet e herë pas hershme për sigurinë e jetës së minatorit. Koncesionet e huaja, kanë ndryshuar faqen e punës dhe kanë sjellë kushte më të mira për minatorët, në 1 Maj shoqëria turke “Yildirim International Mining Investments B.V.”, në uzinën e metalurgjikut në Elbasan, vendosi filtra të reja të pastrimit të ajrit. Bëri mensë ku çdo metalurg konsumon falas një vakt ushqimor në punë. E gjëja gjë pritet të bëhet dhe në uzinën e Burrelit dhe në minierën e kromit në Bulqizë. Shoqëria turke koncesionare, dhuron punonjësve dhe shpërblime të herë pas hershme, mirëpo synimi i minatorëve është rritja e pagës dhe përmirësimi i kushteve. Kontrollet periodike në spitale ofrohen falas, bëjnë check up-in, për punonjësit nga kompania dhe bëhen në çdo gjashtë muaj. /SOT