SPAK i sekuestron pasurinë me vlerë 3 mln euro ish-Shefit të Operacionales, Oltian Bistrit dhe familjarëve të tij.
Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar pasuri me vlerë 3 milionë euro të ish-shefit të Operacionales, Oltian Bistri, i cili është arrstuar në kuadër të operacionit të koduar Metamorfoza.
SPAK ka sekuestruar pasuri të Oltian Bistrit dhe familjarëve të tij, të cilët kanë pasur transaksione të lidhura apo të dyshuara se janë kryer për ish-shefin e Operacionales.
Nga verifikimet pasurore ka rezultuar se ato zotërojnë pasuri, vlera e të cilave është disa herë më e lartë se të ardhurat e ligjshme të përfituara prej Oltian Bistrit dhe familjarëve të tij.
Në total janë sekuestruar prona: 22 – Njësi (dyqane/ambiente biznesi)/ 10 – Apartamente/ 1 – Vilë/ 1 – Truall/ 1 – Garazh/ 1 – Automjet.
Vlera totale e blerjes së pasurive të sekuestruara sipas çmimeve të përcaktuara në kontratat noteriale është 3.091.519 Euro.
Oltian Bistri është arrestuar si pjesë e dosjes “Metamorfoza” pasi dyshohet se në vitin 2016 është përfshirë në veprimtari kriminale. Sëbashku me të u arrestua edhe biznesmeni Pëllumb Gjoka, ish-kryeprokurori i Kukësit Xhevahir Lita, ish-polici Ardit Hasanbega, Astmer Bilali dhe Edmond Preka.
Ndaj Oltian Bistrit është ngritur akuza për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, mbi bazën e verifikimeve pasurore të kryera në funksion të procedimit penal nr. 9, të vitit 2023, ka regjistruar procedimin pasuror nr. 6, të vitit 2024, që bën fjalë për pasuritë në zotërim të shtetasit Oltian Bistri dhe familjarëve të tij.
Duke qenë se ndaj shtetasit Oltian Bistri ka pasur indicje që në vitin 2016 për përfshirje në veprimtari kriminale, si dhe në kuadër të procedimit penal nr. 09, të vitit 2023, të Prokurorisë së Posaçme, është marrë i pandehur për kryerjen e veprave penale të parashikuara nga nenet 259 dhe 287 të Kodit Penal, në bazë të nenit 3/1, gërmat (ç) dhe (d), të ligjit nr.10192, datë 03.12.2009, “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar dhe Trafikimit nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, shtetasi Oltian Bistri është subjekt i këtij ligji dhe mundet që t’i nënshtrohet masave parandaluese pasurore.
Ndaj shtetasit Oltian Bistri dhe familjarëve të tij (të cilët kanë pasur transaksione të lidhura apo të dyshuara se janë kryer për shtetasin Oltian Bistri), janë kryer të gjithë verifikimet pasurore të mundshme, prej të cilave kanë rezultuar se ato zotërojnë pasuri, vlera e të cilave është disa herë më e lartë se të ardhurat e ligjshme të përfituara prej tij dhe familjarëve të tij.
Në vijim, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin Nr.19, datë 03.05.2024, ka vendosur sekuestrimin e pasurive në pronësi të shtetasit Oltian Bistri dhe familjarëve të tij, si më poshtë:
· 18 Njësi (dyqane) + 1 Apartament, të ndodhura në rrugën “Todi Shkurti”, Tiranë;
· Apartament me sipërfaqe totale prej 400 m2, kati i 6 (gjashtë), ndodhur në kompleksin e ndërtimit në kryqëzimin e Farmacisë 10, Tiranë;
· Pasuria e llojit truall, me sipërfaqe 200 m2, Zona Kadastrale 8270, ndodhur në “Rrugën e Kosovarëve”, Tiranë;
· Apartament me sipërfaqe 66.5 m2, ndodhur në kompleksin “Square 21”, në Rrugën e Kavajës, Tiranë;
· Apartament me nr. 18/C, kati i shtatë teknik/8 ndërtim, me sipërfaqe 73.16 m2, i ndodhur në godinën 1, në “Kompleksin Delijorgji”, në Rrugën e Kavajës, Tiranë;
· Apartament me sipërfaqe 400 m2, kati i gjashtë, ndodhur në kompleksin e ndërtimit në kryqëzimin e Farmacisë 10, Tiranë;
· Njësi (dyqan) me sipërfaqe 125 m2, në katin e parë, ndodhur në kompleksin e ndërtimit “Square 21”, në Rrugën e Kavajës, Tiranë;
· Apartament me sipërfaqe 138.3 m2, ndodhur në Selitë, Tiranë;
· Garazh me sipërfaqe 87.8 m2, ndodhur në Selitë, Tiranë;
· Apartamenti me sipërfaqe 100.6 m2, në katin e dhjetë, ndodhur në kompleksin e ndërtimit në kryqëzimin e Farmacisë 10, Tiranë;
· Njësi (dyqan) me sipërfaqe ndërtimore 72 m2, ndodhur në kompleksin e ndërtimit “Square 21”, në Rrugën e Kavajës, Tiranë;
· Vila A14, në rezidencën “Green Valley”, Tiranë;
· Apartament me nr. 3, kati i katërt, me sipërfaqe 58.5 m2, ndodhur në rrugën “Ndreko Rino”, Tiranë;
· Apartament me nr. 9, kati i dytë, me sipërfaqe 58.9 m2, ndodhur në rrugën “Ndreko Rino”, Tiranë;
· Pasuri e llojit njësi (dyqan), me sipërfaqe ndërtimore 110 m2, ndodhur në kompleksin e ndërtimit “Square 21”, në Rrugën e Kavajës, Tiranë;
· Pasuri e llojit apartament, me sipërfaqe totale 400 m2, kati i gjashtë, ndodhur në kompleksin e ndërtimit në kryqëzimin e Farmacisë 10, Tiranë;
· Pasuria e llojit njësi, me sipërfaqe totale 95 m2, në katin e parë, ndodhur në kompleksin e ndërtimit “Square 21”, në Rrugën e Kavajës, Tiranë;
· Automjet i markës “Land Rover” model “Range Rover Sport”, vit prodhimi 2012;
Në total janë sekuestruar :
22 – Njësi (dyqane/ambiente biznesi);
10 – Apartamente;
1 – Vilë;
1 – Truall;
1 – Garazh;
1 – Automjet.
Vlera totale e blerjes së pasurive të sekuestruara sipas çmimeve të përcaktuara në kontratat noteriale është 3.091.519 Euro.
Prokuroria e Posaçme, ka ekzekutuar vendimin Nr.19, datë 03.05.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe të gjitha pasuritë e mësipërme janë marrë në administrim nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara pranë Ministrisë së Brendshme, Tiranë.