MENU
klinika

Çfarë pritet?

Rënia drastike e lindjeve në botë, cilat do jenë pasojat?

15.05.2024 - 10:12

Donald Trump , kandidati presidencial republikan, e ka quajtur rënien e lindjeve një kërcënim më të madh për qytetërimin perëndimor sesa Rusia. Një vit më parë, kryeministri japonez Fumio Kishida deklaroi se rënia e nivelit të lindjeve, ka krijuar pikëpyetje nëse Japonia mund të vazhdojë të funksionojë si shoqëri dekadat e ardhshme…
Bota gjendet para një momenti demografik historik dhe befasues. Shumë shpejt, shkalla globale e lindshmërisë do të bjerë nën nivelin e nevojshëm për të shmangur rënien e popullsisë. Madje kjo mund të ketë ndodhur tashmë. Lindshmëria po bie thuajse kudo, dhe për gratë në të gjitha nivelet e të ardhurave, arsimit dhe pjesëmarrjes në fuqinë punëtore.

Kjo gjë pritet të sjellë pasoja serioze mbi mënyrën se si jetojnë njerëzit, si do rriten ekonomitë por edhe në renditjen e superfuqive të botës. Rënia demografike supozohet të ishte një krizë graduale. Në fakt ajo po ndodh kaq shpejt dhe kaq gjerësisht, saqë shumë njerëz janë befasuar.

Disa vlerësime thonë se numri i foshnjave të lindura nga çdo grua, ka rënë nën normën globale të zëvendësimit prej rreth 2.2. SHBA-ja e kaloi shumë kohë më parë atë nivel. Norma aktuale në Korenë e Jugut, më e ulëta në botë, ishte dikur e paimagjinueshme. Në vendet me të ardhura të larta, lindshmëria nisi të bjerë nën normën e zëvendësimit që në vitet 1970, dhe u ul akoma më shpejt gjatë pandemisë.

Por vitet e fundit ajo po bie edhe në vendet në zhvillim. Vitin e kaluar, India ia kaloi Kinës si vendi më i populluar në botë, megjithatë edhe lindshmëria e saj ka rënë tani nën normën e zëvendësimit. “Jemi në prag të një dimri demografik”- thotë Jesús Fernández-Villaverde, ekonomist i specializuar tek demografia në Universitetin e Pensilvanisë, SHBA.

Shumë drejtues qeverish, e shohin këtë si një çështje kombëtare emergjente. Ata janë shumë të shqetësuar për tkurrjen e fuqisë punëtore , ngadalësimin e rritjes ekonomike, mungesën e financimit të skemës së pensioneve, por edhe vitalitetin e një shoqërie me gjithnjë e më pak fëmijë.

Dhe popullatat më të vogla, kanë një ndikim global të zvogëluar, Kjo ngre pikëpyetje në SHBA, Kinë dhe Rusi në lidhje me pozicionin e tyre afatgjatë si superfuqi. Disa demografë mendojnë se popullsia e botës, mund të nisë të bjerë brenda 4 dekadave, një nga të paktat herë që ka ndodhur në histori.

Donald Trump, kandidati presidencial republikan, e ka quajtur rënien e lindjeve një kërcënim më të madh për qytetërimin perëndimor sesa Rusia. Një vit më parë, kryeministri japonez Fumio Kishida deklaroi se rënia e nivelit të lindjeve, ka krijuar pikëpyetje nëse Japonia mund të vazhdojë të funksionojë si shoqëri dekadat e ardhshme.

Ndërkohë kryeministrja italiane Giorgia Meloni, i ka dhënë përparësi rritjes së “PBB-së demografike” të vendit të saj. Qeveritë kanë nisur të miratojnë dhe zbatojnë programe për ta ndalur këtë rënie. Por deri tani s’kanë pasur shumë sukses. Në vitin 2017, kur shkalla globale e lindshmërisë ishte 2.5, Kombet e Bashkuara menduan se do të binte në 2.4 në fund të viteve 2020.

Por që në vitin 2021, shifra kishte rënë në 2.3, shumë pranë asaj që demografët e konsiderojnë si normën globale të zëvendësimit, 2.2. Shkalla e zëvendësimit, e cila e shmang rënien e popullsisë me kalimin e kohës, është 2.1 në vendet e pasura, dhe pak më e lartë në vendet në zhvillim, ku lindin më pak vajza sesa djem, dhe ku vdesin më shumë gra në moshë të re.

Kina raportoi 9 milionë lindje vitin e kaluar, ose 16 për qind më pak nga sa ishte parashikuar nga OKB. Në SHBA, lindën vitin e kaluar 3.59 milionë foshnja, ose 4 për qind më pak se parashikimi. Në vende të tjera, rënia është edhe më e madhe. Në vitin 2017, kur popullsia botërore ishte 7.6 miliardë, OKB parashikonte vazhdimin e rritjes deri në 11.2 miliardë në vitin 2100.

Por në vitin 2022, parashikimi për pikun u rishikua, në 10.4 miliardë në vitet 2080. Por, edhe ai ka të ngjarë të jetë i vjetruar. Instituti për Metrikat dhe Vlerësimin e Shëndetit në Universitetin e Uashingtonit, mendon tani se do të arrijë kulmin me rreth 9.5 miliardë në vitin 2061, dhe më pas do të fillojë të bjerë.

Historianët i referohen si tranzicion demografik, rënies së lindshmërisë që nisi në shekullin e XVIII-të në vendet e industrializuara. Ndërsa jetëgjatësia u rrit dhe më shumë fëmijë mbijetuan deri në moshën madhore, u zbeh shtysa për të lindur më shumë fëmijë. Gratë u arsimuan më mirë dhe iu bashkuan fuqisë punëtore. Ato e vonuan martesën dhe lindjen e fëmijëve, duke sjellë në jetë më pak fëmijë.

Disa demografë e shohin atë që po ndodh tani si pjesë të një tranzicioni të dytë demografik, një riorientim mbarëkombëtar drejt individualizmit që i kushton më pak rëndësi martesës dhe prindërimit, dhe që e bën më të pranueshme pasjen e pak ose asnjë fëmije.

Në një studim të publikuar në vitin 2021, Melissa Kearney e Universitetit të Merilendit dhe dy kolegë të saj, kërkuan shpjegime të mundshme mbi rënien e vazhdueshme të lindjeve. Ata zbuluan se dallimet në nivel shtetëror në ligjet mbi abortin, papunësinë, qasjen në sistemin shëndetësor, kostot e strehimit, përdorimin e kontraceptivëve, besimin fetar, kostot e kujdesit për fëmijët dhe borxhin e studentëve, nuk mund të shpjegojnë gati asnjë.

Kearney tha se ndërsa rritja e fëmijëve nuk është më e kushtueshme se më parë, kanë ndryshuar preferencat e prindërve dhe kufizimet e perceptuara. “Nëse njerëzit kanë një preferencë për të kaluar kohën në ndërtimin e një karriere, dhe kohën e lirë në marrëdhëniet jashtë shtëpisë, kjo bie ndesh me lindjen e fëmijëve”-thotë Kearney.

Nga ana tjetër, të dhënat e përdorimit të kohës tregojnë se nënat dhe baballarët, veçanërisht ata me arsim të lartë, kalojnë më shumë kohë me fëmijët e tyre sesa dikur. Erica Pittman, një bankiere 45-vjeçare nga Nju Jorku, tha se ajo dhe bashkëshorti zgjodhën të kishin vetëm një fëmijë për shkak të kërkesave për kohën e tyre, përfshirë kujdesin për nënën e saj, e cila vdiq vitin e kaluar pas një beteje të gjatë me sklerozën e shumëfishtë.

Djali i tyre 8-vjeçar, është në gjendje të marrë pjesë në kurse teatri, turne futbolli dhe kampe verore, sepse me të ardhurat e përbashkëta prej rreth 225.000 dollarë në vit, çifti ka më shumë kohë dhe para. “Ndihem si një nënë më e mirë. Mund të shkoj në punë, e cila është shumë kërkuese, por mund të jem e pranishme në të gjitha aktivitetet jashtë-shkollore të tim biri”- thotë ajo.

Pittman thekson se e vë në pikëpyetje vendimin e tyre, vetëm kur djali i saj i thotë se do të donte të kishte një vëlla ose motër për të luajtur. Danielle Vermeer u rrit e treta në një familje me 4 fëmijë në pjesën veriore të Çikagos. Lagja e saj ishte e mbushur me katolikë me origjinë italiane, irlandeze dhe polake, dhe gjysma e miqve të saj të ngushtë kishin po aq vëllezër e motra sa ajo, ose më shumë.

Babai i saj italiano-amerikan, ishte një nga 4 fëmijët që lindën 14 nipër e mbesa. Tani prindërit e saj kanë 5 nipër e mbesa, duke përfshirë dy fëmijët e Vermeer, 4 dhe 7 vjeç.

35-vjeçarja, bashkëthemeluese e një aplikacioni të modës, tha se përpara se të niste të bënte fëmijë, u konsultua me dhjetëra çifte të tjera, kishën e saj, dhe lexoi të paktën 8 libra mbi këtë temë, duke përfshirë një të Papës Pali VI.

Ajo dhe bashkëshorti i saj vendosën se 2 ishte numri i duhur. “Akti i sjelljes së një fëmije në këtë botë, është një përgjegjësi e jashtëzakonshme”- mendon ajo. Japonia është ndër vendet e para të prekura nga kriza demografike. Ndaj në vitin 2005, Kuniko Inoguchi u emërua ministrja e parë, përgjegjëse për barazinë gjinore dhe numrin e lindjeve.

Pengesa kryesore, kujton ajo, ishin paratë. Ndaj Japonia e bëri falas kujdesin në maternitet dhe vendosi një bonus për çdo lindje. Shkalla e lindshmërisë u rrit nga 1.26 në vitin 2005, në 1.45 në vitin 2015. Por më pas filloi të bjerë përsëri, dhe në vitin 2022 u kthye sërish në 1.26. Këtë vit, kryeministri Fumio Kishida publikoi një program tjetër, që zgjeron bonuset mujore për të gjithë fëmijët nën 18 vjeç, pavarësisht nga të ardhurat, arsim të lartë falas për familjet me 3 fëmijë dhe leje prindërore plotësisht të paguar. Në Evropë, kryeministri hungarez Viktor Orban po zbaton një nga axhendat më ambicioze për shtimin e lindjeve.

Vitin e kaluar, ai i zgjeroi lehtësirë tatimore për nënat, në mënyrë që gratë nën moshën 30 vjeç që kanë një fëmijë të përjashtohen përjetësisht nga pagimi i tatimit mbi të ardhurat personale. Kësaj i shtohen subvencionet për strehimin dhe kujdesin ndaj fëmijëve, si dhe lejet e lindjes më të gjata në kohë.

Shkalla e lindshmërisë në këtë vend është rritur që nga viti 2010, edhe pse është ende larg shkallës së zëvendësimit. Duke mos pasur ndonjë ndryshim në normat e lindjeve, po rriten presionet ekonomike. Që nga pandemia, mungesa e fuqisë punëtore është bërë endemike në të gjithë vendet e zhvilluara.

Dhe situata vetëm sa do të përkeqësohet në vitet e ardhshme, pasi rënia e nivelit të lindjeve pas krizës. sjell një fluks gjithnjë e më të pakët të punëtorëve të rinj, duke shtuar presionin mbi kujdesin shëndetësor dhe sistemet e pensionit. Neil Howe, demograf në “Hedgeye Risk Management”, thotë se kriza demografike mund ta bëjë këtë një “dekadë të humbur” të dytë radhazi për rritjen ekonomike globale.

Receta e zakonshme në vendet e përparuara, është më shumë migracion nga jashtë, por kjo qasje ka dy probleme. Historikisht, vendet pritëse kanë kërkuar emigrantë të aftë që hyjnë përmes kanaleve formale dhe ligjore, por flukset e fundit kanë qenë kryesisht emigrantë të pakualifikuar që shpesh hyjnë ilegalisht dhe kërkojnë azil. Po ashtu, nivelet e larta të migrimit kanë ngjallur historikisht rezistencë politike, shpesh për shkak të shqetësimeve rreth ndryshimeve kulturore dhe demografike.