Përcillet sot për në banesën e fundit efektivi i policisë se forcave “Shqiponja ” 28 vjeçari Novruz Cenalia.
Në hollin e Teatrit Bylis në Fier është vendosur arkmorti me trupin e pa jetë të efektivit të policisë ku do të kryhen homazhe nga familjarë, kolegë, qytetarë dhe autoritete për t’i dhënë lamtumirën e fundit.
Më pas arkmorti me trupin e tij do të përcillet në banesën e fundit në varrezat e fshatit Baltëz. I pranishëm në homazhe ka qenë edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla, i shoqëruar nga deputetja Ermonela Felaj, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku si dhe kreu i bashkisë së Fierit, Armando Subashi.
Efektivi i policisë Novruz Cenalia u vra dy ditë më parë në fshatin Baltëz pas një konflikti të çastit me 23 vjeçarin Azgan Mernica i cili pas kryerjes se kësaj vrasje është në arrati. Prej dy ditësh forcat e policisë, forcat speciale RENEA kanë vijuar kërkimet për gjetjen e autorit duke u shtrirë në disa qytete të jugut të vendit.