MENU
klinika

Kur mund të mbahen?

Kosova drejt zgjedhjeve të parakohshme

15.05.2024 - 11:18

Zgjedhjet parlamentare janë kthyer në një nga temat më të diskutuara në qarqet politike të Kosovës. Prej kohësh partitë opozitare kanë përmendur zgjedhjet e reja, mirëpo që deri tani nuk ka pasur diçka konkrete. Krahas kësaj, deklaratat e fundit për zgjedhje të ardhura direkt nga qeveria, më saktësisht nga kryeministri Albin Kurti, kanë nxitur shpresat e opozitës për zgjedhje të mëhershme. Mirëpo, kishte paqartësi, pasi nuk definohej nëse do kishte shpërndarje të Kuvendit apo rrëzim të qeverisë Kurti, përmes mocionit të mosbesimit. Megjithatë, kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë të ulet e të bisedojë për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, duke shtuar se “nuk ka pse të rrëzohet qeveria”. Më gjithë këto zhvillime e deklarata, duke se zgjedhjet e reja parlamentare, nuk janë larg. Megjithatë tani vëmendja është tek opozita, e cila midis saj, është “e përçarë”.

Takimi Kurti-Krasniqi

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha dje është i interesuar që të diskutojë me subjektet politike për datën më të përshtatshme për zgjedhjet e reja parlamentare në Kosovë. Ai i ka bërë këto deklarata pas një takimi të zhvilluar me kryetarin e partisë opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi. Mandati katërvjeçar i Qeverisë aktuale përfundon në mars të vitit 2025. “Unë kam shprehur gatishmërinë time që nëse opozita dëshiron zgjedhje të parakohshme, mund ta bëjmë me dy të tretat e Kuvendit shpërndarjen e Kuvendit dhe të shkojmë në zgjedhje. Nëse opozita është rehat, ne jemi edhe më rehat, po qeverisim fare mirë, jemi rehat me punën që bëjmë. Pra, nëse vetëm opozita dëshiron zgjedhje, ne jemi të gatshëm të ulemi e të bisedojmë për shpërndarjen e kuvendit dhe të shkojmë në zgjedhje, por nuk ka pse të rrezohet qeveria”, tha Kurti.

“Lufta” e opozitës

Mirëpo, ky takim vetëm sa ka ndezur më shumë “gjakrat” brenda opozitës.  Lidhja Demokratike e Kosovës në opozitë tha përmes një komunikate për media, se nuk do të bëhet pjesë e asnjë “marrëveshjeje të pre-aranzhuar prapa dyerve të mbyllura e darkave”. “LDK-ja i fton të gjitha palët politike që, në këtë kohë, të kërkojnë dhe të punojnë vetëm në drejtim të dorëheqjes legale të kryeministrit, sepse ajo faktike tashmë ka ndodhur”, sipas LDK-së. Dorëheqjen apo shkarkimin e kryeministrit Kurti e kërkoi edhe partia tjetër në opozitë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. “AAK-ja do të mund ta mbështeste shpërbërjen e Parlamentit vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të kryeministrit. Të gjitha dështimet e Kosovës, brenda dhe jashtë, e kanë vetëm një emër – Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti”, shkroi kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, në llogarinë e tij në Facebook, më 13 maj.

Datat e mundshme

Mësohet se propozimi i PDK-së në këtë takim për datën e zgjedhjeve është 30 qershori ose 7 korriku. Ndër të tjera, kreu i PDK-së tha se pas seancës të së enjtes “shpreson që të bashkohen për votimin e mocionit”. Më herët, i pari i Partisë Demokratike, pati kërkuar që data e zgjedhjeve të jetë 9 qershori, por tani është e pamundur që kjo të ndodhë për shkak të kalimit të afatit kushtetues. Edhe ekspertë të ndryshëm kanë hedhur hipotezat se zgjedhjet mund të mbahen atë muaj, ndonëse nuk kanë specifikuar data. Zgjedhjeve të reja mund t’u hapet rrugë me mocion të shpërndarjes së Kuvendit me dy të tretat e votave, me mocion për shkarkimin e kryeministrit, ose me mocion të votëbesimit ndaj Qeverisë që do ta kërkonte kryeministri. Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se shkarkimi i kryeministrit është më pak i mundshëm.

Ndikimi i Asociacionit

Kosova, prej muajsh, është nën trysninë e bashkësisë ndërkombëtare për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, të dakorduar me Serbinë. Në këmbim, ndërkombëtarët i kërkojnë Serbisë që ta njohë de facto Kosovën. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, këmbëngul se Serbia nuk do ta njohë Kosovën, ndërsa Kurti kërkon që Marrëveshja e Ohrit të zbatohet në tërësi. Disa analistë thonë se është pikërisht çështja e Asociacionit që do ta shtyjë Qeverinë e Kosovës drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin

E paqartë nëse Lista Serbe po përgatitet për procesin

Serbët me disa alternativa në zgjedhjet e 9 shkurtit!

Fytyra të reja por detyrime të njëjta

Analiza: “Ngec” sërish dialogu Beograd-Prishtinë