Ish-drejtori i IT-së në Policinë e Shtetit, Ervin Muça, i cili aktualisht ndodhet nën masën e sigurisë arrest shtëpie, pasi akuzohet për kopjimin pa autorizim të të dhënave të sistemit TIMS, ka dëshmuar në komisionin hetimor ‘TIMS’.
Ish-drejtori i IT-së është futur i shoqëruar nga policia e Shtetit, ndërsa mbledhja po mbahej me dyer të mbyllura.
Dëshmia e tij zgjati rreth 30 minuta dhe kur doli u pyet nga gazetarët se kush e detyroi të merrte të dhënat e TIMS.
“E kam dhënë këtë përgjigje”, tha Muça.
Kujtojmë se mbledhja mbledhja e Komisionit Hetimor për të dhënat e sistemit TIMS ka zgjatur deri në mesnatë, ku ishin thirrur për të dëshmuar ministri i Brendshëm Taulant Balla, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe ish drejtori i Tekonologjisë së Informacionit (IT) në Policinë e Shtetit, Ervin Muça.
Balla dhe Muça dhanë dëshmi me dyer të mbyllura për shkak të informacionit të klasifikuar që ata kishin, ndërkohë drejtori i policisë dha një pjesë të dëshmisë me dyer të hapura ndërsa për të dhëna që konsideroheshin si informacion sekret rezervoi të mos fliste.
Për shkak të informacioneve të konsideruara si sekret hetimor u dakordësua që të tre të thirreshin edhe një herë më 28 maj, pasi të jenë pajisur me çertifikatë sigurie edhe ata anëtarë të komisionit që nuk e dispononin.