Maqedonia e Veriut, është një vend me ose pa të kaluar. Kjo në varësi të këndvështrimit tuaj. Arkitektura, historia, flamuri dhe madje edhe emri i vendit ballkanik pa dalje në det, janë kthyer të gjitha në një fushëbeteje ideologjike, ku palët ndërluftuese janë nacionalistët dhe eurofilët, maqedonasit dhe shqiptarët, të rrethuar nga Greqia dhe Bullgaria.
Konservatorët synojnë të ruajnë ose ndërtojnë një identitet kombëtar maqedonas, ndërsa shtetet fqinje armiqësore, kërkojnë që vendi të heqë dorë nga pretendimet e tij historike si një kusht i panegociueshëm për anëtarësimin në BE. Ndërsa vendi shkoi në zgjedhje më 8 maj, këto tensione ishin të dukshme në rrugët e kryeqytetit Shkup.
Partia e djathtë nacionaliste dhe euroskeptike, VMRO-DPMNE arriti një fitore të thellë, duke e rrëzuar nga pushteti Unionin Social Demokrat pro-BE (LSDM) pas 7 vjetësh në pushtet. Por në të dyja anët e lumit Vardar, në një qytet ende dukshëm të ndarë mes shtëpive me çati të kuqe të minoritetit shqiptar dhe bronzit dhe mermerit të shndritshëm të qendrës së rinovuar të kryeqytetit maqedonas, ai që dominon bisedat politike është cinizmi.
“Kur VMRO-ja ishte për herë të fundit në pushtet, vendi ishte i korruptuar. Në kohën e qeverisjes së socialdemokratëve u rikthyen të rinjtë që kishin emigruar”- këmbëngul një aktivist i ri i një partie shqiptare pro-evropiane. Por ai kundërshtohet menjëherë nga një kolegu i tij:“Jo, kjo nuk është aspak e vërtetë”.
VMRO-ja pësoi një ringjallje që pakkush e priste. Partia e huazoi emrin e saj nga Organizata e Brendshme Revolucionare Maqedonase, një grupim rebel që luftoi për vetëvendosjen dhe bashkimin e Maqedonisë me Bullgarinë fqinje në fillim të shekullit XX-të.
Pikërisht në atë kohë, gjatë pushtimit të gjatë osman, bullgar dhe serb, u shfaq gradualisht ideja e një kombi të veçantë maqedonas dhe jo bullgar. Federata Jugosllave komuniste, e paangazhuar në ndonjë nga dy blloqet e Luftës së Ftohte e presidentit Josip Broz Tito, i dha territorit të Maqedonisë së sotme autonominë e parë të vërtetë, si një “Republikë Popullore” federale.
Pas tërmetit katastrofik të vitit 1963 që rrafshoi shumicën e Shkupit, pozita e mirë e Jugosllavisë si në Lindje ashtu edhe në Perëndim, solli një rindërtim të paprecedentë modernist të financuar nga Moska dhe Uashingtoni. Një bashkëpunim i jashtëzakonshëm dhe i paprecedentë, që ndodhi vetëm disa muaj pas krizës së raketave Kubane.
Shkupi u vlerësua në mbarë botën si “Qyteti i Solidaritetit Ndërkombëtar”. Por ndërsa Jugosllavia u shpërbë së bashku me rënien e Bashkimit Sovjetik, në skenë u shfaqën udhëheqësit nacionalistë, të cilët nisën të nxisnin tensionet ndëretnike.
Me gjithë akuzat për autoritarizëm dhe korrupsion të madh, VMRO-ja dominoi për shumë kohë në politikën maqedonase, duke përfituar nga ndjenjat antishqiptare të nxitura nga një kryengritje e shkurtër e vitit 2001 përgjatë kufirit me Kosovën, ndërsa në të njëjtën kohë formoi aleanca taktike elektorale me partitë shqiptare.
Në vitin 2014, VMRO-ja u angazhua në fushatën “Antikvzacij“ (Antikuizimi), duke e forcuar axhendën e saj nacionaliste dhe pretenduar dy heronjtë kombëtarë grekë si Aleksandri i Madh dhe Filipi i Maqedonisë, si dhe disa figura bullgare. Qendra e Shkupit u shkatërrua duke u zëvendësuar nga fasadat e bardha neoklasike që shkëlqenin, me shumë përmendore të imazheve që atyre që ata pretendonin se përfaqësonin maqedonasit e famshëm.
Ndërkohë socialdemokratët, e cilësuan projektin si një mënyrë për të fshehur korrupsionin dhe abuzimin e qeverisë me fondet. Zoran, një maqedonas, gruaja e të cilit ka vdekur pak kohë më parë nga kanceri, në moshën 38-vjeçare thotë me hidhërim: “Unë nuk e njoh më qytetin tim, dhe as vendin tim”.
Zoran fajëson qeverinë e VMRO-së për zhvillimin intensiv të Shkupit dhe ndotjen më të rëndë të ajrit në Evropë, e cila ndikoi në sëmundjen terminale të gruas së tij. Por ai mendon se edhe socialdemokratët kanë shpërdoruar fondet, në vend se të forconin infrastrukturën shëndetësore që vuan nga shumë probleme.
Edhe pse VMRO-ja u largua përkohësisht nga pushteti pasi udhëheqësi i saj u arratis në Hungari pas akuzave për korrupsion, socialdemokratët nuk arritën të përfitojnë. Gazetarja opozitare Dragana, thekson se e njëjta “strukturë klienteliste, burokracia e ngadaltë”, dhe mbështetja e nevojshme tek lidhjet personale dhe përkatësitë partiake, dominojnë ende në jetën e qytetarëve të zakonshëm.
Sipas saj socialdemokratët zgjodhën një “strategji humbëse”, duke i dhënë përparësi anëtarësimit në NATO dhe BE, në vend se të luftonin inflacionin e lartë, që e ka bërë jetën shumë të vështirë për shumë banorë në vendin e tretë më të varfër të Evropës.
Ri-zhvillimi me një frymë nacionaliste i Shkupit, ka qenë thelbësor në këtë proces. Greqia pretendon territorin historik dhe emrin e Maqedonisë, ndaj e ka kundërshtuar prej kohësh shtetësinë maqedonase. Në vitin 2018, të dyja vendet arritën një marrëveshje përmes së cilës Maqedonia ra dakord të ndryshonte emrin në “Maqedonia e Veriut”, të hiqte dorë nga përdorimi i simbolit të lashtë grek të Diellit, dhe të mos i pretendojë si maqedonas heronjtë e identifikuar si të tillë nga grekët.
Rezultati është një përzierje paksa e çuditshme, në të cilën termi “maqedonas” është politikisht i pranueshëm, por jo “Maqedonia”. Ndërkohë, një statujë e madhe që të gjithë e dinë se përfaqëson Aleksandrin e Madh, është ri-etiketuar si një “luftëtari mbi kalë”. Shpërblimi ishte anëtarësimi në NATO. Por Bullgaria po ndjek shembullin e Greqisë, duke kërcënuar ta mbajë Maqedoninë jashtë BE-së, nëse nuk bën lëshime të mëtejshme dhe nuk rishkruan historinë e pushtimit të saj nga fashistët bullgarë, aleatë të nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Shumica e vendasve, ankohen se ky truk diplomatik i ka detyruar ata të blejnë pasaporta të riemëruara rishtazi nëse duan të udhëtojnë jashtë vendit, duke krijuar një kosto financiare, shtesë pa ndonjë përfitim të dukshëm. “Këtu nuk ka ndonjë ndjenjë të fortë anti-evropiane. Por njerëzit ndihen të poshtëruar. E ndryshuam emrin tonë në këmbim të asgjësë! Socialdemokratët mburren se bënë sakrifica, se u futëm në NATO. Por kjo është patetike”- thotë Dragana.
Përveç provokimit të grekëve, arkitektura dhe infrastruktura, janë arenë e rivalitetit të brendshëm ndëretnik. Shqiptarët kanë protestuar dhunshëm kundër ngritjes së një kryqi të madh në shpatin e kodrës me pamje nga Shkupi, dhe kanë prezantuar me sukses ndërtimin e një muzeu në formën e një kishe ortodokse me pamje nga rrethet e tyre të Shkupit.
“Nuk e di nëse historia që promovon qeveria është e vërtetë”- thotë Arjani, një aktivist i opozitës shqiptare. Por shumë shqiptarë ndihen të izoluar nga përfaqësuesit e tyre. Në një fshat me shumicë shqiptare pranë kufirit me Kosovën, ende i mbushur me vrima plumbash nga konflikti i shkurtër ndëretnik i vitit 2001, jam i ftuar për kafe nga një familje e madhe. “Po, ne kemi luftuar këtu gjatë luftës. Shtëpitë tona u dogjën deri në themel. Por çfarë përfitimi patëm nga kjo?”- pyet ai. Këtu si kudo në këtë vend, shqiptarët dhe maqedonasit bashkëjetojnë në përgjithësi pa dhunë. Megjithëse shqiptarët priren drejt pranimit dhe mbrojtjes evropiane nën krahun e NATO-s, ndërsa shumica maqedonase mbetet skeptike, ndërsa ankesat mbi kushtet ekonomike ndihen nga të gjithë.
“VMRO ishte e sigurt se do të fitonte, sepse qeveria socialdemokrate ishte po aq e korruptuar sa ata. Politikanët vijnë këtu një javë para zgjedhjeve, duke bërë premtime për të fituar vota, duke thënë se do të rregullojnë rrugët. Por në realitet nuk bëjnë asgjë”- thotë Ertani, një shqiptar i zonës.
Ai këmbëngul: “Evropa nis nga këtu. Ky fshat, është vija e parë midis demokracisë dhe Putinit. Ndaj e ardhmja e tij, është e rëndësishme për të gjithë”. Në fakt, rajoni i Ballkanit Perëndimor është një fushëbeteje vendimtare për investimet ruse kineze dhe amerikane si dhe ndërtimin e bazave të NATO-s.
Burimi: “Unherd”