Në aksionin kombëtar të Policisë me kërkesë të SPAK, masë arresti është lëshuar edhe për Fatmir Hysenin alias “Doçja”. Ky shtetas është në kërkim për dy atentate, përkatësisht ndaj Inez Hajrulla dhe ish-policit Santiago Malkos.
Në gusht të 2019, në zonën e “Xhamllikut”, u ekzekutua në makinën e tij tip “BMW X5”, Santiago Malko, ish-polic. Ai ishte pjesë e bandës së Ervis Martinajt, i njohur ndryshe si “mbreti i lojërave” të fatit.
Sakaq, Inez Hajrulla ka qenë objektiv i dy atentateve në qytetin e Vlorës. Në vitin 2017, Hajrulla ishte pre e një atentati me tritol ku mori dëmtime të rënda në të dyja këmbët.
Më pas atij iu bë atentat me 10 maj të vitit 2019 në lagjen “Uji i Ftohtë” në Vlorë, ku Hajrulla u qëllua me armë zjarri nga një automjet në lëvizje, teksa ishte ulur në një lokal.
Hajrulla i shpëtoi atentatit, por u plagos rastësisht Dajko Cenodemaj, i cili po pinte kafe në Lungomare me disa miq. Autorët pasi u larguan dogjën automjetin në Babicë të Vogël.
Gazetari i ABC News, Elton Nika, thotë se kërkimet dhe kontrolle në qytetin bregdetar të Vlorës ka patur në dy banesa.
“Një emër është Fatmir Hyseni, i dyshuar për dy ngjarje, një në Tiranë dhe një në qytetin e Vlorës. Aksioni është duke vijuar dhe në qytetin e Vlorë dhe në vijim pritet të kemi dhe informacione më të detajuara. Kanë qenë dy banesa që janë kontrolluar nga RENEA, FNSH, dhe Polica për të gjetur personale që janë shpallur në kërkim apo dhe lokalizuar personat me precedentë penalë”, tha gazetari.