“Është dashur të insistojmë më shumë në zbatimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në vend se të lehtësonim afrimin e të dyja palëve sepse në disa raste ne kemi vërejtur se ka pasur vullnet në të dyja palët”, tha Escobar në një intervistë për Qendrën e Evropës në Këshillin e Atlantikut.
I pyetur nëse prioritizimi i Asociacionit ka qenë strategjia më efektive, Escobar tha se kjo çështja e zbatimit të Asociacionit është më e vështira.
“Prandaj, ishte e rëndësishme që Kosova të sinjalizonte vullnetin e saj për të adresuar çështjen e minoriteteve, minoritetit serb brenda kufijve të saj. Kjo është e rëndësishme”, tha ai.
Escobar tha se zbatimi i Asociacionit është kyç në rrugën e Kosovës drejt BE-së dhe për sigurimin e njohjeve të reja.
“Nga perspektiva amerikane, për shkak se rruga evropiane ka përfshirë pjesë të këtij Asociacioni në çdo hap, ne besojmë se duke pranuar propozimin evropian, përmes procesit evropian që është dialogu, dhe marrëveshja që është e garantuar nga BE-ja, do t’i jepte palës amerikane një mundësi për të lobuar te shtetet evropiane, për të thënë se Kosova ka bërë gjithçka që ka kërkuar Evropa, prandaj ka arsye për njohje të reja. Pa këtë, le të themi, ne nuk kemi pasur material për ta bërë një gjë të tillë”, tha ai./RadioEvropaeLirë