MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Si të kujdesem për lëkurën rreth syve?

17.05.2024 - 12:05

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Si të kujdesem për lëkurën rreth syve?

Mjeku:Lëkura rreth syve tanë është shumë e hollë, delikate dhe ka më pak gjëndra vaji në krahasim me pjesën tjetër të fytyrës. Me rritjen, lëkura humbet kolagjenin dhe si pasojë kjo çon që lëkura nën sy të bëhet me rrudha dhe të thahet.

Ka shumë faktorë që mund të çojnë në krijimin e rrudhave rreth syve apo në krijimin e rrathëve të zinj, si ekspozimi ndaj rrezeve të diellit ose rrezeve blu.

Mënyra më e mirë për t’u kujdesur nën rrathët e syve është ndjekja e një rutine të caktuar.

Çfarë duhet të bëni?

Aplikoni një krem të mirë për mbrojtjen nga dielli çdo mëngjes për të parandaluar plakjen e lëkurës.

Mbajeni zonën nën sy të hidratuar.

Për të parandaluar krijimin e rrathëve të zinj nën sy është thelbësore që të masazhoni lehtë me gishta zonën rreth syve. Këshillohet dy herë në ditë.

Patatja është një ilaç i shkëlqyeshëm për të kuruar sytë e fryrë. Ajo ndihmon për të ulur inflamacionin. Pritini patatet në feta dhe mbajini në frigorifer. Vendosini çdo ditë mbi qepallat për 10 minuta dhe më pas shpëlajeni me ujë. Aplikoni një krem ​​të mirë nën sy më pas.

Kastraveci, megjithëse nuk është aq i efektshëm sa patatja, gjithashtu ka veti mjaft pozitive për lëkurën. Kastravecin e prerë në feta të trasha aplikojeni sipër syve për 10 minuta.

Çaji i kamomilit ka veti natyrale antioksiduese dhe anti-inflamatore që ndihmojnë në zbutjen e kapilarëve të tendosur në zonën nën sy.

Domatet janë një burim i mirë i likopenit dhe ndihmojnë që lëkura të jetë e butë. Ndihmojnë gjithashtu në largimin e rrathëve të zinj poshtë syve.

Këto rutina të thjeshta natyrore mund t’ju ndihmojnë të hiqni qafe lehtësisht rrathët rreth syve. Është gjithashtu e rëndësishme që të flini në orarin e duhur, mos harxhoni shumë kohë para ekranit të telefonit ose kompjuterit.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.