MENU
klinika

Oferta monetare në rënie

Më pak para në ekonomi

03.01.2019 - 13:47

Oferta e parasë në ekonomi ka shënuar ecuri të dobët gjatë vitit 2018. Norma mesatare vjetore e treguesit të parasë së gjerë (agregati monetar M3), shfaqet përgjithësisht në territor negativ, duke shënuar një normë vjetore prej -0.5% në muajin nëntor, të ngjashëm me mesataren e periudhës janar-tetor.

Ecuria e këtij treguesi reflekton nga njëra anë efektin statistikor të mbiçmimit të monedhës vendase ndaj euros, dhe nga ana tjetër ndryshimet strukturore të mbajtjes së parasë, ku zhvendosja e depozitave në maturitete mbi dy vjet ka qenë e pranishme gjatë gjithë vitit.

Rregulluar për këta dy faktorë, treguesi i parasë së gjerë tregon për një rritje mesatare rreth normës 2%. Nga ana tjetër, krijimi i ulët i parasë në ekonomi, reflekton financimin ende të dobët të sektorit privat me mjete monetare nga sektori bankar.

Edhe treguesi i parasë në lekë, (agregati M2), ka regjistruar ndryshim vjetor rënës gjatë vitit të kaluar. Në muajin nëntor, ky tregues shënoi normë rënëse me 0.4% vit mbi vit, e njëjtë me mesataren e periudhës janar-tetor.

Agregati likuid, M1, është zgjeruar mesatarisht me rreth 5.3% në terma vjetorë (5% në muajin nëntor), duke pasqyruar preferencën e agjentëve ekonomikë për mjete monetare likuide.

Raporti i parasë jashtë bankave ndaj agregatit M2 shënon 37.2% në fund të muajit nëntor, rreth 1.3 pikë përqindje më lart se në fund të vitit të kaluar.