MENU
klinika

"Peizazhe që të lënë pa frymë"

Media italiane jehonë plazheve shqiptare

18.05.2024 - 10:33

Rërë e butë, ujë i kristaltë, peizazhe që të lënë pa frymë, zbuloni plazhet mahnitëse të Shqipërisë, sipas një artikulli të botuar në të përditshmen italiane “Skyscanner”.

Plazhet më të bukura në Shqipëri

Shqipëria me ujërat e saj të pastër, rërën e butë dhe peizazhet e bukura, ju garanton pushime fantastike.

Plazhi i Sarandës

Largësia nga aeroporti i Tiranës: 275 kilometra

Ky është i vetmi plazh falas në Sarandë. Plazhi është kryesisht me guralecë dhe ka disa kalata të vogla nga të cilat mund të zhyteni në ujë.

Plazhi i Ksamilit

Më i bukuri

Largësia nga aeroporti i Korfuzit: 14 kilometra

I konsideruar si një nga plazhet më të bukura në Shqipëri, plazhi i Ksamilit krenohet me atmosferën e tij relaksuese.

Sportet ujore janë gjithashtu në dispozicion, duke përfshirë zhytjet, ski në ujë dhe ski jet.

Ju mund të notoni në një nga katër ishujt e pabanuar që shtrihen përballë plazhit.

Me rërën e bardhë, ujërat bruz dhe pamjen nga bregu i Jonit dhe malet përreth, Ksamili ofron peizazhe piktoreske për të kaluar një ditë në bregdet.

Plazhi i Spilllesë

Perëndime sublime

Largësia nga aeroporti i Tiranës: 220 kilometra

Plazhi i Spillesë njihet për atmosferën e tij të qetë dhe perëndimin e bukur të diellit.

Ky plazh me rërë ndodhet në një gji, kështu që uji është i qetë dhe relativisht i cekët.

Merrni me qira një kajak, bëni not dhe shijoni ushqimin në një nga restorantet e shumta që ndodhen pranë plazhit.

Plazhi i Velipojës

I gjerë dhe i gjatë

Largësia nga aeroporti i Tiranës: 80 kilometra

Plazhi më verior i Shqipërisë, i vendosur pranë kufirit me Malin e Zi, është i gjerë dhe gati 5 kilometra i gjatë dhe ofron shumë hapësirë.

I pajisur me rërë të butë dhe një hyrje graduale në det, Plazhi i Velipojës është ideal nëse udhëtoni me fëmijë.

Plazhi i Shëngjinit

I qetë dhe piktoresk

Largësia nga aeroporti i Tiranës: 90 kilometra

Duke ofruar një ndërthurje relaksi dhe argëtimi, Plazhi i Shëngjinit është një vendpushim piktoresk i përshtatur me një lagunë të qetë blu.

I rrethuar nga pisha dhe kodra, të jep ndjesinë e rikthimit në natyrë.

Gjithashtu, ju mund shijoni një pije pas një dite të gjatë në diell, në baret e gjalla aty pranë, të hapura gjatë verës.

Plazhi i Gjipesë

Parajsë e izoluar

Largësia nga aeroporti i Tiranës: 230 kilometra

I vendosur në Rivierën Shqiptare, Plazhi i Gjipesë është një parajsë e izoluar që mund të arrihet vetëm në këmbë ose me varkë, pasi është i vendosur mes dy shkëmbinjve.

Rruga që të çon në plazh është e pjerrët: kini kujdes nëse jeni duke udhëtuar me fëmijë ose nëse keni shumë gjëra me vete.

Merrni me qira një kajak dhe eksploroni shpellat në shkëmbinj.

Plazhi i Dhërmiut

Bukuri e egër

Largësia nga aeroporti i Tiranës: 56 kilometra

Një plazh i gjatë dhe i gjerë, 2 kilometra larg nga qyteti i Dhërmiut, ofron gjithçka që ju nevojitet për një ditë relaksi.

Merrni me qira një krevat dhe një çadër dhe shijoni diellin ndërsa hani dhe pini në një nga baret ose restorantet e plazhit.

Uji i pastër dhe shpatet e thyera të malit që rrethojnë plazhin e bëjnë atë një vendpushim vërtet piktoresk.

Plazhi i Borshit

I qetë dhe natyralisht i bukur

Largësia nga aeroporti i Tiranës: 260 kilometra

Plazhi i Borshit, 7 kilometra i gjatë, është plazhi më i madh në jug të Shqipërisë.

Falë vendndodhjes së tij, ai frekuentohet nga më pak turistë dhe është më i qetë se plazhet e tjera.

Plazhi i Borshit është vendi i përsosur për t’u çlodhur pas një ditë të gjatë eksplorimi.

I pozicionuar mes gjelbërimit dhe qetësisë, ai ofron pamje nga plazhi dhe malet e mrekullueshme dhe është natyralisht i bukur dhe padyshim ia vlen të vizitohet. ATSH