MENU
klinika

"Shtysë për ekonominë dhe tregun e shitblerjeve"

Rivlerësimi i pronave/ Ekspertët: E domosdoshme

18.05.2024 - 12:28

Qytetarët dhe bizneset do të kenë mundësi që të rivlerësojnë pasuritë e paluajtshme duke paguar më pak taksë. Drafti i projektligjit është dorëzuar në Kuvend dhe parashikon që në rastet e shitjes së pasurive të paguhet 3 për qind nga 15 për qind që është aktualisht vlera e tatimit.

Për këtë çështje po diskutohet mbrëmjen e së premtes në emisionin “Sheshi i Dollarit” me gazetaren Genta Dobra. Ervin Demirxhiu, vlerësues i pasurive të paluajtshme dhe Teuta Nunaj, eksperte për ekonominë e vlerësuan këtë projektligj si pozitiv dhe shumë të domosdoshëm.

Sipas Demirxhiut, kjo nismë do t’i japë një shtysë ekonomisë dhe tregut të shitblerjeve.

“Nuk ishte aq e pritshme sepse nuk ka kaluar shumë kohë nga fushata e fundit e rivlerësimit. Po ishte e domosdoshme sepse ndryshuan çmimet e referencës. Ndërkohë që çmimet e referencës në disa zona janë dyfishuar që domethënë se ato vlerësime para tre viteve me çmime reference, kanë dalë jashtë loje prandaj ishte e domosdoshme. Është një nismë për t’u përgëzuar dhe do t’i japë shtysë si ekonomisë, tregut të shitblerjeve dhe pronave. Më pëlqen projektligji sepse ka marrë në konsideratë pronat në proces legalizimi, si pallatet në ndërtim, ato të braktisura nga ndërtuesit sepse një ditë do të hipotekohen dhe do të ishin me çmim qesharak. Ky 3 për qind i sjell me vlerën e tregut dhe është pozitive.“, tha Demirxhiu.

Sipas ekspertes Nunaj, çmimet e pronave do të bëhen më reale.

“E kam gjykuar të domosdoshme për një arsye të thjeshtë. Për sa kohë tregu imobiliar ka ndryshuar çmimin final me ritme të shpejta dhe baza ligjore duhet t’i azhornohet këtij ndryshimi tregu. Në këtë këndvështrim, shoh që ky zhvillim që po merr tregu ka nevojë të ecë paralel me zhvillimin juridik të të gjithë procesit të transaksioneve. Kur kemi ndryshime të mëdha, edhe baza ligjore duhet t’i përshtatet. Duke i përfshirë të gjithë kategoritë e ndërtimit, që janë në proces legalizimi apo të paformalizuara, e gjithë kjo gjithëpërfshirje është diçka pozitive sepse mundëson regjistrimin e gjithçkaje që është pronë fizike. Nismë pozitive.“, tha Nunaj./abcnews.al