Ditën e nesërme në orën 12:00 starton turi i 81-të i çiklistëve në Shqipëri, i cili do të zhvillohet në 4 faza. Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për shmangien e rrugëve ku zhvillohen garat çiklistike.
“Policia e Shtetit, në kuadër të masave për sigurimin dhe mbarëvajtjen e turit të 81-të çiklistik të Shqipërisë, i cili zhvillohet në 4 etapa, me itinerar të përgjithshëm 723 km rrugë për kalim publik, kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve për shmangien e rrugëve ku zhvillohen garat çiklistike. Duke qenë se aktiviteti çiklistik zhvillohet në disa nga akset kryesore kombëtare me frekuentim të lartë, për rrjedhojë edhe masat e sigurisë nga organizatorët dhe nga Policia e Shtetit do të jenë të larta, në raport me nevojën per garantimin e sigurisë së pjesëmarrësve ne këto gara.
Aktviteti çiklistik starton me etapën e parë, në orën 12.00 të datës 20.05.2024, nga sheshi “Skenderbej”, Tiranë dhe përfundon në Korçë. Etapa e dytë starton në orën 12.00 të datës 21.05.2024, nga Korça dhe përfundon në Elbasan. Etapa e tretë starton në orën 12.00 të datës 22.05.2024, nga Elbasan-Kuçovë-Ura vajgurore-Lushnjë dhe përfundon në Vlorë. Etapa e katërt starton në orën 12.00 të datës 23.05.2024, nga Vlora-Lumi i Vlorës-Himarë dhe përfundon në Llogara. Etapa e pestë dhe e fundit starton në orën 10.00 të datës 24.05.2024, nga Vlora dhe përfundon në Fier. Me qëllim shmangien e vonesave që krijohen në trafik, për shkak të masave të sigurisë, Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e të gjithë përdoruesve të rrugës, që në itineraret dhe oraret e garave, të evitohet në maksimum qarkullimi me mjete, si dhe të përdoren rrugë alternative”, thuhet në njoftimin zyrtar të bluve.