MENU
klinika

Ministrja Koçiu jep lajmin për mjekët dhe infermierët

“Rihapen aplikimet për kredi të lehtësuara…”

19.05.2024 - 14:11

Shumë shpejt do të rihapen aplikimet për kredi për shtëpi me zero interes për mjekët dhe infermierët. Lajmin e bën të ditur Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndërsa ka zhvilluar një takim në ambientet e MSHMS-së me mjekë specializantë.

“Kënaqësi të zhvilloja një bashkëbisedim me Almën, Lorenën, Glenin, Aidën, Faridën dhe të tjerë mjekë specializantë, të cilët i falënderova për punën dhe shërbimin në specialitete të ndryshme të ofruara për qytetarët përgjatë këtyre tre viteve, pranë spitaleve rajonale dhe bashkiake në të gjithë vendin, duke përmbushur me sukses kështu edhe detyrimin kontraktual me MSHMS. Bashkë me këta mjekë të rinj ndava lajmin e mirë se MSHMS do të rihapë shumë shpejt aplikimet për kredi të lehtësuara për mjekë dhe infermierë, pas 85 përfituesve në muajin dhjetor të vitit të kaluar”, deklaroi Koçiu përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Koçiu theksoi se Ministria e Shëndetësisë në fokus ka mbështetjen e të rinjve, të cilët siç asjo thekson vazhdojnë të japin kontributin e tyre për vendin dhe në sistemin shëndetësor publik.

“Ministria e Shëndetësisë me politikat e saj ka në fokus mbështetjen e të rinjve, të cilët vazhdojnë të japin kontributin e tyre për vendin dhe në sistemin shëndetësor publik i cili është bërë konkurrues me atë jo publik, në sajë të investimeve në infrastrukturë dhe pajisje mjekësore të realizuara vitet e fundit”, ka theksuar ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.