Janë publikuar pamjet e presidentit të Iranit, përpara se helikopteri me të cilin udhëtonte të zhdukej.
Ai shihet i qetë, teksa është me ekipin e tij shoqërues, pjesë e së cilës ishte edhe ministri i Jashtëm.
Ende nuk ka asnjë gjurmë nga presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi, i cili është zhdukur së bashku me helikopterin e tij, për shkak të motit të keq.
Ekipet e kërkim-shpëtimit po vijojnë punën për të gjetur liderin e tyre, ndërsa së bashku me të ka qenë edhe ministri i Jashtëm.
Zyrtarët njoftuan se shiu i dendur dhe mjegulla e kanë vështirësuar punën. Dy prej helikopterëve të tjerë që shoqëronin 63-vjeçarin janë ulur në mënyrë të sigurt në destianacion.
Mediat shtetërore, të cilat e konsiderojnë një aksident, raportojnë ndër të tjera se helikopteri është dashur të bëjë një “ulje të vështirë” për shkak të motit.
Raisi po shkonte për në qytetin e Tabrizit, në veriperëndim të Iranit, pasi u kthye nga kufiri me Azerbajxhanin, ku inauguroi një digë së bashku me homologun e tij.
Ahmad Alirezabeigi, një deputet iranian për qytetin e Tabrizit, deklaroi se punonjësit e shpëtimit emergjent nuk e kanë gjetur ende vendndodhjen e helikopterit që mbante presidentin.