Ministria e Mbrojtjes ka nxjerr për konsultim publik një projektligj që u hap rrugë prodhimit të armëve, një nismë që është përmendur që më parë dhe me sa duket tashmë po shihet seriozisht edhe në planin praktik.
Projektligji “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, ka për qëllim të shërbejë si akt themelimi për shoqërinë “KAYO sh.a”, që do shërbej për prodhimin e armëve.
Përmes kësaj nisme ligjore bëhet e mundur krijimi i një strukture të re në formën e një shoqërie tregtare më të gjitha kapacitetet e nevojshme për të ndërvepruar në tregun e sotshëm kombëtar dhe ndërkombëtar. Në realicionin shpjegues që shoqëron projektligjin thuhet se vetëm përmes një shoqërie të tillë mund të aktivizohen dhe funksionojnë mekanizmat e nevojshëm për rivitalizimin e kapaciteteve të trashëguara të industrisë ushtarake, në kuadrin e dinamikave aktuale në ambientin ndërkombëtar strategjik të sigurisë, vendimet dhe standardet e NATO-s.
Rivitalizimi i prodhimit të armëve, paralelisht do të kontribuojë në rritjen dhe zhvillimin ekonomik, duke e bërë industrinë e mbrojtjes një motor mbështetës për përparimin.
Objekt veprimtarie do të jetë projektimi, prodhimi, riparimi, demilitarizimi dhe tregtimi, brenda dhe jashtë vendit, të të gjitha llojeve të armëve ose pjesëve të armëve, përfshirë edhe ato ushtarake, municionet, teknologjitë dhe pajisjeve ushtarake. Procesi ka për qëllim të nxisë inovacionin dhe zhvillimin teknologjik në fushën e industrisë së mbrojtjes, nëpërmjet një bashkëpunimi të ngushtë edhe me sektorin privat.
Ky është vetëm hapi i parë drejt rivitalizimit të industrisë ushtarake dhe përmes saj vendi ynë synon të forcojë pozicionin e saj strategjik në rajon, duke u bërë një aktor më i rëndësishëm në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, e përqasur me objektivat e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Efektet fillestare të këtij projektligji në momentin e krijimit të kësaj shoqërie janë në vlerën 300 milionë lekë dhe do të përballohen nga fondi rezervë.
Në vendin tonë, pas 1970-ës u ndërtuan 3 ndërmarrje të prodhimit të armëve, Mjekës të Elbasanit, Gramsh dhe Poliçan, por pas ndërrimit të sistemeve 3 treja u mbyllën. Rreth në muaj më parë, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, tha se Shqipëria është nga vendet e pakta në rajon që e ka të fjetur industrinë ushtarake dhe se ka nevojë për investime dhe investitorë për ta riaktivizuar dhe zhvilluar industrinë. Gjatë muajit shkurt kur Tiranën e vizitoi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kërkoi që Ballkani të prodhojë armë dhe në veçanti edhe Shqipëria për të përballuar agresionin rus.
Projektligji “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”