Eksperti i ekonomisë, Fatos Çoçoli, i bën thirrje ISSH për ngritjen e një grupi të posaçëm për identifikimin e personave të cilët hasin problemin e gjetjes së kontributeve të viteve të punës gjatë kohës së kooperativave bujqësore. Çoçoli rekomandon se dokumente aktivore mund të gjenden pranë ish-Komiteteve Ekzekutive të rretheve përkatëse pasi aty bëhej dhe regjistrimi i dyfishtë i fuqisë punëtore. Nga ana tjetër, profesori bën thirrje qeverisë për ngritjen e një fondi sado modest që qytetarët të përballojnë financiarisht seancat gjyqësore për njohjen e atyre viteve të punës. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, Çoçoli jep detaje dhe për lajmin e mirë për pensionistët me kontribute të dyfishta, brenda dhe jashtë vendit. Ai deklaron se qeveria po punon për bashkimin e pensioneve pas nënshkrimit të marrëveshjes dhe ratifikimit në Parlament, ku punë ditësh apo javësh pas ratifikimit edhe nga Senati Italian.
-Zoti Çoçoli, para pak ditsh ISSH nxori si problematik punonjësit e ish kooperativave bujqësore dhe ish-fermave në pjesën dërrmuese të rasteve nuk po munden të gjejnë vitet e punës, për shkak të zhdukjes së dokumenteve. Gjithashtu si ngërç është edhe shënimi i emrave me shkurtime. Si e shikoni këtë situatë?
Duhet të ngrihet një grup i posaçëm, ISSH ka specialistë të zotë në mënyrë që të realizohet një identifikim me aq sa është e mundur të realizohet pasi është mëse e vërtetë që kanë humbur aq shumë të dhëna të regjistrimit të viteve të punës në ish-kooperativat e vendit. Është shumë e vështirë pasi ndoshta mund të gjenden praktika ose dokumente arkivore jo të drejtpërdrejta të përmbajtura pranë ish-Komiteteve Ekzekutive të rretheve përkatëse që si të thuash bënin një regjistrim të dyfishtë të fuqisë punëtore në kooperativat tona bujqësore në mënyrë që të dalë një regjistër, të plotësohet. Kuptohet, do të jetë ende shumë i mangët por duhet realisht të punohet në këtë drejtim. Jam i bindur që ende ka specialistë të zotë, por edhe me një njohje të periudhës së para demokracisë kur kanë funksionuar strukturat e ekonomisë së centralizuar.
-A ka ndonjë skemë që pensionistët të mos u drejtohen gjykatave për të gjetur zgjidhje?
Kam frikë se përveç kalvarit të humbjes së kohës se ne e dimë që sistemi gjyqësor për momentin, sidomos dhe pas rezultateve të vettingut është shumë vështirë që t’i jap në kohë reale zgjidhje të kërkesave të qytetarëve. Por kur nuk ke një bazë të dhënash ku dhe vetë gjykatësi të mund të gjykojë, është shumë e vështirë që të arrihet në një vendim të Gjykatës në dobi të gjithë atyre qytetarëve të cilët shikojnë me të drejtë që kanë realizuar vite pune e këto të fundit kur sheh se në arkiva nuk ekzistojnë më pasi janë zhdukur ose kanë humbur. E si të tillë, nuk ka edhe mundësi të vërtetojë me përjashtim të vërtetimit të faktit, të sjelli para gjykatës dëshmitarë, pavarësisht se edhe kjo për shkak të kalimit të shumë viteve, por bëhet fjalë për një periudhë pune me një diferencë prej 4 dekadash e si e tillë është shumë e vështirë. Është gati mision i pamundur për gjykatësit që të kenë informacion mjaftueshëm për të dhënë një vendim. Është një rrugë por shumë shumë e vështirë për kohën që do të kërkojë, e sot hapja e gjyqeve kushton financiarisht. Në gjykimin tim, që të jetë një mënyrë të paktën përmes vërtetimeve faktike përmes deklaratave të dëshmitarëve, shok e miq, kuptohet jo me konflikt interesi të atyre që kërkojnë marrjen e pensionit në ato vite që kanë punuar, duke kërkuar të drejtën e ligjshme në vite për 2-3 dekada në kooperativat bujqësore, periudhë kur ato kanë ekzistuar së funksionari. Mirë do të ishte që qeveria të nxirrte një fond sado modest për përballimin e shpenzimeve gjyqësore sepse në rast se nuk do të jetë e mundur nga një grup i posaçëm që mund të ngrihet me disa specialist të veçantë që ende i ka në gjirin e vetë ose kanë dalë në pension dhe mund t’i riaktivizojë ISSH-ja, të mund të bëhet një rikuperim sado i vogël i të dhënave të humbura. Për mendimin tim, përmes arkiva të ish-Komuniteteve Ekzekutive të rretheve mund të rikuperohet diçka. Ndërsa, rrugën gjyqësore e shikoj vetëm në rast se qeveria do ta mendoj pasi është një e drejtë e ligjshme e këtyre dhjetëra mijëra vetëve në mos edhe më shumë, kur iu bëhen gati letrat e dokumentet e pensionit nuk iu figuron koha e punës në këto kooperativa. Ndaj qeveria duhet të nxjerr një fond sado modest por mund të vlejë në momentin e vërtetimit të faktit që nga viti 1970-1980, kur ka qenë në funksion këto kooperativa. Nëpërmjet vërtetimit të faktit me dëshmi të faktohet para trupës gjykuese të ISSH-së se kanë punuar në x kooperativë bujqësore.
-Ndërkohë qeveria ka menduar një skemë të re për pensionistët brenda dhe jashtë Shqipërisë, si dhe ato urban e rural. Mësohet se prioritet në rritjen e pensionit do të ketë pensionistët që jetojnë në vendin tonë krahas pensionistëve që janë rezident jashtë Shqipërisë me një diferencim indeksimi të parvjetshëm që bën qeveria. Si e shikoni këtë iniciativë të qeverisë?
Është në atë vazhdën e asaj që pak a shumë thamë edhe për zgjidhjen e një problemi shumë të mprehtë të viteve të pa dokumentuara për mungesë dokumentacioni të arkivave të duhura, të punës në kooperativat bujqësore. Është detyra e qeverisë që po e zbaton për të mbuluar me kontribute të pensionit për sa kohë këto qytetarë kanë punuar për 10-15 vite në vendin tonë dhe më pas janë larguar me statusin e emigrantit që punojnë në Greqi apo Itali a vende të tjera. Ndaj, është mëse normale që të bëhen bashkimet e pensioneve. Di që kjo gjë është realisht duke u parë konkretisht nga ana e qeverisë pas nënshkrimit të marrëveshjes dhe ratifikimit në Parlament, gjë që besoj është çështje ditësh a javësh që të ratifikohet edhe nga Senati Italian.