Ish-kryeministri britanik, David Cameron, aktualisht Sekretar Shteti për Çështjet e Jashtme në qeverinë e kryeministrit Rishi Sunak do të vizitojë sot Tiranën.
Cameron do të pritet rreth orës 11:00 të paradites nga ministri i Punëve të Jashtme Igli Hasani në aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Rreth orës 12:00 është parashikuar pritja dhe takimi me kreun e qeverisë shqiptare, Edi Rama në Kryeministri, ku më pas do të zhvillojnë së bashku edhe një konferencë për mediat.
Në këtë vizitë 1- ditore, sekretari britanik do të takojë edhe kreun e shtetit Bajram Begajn, në orën 14:30.
Sipas ambasadës britanike në Tiranë, kryediplomati Cameron do të shpallë një program të ri për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri. Ai ka në plan për të deklaruar edhe një goditje të re ndaj bandave të organizuara kriminale, që qëndrojnë pas rrjeteve të kontrabandës me shqiptarët, që ende vijojnë të synojnë kalimin ilegal drejt Britanisë së Madhe, thuhet ndër të tjera në njoftimin e ambasadës.
Kjo vizitë vjen pak ditë pas një telefonate që Kryeministri Edi Rama zhvilloi me homologun britanik Sunak. Në njoftimin zyrtar të qeverisë britanike thuhej se dy kryeministrat diskutuan mbi marrëdhëniet e ngushta mes dy qeverive, duke vënë në dukje bashkëpunimin e rëndësishëm dypalësh, përfshirë tregtinë dhe investimet. Sa u takon emigrantëve, të dyja palët nënshkruan në muajin dhjetor 2022 marrëveshjen për të përshpejtuar riatdhesimin e shtetasve shqiptarë që ndodhen ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar. Ambasada njofton se Cameron do të prezantojë një plan që lidhet me gjyqësorin, për të trajtuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri.
“Si pjesë e lidershipit në rritje të Mbretërisë së Bashkuar për të gjetur zgjidhje për sfidën pan-evropiane, Sekretari i Jashtëm britanik do të udhëtojë në Shqipëri këtë javë për t’u takuar me Presidentin, Kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm shqiptar për të diskutuar mbi bashkëpunimin Shqipëri-Britani e Madhe, për kontrollin e emigracionit të paligjshëm në vijën e parë të frontit. Sekretari i Jashtëm britanik do të nënvizojë suksesin e partneritetit tonë inovativ për t’i bërë ballë trafikantëve të qenieve njerëzore dhe emigracionit të paligjshëm si dhe ndikimin e investimeve britanike në parandalimin e emigracionit. Sekretari i Jashtëm do të mbështetet në lidershipin e Mbretërisë së Bashkuar në trajtimin e krimit të organizuar duke njoftuar një program të ri që lidhet me gjyqësorin, për të trajtuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri, si dhe ofrimin e ekspertizës së Mbretërisë së Bashkuar për Policinë Shqiptare, për axhendën e tyre të reformës”, – njofton ambasada britanike.
Një temë kryesore e diskutimit do të jenë përpjekjet e vazhdueshme për të frenuar imigracionin e paligjshëm. Gati dy vjet më parë, Shqipëria dhe Britania e Madhe arritën një marrëveshje për kthimin e menjëhershëm të emigrantëve të paligjshëm shqiptarë nga Britania e Madhe. Kjo vizitë nënvizon angazhimin e vazhdueshëm ndaj kësaj marrëveshjeje dhe përpjekjen më të gjerë për të menaxhuar dhe reduktuar imigracionin e paligjshëm. Cameron pritet të shpallë një program të ri që synon të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar brenda sistemit gjyqësor të Shqipërisë. Nga kjo nismë do të përfitojnë të dy vendet duke rritur integritetin gjyqësor dhe duke reduktuar aktivitetet kriminale që kanë pasoja ndërkombëtare.
Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të mbështesë forcat policore shqiptare, duke ndihmuar në zbatimin e reformave thelbësore për zhvillimin e Shqipërisë. Kjo mbështetje është pjesë e strategjisë më të gjerë të Mbretërisë së Bashkuar për të ndihmuar Shqipërinë në forcimin e aftësive të saj për zbatimin e ligjit dhe sigurimin e qeverisjes efektive. Vizita vjen pas një bisede telefonike mes kryeministrit Rama dhe kryeministrit të Britanisë së Madhe Rishi Sunak, gjatë së cilës u diskutua për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe.
Ky dialog i vazhdueshëm thekson rëndësinë që të dyja vendet u kushtojnë marrëdhënieve të tyre dypalëshe dhe angazhimit të tyre për të adresuar sfidat e përbashkëta. Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar gjithashtu një plan ndërkombëtar për të luftuar imigracionin e paligjshëm, me 19 vende që marrin pjesë në këtë nismë. Përfshirja e Shqipërisë në këtë plan tregon rolin e saj aktiv në adresimin e çështjeve globale të emigracionit dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme. Vizita e Lord David Cameron në Tiranë më 22 maj shënon një hap të rëndësishëm në partneritetin e vazhdueshëm midis Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe. Takimet me liderët shqiptarë do të fokusohen në çështje kritike si emigracioni i paligjshëm, reforma gjyqësore dhe mbështetja e zbatimit të ligjit, duke përforcuar angazhimin e të dy vendeve për bashkëpunim dhe përfitim reciprok.
Teksa pritet që sot sekretari i Jashtëm i Britanisë, James Cameron të mbërrijë në Tiranë në një vizitë zyrtare, kanë nisur edhe përgatitjet për pritjen e tij. Në godinën e Universitetit Politeknik, në sheshin Nënë Tereza, është vendosur një portret i Cameron me mbishkrimin “Ëelcome Lord Cameron”. Po ashtu përgjatë bulevardit janë vendosur flamuj britanikë në shenjë mirëseardhje për sekretarin e Jashtëm.