Një linjë e re tragetesh i shtohet Portit Detar të Sarandës si një bashkëpunim mes Portit Detar Sarandë dhe Agjencisë Detare Euroferries Vlorë.
Drejtori i Portit Detar Sarandë, Alket Qendro bën të ditur për ATSH-në se “kompania Star Lines me tragetin Ionian Star mbërriti sot në orët e para të mëngjesit nga Brindisi në një udhëtim test dhe do të nisë udhëtimet çdo javë nga Brindisi për në Sarandë dhe anasjelltas nga data 26 Qershor deri në fund të sezonit turistik”.
“Me anë të kësaj linje, do të vijnë një numër i shtuar i turistëve italianë, që tani kanë mundësinë të udhëtojnë drejtpërdrejtë nga Italia në Sarandë”, theksoi Qendro.
Sipas Qendros, ky bashkëpunim do të sjellë një impakt pozitiv për turizmin në qytetin e Sarandës dhe më gjerë.
Ionian Star është një anije pasagjerësh me gjatësi 124 m, gjerësi 20 dhe tonazh 9149. Ka një kapacitet prej 1245 pasagjerësh, me 300 vende fjetje dhe 270 vende për automjete.
Ionian Star ofron një sërë lehtësirash si restoranti, bari dhe ambiente të tjera në shërbim të pasagjerëve.