Nëse kushtet do të ishin normale dhe jo kohë lufte, një mandat i ri pesëvjeçar për presidentin ukrainas do të fillonte më 21 maj. Duke pasur parasysh gjendjen e luftës dhe pamundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve, që ligjërisht, duhet të kishte qenë në mars 2024, presidenti aktual ukrainas deri në njoftimin e mëtejshëm mbetet Volodymyr Zelensky. Por a është ai ende kreu legjitim i shtetit apo, siç thonë në Moskë, “një president pa legjitimitet”. Siç e formuloi Instituti Social i Ligjit Zgjedhor për nevojat e Kremlinit, raporton “Vedomosti i Moskës”, Zelensky është “një person që vepron në emër të presidentit”. A ka pasur një krizë kushtetuese apo Rusia thjesht po e përdor këtë situatë për të komplikuar më tej skenën politike të Ukrainës, por edhe për të gjetur një justifikim që përmendet tashmë në Kremlin dhe mediat pro-regjimit, se “me kë mund të negocionim paqen” sepse Ukraina nuk ka president legjitim. Portali i pavarur rus Meduza beson se të gjitha diskutimet për “paligjshmërinë” e Zelenskyt janë vetëm një përpjekje e autoriteteve ruse për të destabilizuar më tej situatën në Ukrainë.
Propaganda ruse
“Është e vështirë të thuhet nëse Rusia mund të bëjë diçka në nivelin e politikës së brendshme të Ukrainës. Por propaganda ruse po përpiqet të shkaktojë një lloj pakënaqësie në Ukrainë përmes kanaleve TikTok dhe Telegram”, shkruan Meduza. Skifterët kryesorë të Kremlinit, Sergei Lavrov dhe luftënxitësi famëkeq Dmitry Medvedev, menjëherë dolën duke thënë se “Zelensky nuk ka më legjitimitet” dhe nuk dihet se kush e përfaqëson Ukrainën tani. Duhet pranuar se Vladimir Putin ishte disi më i rezervuar kur foli për këtë në Pekin në takimin me liderin kinez Xi Jinping. Mediat ruse pro Kremlinit tashmë po shkruajnë se “tani nuk kanë me kë të flasin”, dhe siç raporton Ria Novosti, legjitimiteti i një marrëveshje është i diskutueshëm nëse nënshkruhet nga një president jolegjitim. Megjithatë, Rusia e ka refuzuar vazhdimisht Zelenskyn si një “bashkëbisedues të barabartë”, duke hedhur poshtë legjitimitetin e tij më parë. Por në Kiev, ata “nxorën” nenin 108 të kushtetutës, sipas të cilit “presidenti kryen detyrat e tij derisa të zgjidhet një president i ri”.
Garancia nga Perëndimi
Megjithatë, shkencëtari politik rus Igor Shishkin nga Instituti për Shtetet Post-Sovjetike tha për Vedomosti se “pavarësisht nga humbja e legjitimitetit” Zelensky do të vazhdojë të pranohet dhe të perceptohet si presidenti ukrainas në botë dhe se nuk do të ketë ndryshime thelbësore. “Zelensky do të vazhdojë të jetë një kundërshtar dhe armik i Rusisë, ai do të vazhdojë të jetë një partner për Perëndimin, dhe dyshoj shumë se vendet e treta do të refuzonin ta njohin atë, nëse asgjë tjetër të paktën për shkak të marrëdhënieve ose presionit nga Perëndimi”, tha Shishkin. Në Ukrainë dhe në Perëndim, legjitimiteti i Zelensky nuk vihet në dyshim. Edhe pse “ylli” i Zelenskiy është errësuar deri diku dhe ai nuk është më një “i dashur i botës” siç ishte në fillim të luftës, të gjithë janë në fakt të vetëdijshëm se në në këto rrethana nuk ka zgjidhje tjetër veçse ai të vazhdojë të jetë në krye të shtetit, si përfaqësuesi legjitim i tij dhe për momentin nuk diskutohet për shkarkimin e tij.
“Vdekja” e negociatave
Sipas portalit të pavarur rus “Meduza”, në parlamentin ukrainas Verkhovna Rada “nuk ka grupe përfaqësuesish me ndikim dhe as potencial politik që do të donin seriozisht të sfidonin legjitimitetin e presidentit”, si në këtë moment, veçanërisht kur situata në fushën e betejës është shumë e tensionuar dhe rusët kanë arritur disa suksese ushtarake, njerëzit nuk mendojnë të shkojnë në protesta për shkak të zgjedhjeve. Dhe sondazhet treguan se vetëm rreth 15 për qind e ukrainasve mbështetën mbajtjen e zgjedhjeve pavarësisht nga situata e luftës.. Por Putin, raporton agjencia ruse e regjimit TASS, ka thënë tashmë se “takimi zviceran pa Rusinë është një letër e vdekur” dhe se Moska nuk do të pajtohet me “një ultimatum, sado masiv”. Gjithsesi, lufta vazhdon, Zelensky është ende lider i Ukrainës dhe bisedimet e paqes nuk janë ende në horizont.