Kosova duhet që të lëviz përpara me dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të një draft-statuti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Ka qenë kjo deklarata e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, gjatë një interviste për televizionin e Kosovës, RTK.
Ai shtoi, se është me rëndësi që Kosova të shfaqë përkushtimin për të drejtat e pakicave dhe të drejtave të njeriut.
“Një nga mënyrat më të dukshme për të bërë këtë e që e kemi rekomanduar të gjithë, është ndërmarrja e këtij hapi të rëndësishëm të dërgimit të këtij drafti të BE-së të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese. Na duket se kjo është një gjë e rëndësishme për Kosovën, pa iu referuar Këshillit të Evropës, sepse do të ndihmojë për të siguruar mbrojtje të duhur për komunitetin etnik serb në Kosovë, por gjithashtu zhbllokon dhe hap këtë rrugëtimin në të cilin duam ta shohim Kosovën”, tha Hovenier.
Ambasadori deklaroi se nga ana tjetër, edhe Serbia duhet që të përmbush të gjitha detyrimet e saj.
“Ne besojmë fuqishëm se të gjitha obligimet e Kosovës dhe Serbisë në dialog janë të detyrueshme dhe ky është një prej tyre. Dhe po, ashtu siç presim që Serbia të përmbushë të gjitha obligimet e saj në kuadër të dialogut, presim që edhe Kosova të përmbushë të gjitha obligimet e saj. Dhe sipas këndvështrimit tonë, për Kosovën kjo urgjentisht përfshin lëvizjen përpara me Asociacionin, dërgimin e draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim kushtetues”, tha ai.
Vitin e kaluar, Bashkimi Evropian, si ndërmjetës i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, i prezantoi palëve një draft-statut për Asociacionin, i cili u pranua në parim. Po vitin e kaluar, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për normalizimin e raporteve, që parashikon edhe sigurimin e një niveli të vetëmenaxhimit të komunitetit serb dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialog.
Në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja, Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin, më 2013 dhe 2015. Por, Gjykata Kushtetuese tha më 2015 se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionin nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit. Harmonizimi, sipas Kushtetueses, mund të bëhet përmes akteve nënligjore. Megjithatë, Kosova deri më tani nuk ka ndërmarrë hapa drejt themelimit të tij. Qeveria e Kosovës është shprehur kundër një asociacioni njëetnik.