MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Çfarë është koma diabetike?

24.05.2024 - 11:31

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Çfarë është koma diabetike?

Mjeku: Koma diabetike ose koma acido-ketozike është gjendja më e rëndë e diabetit insulinovartës, të lënë pa mjekim. Ajo karakterizohet me nivele shumë të larta të glicemisë, me glukozuri të theksuar dhe shfaqjen me shumicë të trupave ketonikë (acetonit) në gjak dhe urinë.

Pse dhe si zhvillohet një gjendje e tillë?

Në të sëmurët me diabet insulinovartës, kur prodhimi i insulinës mungon fare, glukoza e marrë me ushqime do të grumbullohet në gjak, meqë nuk hyn dot në qeliza dhe as depozitohet dot si dhjamë.

Rritja e nivelit të glicemisë mbi 180 mg% do të bëjë që glukoza të kalojë pragun e veshkës dhe të dalë në urinë. Sa më shumë rritet glicemia, aq më shumë glukozë do të dalë në urinë. Por bashkë me të do të ikë dhe një sasi e madhe e ujit dhe e kripërave të organizmit. Trupi do të thahet, i sëmuri do të urinojë shumë dhe shpeshherë, do të ketë etje, dobësi, uri etj.

Meqë glukoza nuk hyn dot në qeliza për të plotësuar nevojat me “karburant”, trupit do t’i duhet të mobilizojë karburantet e tjera, aminoacidet dhe acidet yndyrore. Ai, pra, do të detyrohet të tresë e të ushqehet me mishin dhe dhjamin e vet. Në mungesë të insulinës, zbërthimi i dhjamrave bëhet kaq i vrullshëm, sa bashkë me acidet yndyrore vërshojnë në gjak dhe një sasi e madhe trupash ketonikë si acetoni etj. Këto, në të vërtetë, janë karburante të cilësisë së dobët, por që kanë njëkohësisht përbërje acide. Si të tilla, ato do të “helmojnë” gradualisht gjakun e më vonë qelizat e trurit deri në shfaqjen e komës që shoqërohet me humbjen e ndërgjegjes.

Koma diabetike zhvillohet relativisht ngadalë për disa ditë apo javë rresht

Kur diabeti shfaqet për herë të parë, sidomos te fëmijët apo të rinjtë, ata mund të arrijnë përnjëherë deri në komën diabetike, meqë akoma nuk e dinë se vuajnë nga kjo sëmundje.

Kur i sëmuri është diabetik i diagnostikuar dhe mjekohet me insulinë, shfaqja e komës diabetike në shumicën e rasteve është kryesisht për faj apo neglizhencë të tij, nga mosmarrja e masave në kohë.

Në të sëmurë të tillë, shumë ditë përpara se të ketë arritur gjendja deri në komë me humbjen e ndërgjegjes, i sëmuri ka pasur me siguri shenjat e acidoketozës diabetike, të cilën ai mund ta parandalonte e ta mjekonte me kohë.

Acidoketoza diabetike është gjithashtu çrregullim i rëndë i diabetit, por i një shkalle më të lehtë se koma diabetike.

Ajo shfaqet vetëm në të sëmurët diabetikë insulinovartës që kanë ndërprerë mjekimin me insulinë ose mjekohen me doza të pamjaftuesh­me të saj dhe e kanë për pasojë diabetin të çrregulluar prej shumë kohe.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.