MENU
klinika

Kërcënon sërish Maqedoninë e Veriut

Mitsotakis: Kur dikush tërheq litarin, të jetë gati të ‘thyhet’!

25.05.2024 - 10:25

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis duket se nuk do të ndalet ndaj kërcënimeve, ndërsa i ka dërguar një tjetër mesazh politikës në Maqedoninë e Veriut.

Mitsotakis kujtoi angazhimet e Maqedonisë së Veriut në kuadër të integrimit në BE, teksa ka theksuar se ai që del nga marrëveshja e dakordësuar duhet ta dijë se do ta gjejë të mbyllur rrugën drejt Europës.

“Kur dikush e tërheq litarin, duhet të jetë gati dhe të thyhet. Dhe nëse del nga kursi i rënë dakord, le ta dijë se do ta gjejë të mbyllur rrugën drejt Europës, rrugë e cila kalon nga Greqia dhe respektimi i së drejtës ndërkombëtare”, tha Mitsotakis.

Duke u ndalur te marrëdhëniet me Turqinë, Mitsotakis bëri gjithashtu të qartë se nuk diskutohet për një zgjidhje paketë.

Ai theksoi se Greqia nuk i harron mosmarrëveshjet e saj me Turqinë, duke shtuar se megjithatë, kjo nuk do të thotë se duhet të jetojmë me gishtin në këmbëz gjatë gjithë kohës.

“Dhe për shkak se disa njerëz në Greqi dhe Turqi ushqehen me krizën greko-turke, pyesni kritikët tanë për rezultatet e politikës sonë, të cilët shohin uljen e flukseve të imigracionit. Ose banorët tanë të ishullit që kanë parë rritjen e ekonomive lokale nga vizitorët turq. Shih edhe pozicionin e Greqisë në kontekstin ndërkombëtar. Konfrontim apo tentativë për të bashkëjetuar me fqinjin tonë kur pak më poshtë Lindja e Mesme është në flakë dhe në zemër të Evropës lufta është ndezur?”, përfundoi kryeministri grek.

Kujtojmë se më herët, Mitsotakis ka shprehur hapur zemërimin e Greqisë me qëndrimin dhe veprimet e presidentes së Maqedonisë së Veriut, e cili bëri betimin në emër të “Maqedonisë” dhe jo “Republikës së Maqedonisë së Veriut” siç parashikohet në Marrëveshjen e Prespës.

Mitsotakis është shprehur se Shkupi zyrtar “duhet të ndalojë lojërat” duke paralajmëruar se po shkojnë drejt drejt izolimit ndërkombëtar. Ai deklaroi se do të ketë ratifikimin e memorandumeve për Marrëveshjen e Prespës derisa shteti fqinj të respektojë marrëveshjen e Prespës.

“Marrëveshja e Prespës duhet të respektohet. Emri i vendit është Maqedonia e Veriut dhe ata që ende e quajnë Republika e Maqedonisë do të na kenë përballë. Miqtë tanë në Maqedoninë e Veriut duhet të kuptojnë se periudha parazgjedhore ka mbaruar dhe duhet ta merrin seriozisht.

Besoj se do të bëhet presion i madh, tashmë ka pasur një reagim nga presidenti i Komisionit pas ndërhyrjes greke. Greqia nuk është e izoluar, Shkupi është. Besoj se do të përshtaten sepse duam marrëdhënie të mira. Çështja për emrin e Maqedonisë së Veriut nuk ndryshon. Ajo që duhet të bëjmë është t’u shpjegojmë se kjo politikë e tyre do t’i çojë në izolim ndërkombëtar dhe ata nuk e duan këtë.

Ne nuk jemi naivë dhe dimë të menaxhojmë lojërat e vogla partiake. Pse SYRIZA nuk e ka paraqitur propozimin e ligjit në 5 vitet e fundit? E pamë që VMRO po vjen në pushtet me retorikë ekstreme, e diskutuam brenda dhe thamë se nuk duam të vazhdojmë me ratifikimin e memorandumeve”, tha kryeministri grek.

Marrëdhëniet mes Athinës dhe Shkupit janë tensionuar ditët e fundit për shkak të qëndrimit që ka mbajtur fituesja e zgjedhjeve të dyfishta në Maqedoninë e Veriut për të mos njohur Marrëveshjen e Prespës të arritur mes të dyja vendeve.

Në fjalimin e saj në ceremoninë e betimit të mbajtur në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, Siljanovska-Davkova deklaroi se do ta kryejë detyrën e saj me vetëdije dhe përgjegjësi dhe tha: “Do të respektoj Kushtetutën dhe ligjet dhe do të mbroj sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Maqedonisë”.

Ndërsa Siljanovska-Davkova nuk e përdori emrin kushtetues të vendit “Maqedonia e Veriut” në fjalimin e saj, ambasadorja e Greqisë në Shkup, Sophia Philippidou u largua nga salla e Parlamentit në shenjë proteste teksa fjalimi i Davkova-s vazhdonte.