Rithemelimi dhe Partia e Lirisë kanë thirrur protestën e radhës para Bashkisë së Tiranës. Leja për organizimin është marrë sërish nga “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit” dhe pritet të nisë rreth orës 10:00.
Policia e Shtetit njofton se prej orës 09:30 e në vijim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës. Për këtë arsye policia sugjeron që të përdoren rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit, si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe.
Po ashtu policia u bën thirrje organizatorëve dhe pjesëmarrësve në protestë që të distancohen nga çdo akt dhune, duke u kujtuar edhe rastet e hedhjes së molotovëve që kanë rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë.
“Gjatë disa tubimeve të mëparshme, të zhvilluara nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në sheshin para Bashkisë Tiranë, janë evidentuar raste të përsëritura të kundërshtimit të forcave të policisë, përdorimit dhe hedhjes së molotovëve e sendeve të tjera, në drejtim të Bashkisë Tiranë, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e punonjësve të policisë dhe vetë pjesëmarrësve në tubime.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime paqësore. Policia u përsërit thirrjen organizatorëve, drejtuesve dhe pjesëmarrësve në tubime për të respektuar ligjin dhe për t’u distancuar nga çdo akt dhune”, njofton policia.