Protestuesit para Bashkisë Tiranë kanë hedhur bombë molotov në drejtim të gazetarëve gjatë tubimit.
Hedhja e bombës molotov ka shkaktuar momente paniku, pasi është rrezikuar jeta e gazetarëve pasi flakët shpërthyen fare pranë tyre.
Një burrë ka tërhequr me vrap bicikletën ndërsa një tjetër që ishte afër zjarrit duket që në pantallona ka prekur pasi ai përpiqet ta shuajë me dorë, ndërsa një djalë i shkon në ndihmë.
Ndërkohë molotov është hedhur nga protestuesit edhe në drejtim të godinës së Bashkisë, ku janë vendosur gardh forcat e policisë.
Shefi i Organizmit në PD, Klevis Balliu në fjalën e tij përpara protestuesve në Bashkinë e Tiranës është shprehur se sot është koha për të treguar se ne nuk biem pre e lojërave të pushtetit të kalbur.
Balliu ka theksuar se nuk është parë në asnjë vend të botës që të korruptuarit të ngrenë komision për të luftuar korrupsionin.
“Sot më shumë se çdo ditë tjetër është koha për t’i treguar një pushtetit të kalbur se ne nuk biem pre e lojërave të korrupsionit. A keni parë ndonjë vend të botë që të korruptuarit të ngrenë komision për të luftuar korrupsionin.
Shikoni këtë bashki, që kur i kanë dalë faktet se ka futur duart në xhepat e qytetarëve, shpik aktivitete për të zhvendosur vëmendjen. Ne nuk harrojmë, ne do të përballemi, ne jemi këtu të përballemi me pushtetin e korrupsionit për të larguar hajdutët në bashki dhe qeveri.
Ndaloni ju vjedhjen që ne të ndalojmë qëndresën, ju dhe hajdutët e tuaj do të arrestoheni, nuk është bashkia e 5D, është bashkia e qytetarëve, prandaj policia të arrestojë atë që vjedhin të ardhmen dhe paratë tuaja.“, tha Klevis Balliu.
Policia u ka bërë thirrje organizatorëve dhe pjesëmarrësve në protestë që të distancohen nga çdo akt dhune, duke u kujtuar edhe rastet e hedhjes së molotovëve që kanë rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë.
Me pankarta në duar, protestuesit kërkojnë largimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, pas skandalit me dosjen “5D”, ku në pranga ranë disa drejtorë të Bashkisë së Tiranës dhe janë nën hetim dhe disa të tjerë.
Kjo është protesta e 9-të radhazi e opozits dhe Aleancës për Teatrin përpara institucionit shtetëror.