MENU
klinika

SPAK zbardh atentatin ndaj Mitri Priftit

Kush është juristi që qëlloi me armë në sy të fëmijëve Edison Begajn

28.05.2024 - 12:25

SPAK ka zbardhur atentatin ndaj juristit Mitri Prifti.

SPAK ka hedhur dritë mbi një ngjarje kriminale, ku juristit Mitri Prifti i është organizuar një atentat me qëllim për ta eliminuar.

Mësohet se pjesë e grupit kriminal me qëllim vrasjen e Mitri Priftit është Genti Nderjaku alias Kili alias Ekil Nderjaku, i përfshirë në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, i ndodhur më 1 nëntor 2019 në Autostradën Tiranë-Durrës ku humbi jetën shoferi i tij Andi Maloku.

Mësohet se Genti Nderjaku ka siguruar kushtet dhe mjetet materiale për të eliminuar Mitri Priftin në periudhën 4 tetor 2020 deri në 30 janar 2021.

“Genti NDERJAKU (alias Kili, alias Ekil Nderjaku), akuzuar për kryerjen e veprave penale të mëposhtme: “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 80 dhe 28/4, të Kodit Penal, në dëm të viktimës Mitri Prifti, për periudhën ndërmjet datave 04.09.2020-30.01.2021; “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi i parë i Kodit Penal, si dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334/1, i Kodit Penal”, informon SPAK.

Por kush është Mitri Prifti

Juristi Mitri Prifti u identifikua si autori i dyshuar i atentatit ndaj Edison Begajt, ngjarje e ndodhur në 29 maj 2021 në Kaninë.

Ndaj 39-vjeçari u ngrit akuza për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje” dhe u katër muaj pas atentatit, më 30 shtator.

Sipas uniformave blu për motive të dobëta, ai ka tentuar të vrasë me armë zjarri 44-vjeçarin Edison Begaj, i cili mori katër plumba në këmbë. Autori ka qenë i veshur me rroba si të policisë dhe i maskuar në momentin që qëlloi me armë në drejtim të Begajt në hyrje të banesës së tij.

Mitri Prifti gjithashtu ka qenë dëshmitar në gjyqin ndaj Emiljano Shullazit në vitin 2017. Në dëshminë për togat e zeza më 19 shtator, Mitri Prifti ka dhënë në gjyq deklarime të tjera nga ato që kishte pohuar para grupit hetimor në fazën e procedimit penal paraprak.

Dëshmitari, me origjinë nga Kuçova, u pyet në gjykatë në cilësinë e kushëririt të parë të Jani Zakës, biznesmenit të cilit iu vendos një sasi lënde eksplozive në garazhin e tij te “21 Dhjetori”. Dëshmitari Mitri Prifti tha në sallën e gjyqit se kushëriri i tij, biznesmeni Jani Zaka, i kishte thënë që kishte pasur probleme pronësie me familjen Sinani. Kjo deklaratë e dëshmitarit u kundërshtua nga ana e prokurorisë.

Organi i akuzës tha se Mitri Prifti kishte pohuar në janar 2016, kur edhe ishte marrë në pyetje nga oficeri i Policisë Gjyqësore, se kishte biseduar me kushëririn e tij, Jani Zakën, dhe ai i kishte thënë se ka marrë kërcënime edhe nga Emiljano Shullazi.

Në seancën gjyqësore te Krimet e Rënda, dëshmitari nuk e përmendi Emiljano Shullazin apo anëtarët e akuzuar si pjesë të grupit të tij. Prokuroria kundërshtoi dëshminë dhe kërkoi që si provë të merren thëniet e dhëna nga shtetasi Mitri Prifti në vitin 2016, në fazën e hetimit paraprak.