MENU
klinika

Analiza

A do të mundet Macron t’i japë fund luftës Rusi-Ukrainë?

29.05.2024 - 11:14

Përpjekjet e SHBA-së për ta NATO-izuar Ukrainën, si de fakto ashtu edhe de jure, e bënë më të mundur pushtimin e saj nga Putin.

Presidenti francez Emmanuel Macron po parashtron vizionin e tij për “një Evropë që kërkon respekt, dhe që e garanton vetë sigurinë e saj”. Ai thotë se Ukraina është pjesë e kësaj “familjeje evropiane”, dhe “e destinuar t’i bashkohet unionit kur të vijë koha”.

Këto synime – “autonomia strategjike” evropiane, dhe një Ukrainë tërësisht evropiane – mund të jenë më të lidhura midis tyre sesa e kupton edhe vetë Macron. Ndërsa Ukraina po lufton në fushën e betejës për të kapërcyer avantazhet e Rusisë në njerëz dhe pajisje, Macron mund të ketë mundësinë që së pari t’i japë fund një lufte që e ka shkatërruar Ukrainën, së dyti ta futë Ukrainën në Bashkimin Evropian, dhe së treti të ndihmojë në transformimin e kontinentit në “Fuqinë Evropiane” që ai e parashikon.

Një artikull i fundit në revistën “Foreign Affairs”, konfirmoi se negociatorët rusë ranë dakord gjatë negociatave të dështuara në fillim të luftës, që Ukraina t’i bashkohej BE-së si pjesë e një marrëveshjeje për paqe. Hyrja në union, do të përmbushte qëllimin e vjetër të Ukrainës për t’u integruar më shumë në një Evropë të lirë dhe të begatë.

Po ashtu, mund t’i japë Kievit garancitë e sigurisë që ai dëshiron në mënyrë të kuptueshme, në rast se Moska do ta sulmojë sërish në të ardhmen. Më pak e njohur se politika e vetëmbrojtjes kolektive të NATO-s, politika e përbashkët e sigurisë e BE-së, i detyron anëtarët të ndihmojnë një shtet anëtar që ka pësuar “agresion të armatosur në territorin e tij”.

Historikisht BE-ja i ka lejuar anëtarët neutralë dhe të paangazhuar, që të zgjedhin të mos marrin pjesë në sigurinë e përbashkët. Megjithatë, ndërsa Moska do të preferonte që Ukraina të bëhej një shtet neutral, zgjidhja e pasluftës do të ishte më e qëndrueshme, nëse Evropa do të reduktonte ndjenjën e cënueshmërisë së Kievit.

Për më tepër, vetë BE-ja do të përfitojë nga ushtria e Ukrainës, tashmë me një përvojë të madhe luftarake. Sigurisht, Kievi do të merrte më shumë garanci sigurie nga Amerika, superfuqia kryesore ushtarake në botë. Megjithatë, sipas artikullit të “Foreign Affairs” të cituar më lart, kjo nuk pranohet nga Uashingtoni.

Për fatin e mirë të Ukrainës, Evropa po synon tani të forcojë aftësitë e veta ushtarake në një epokë të pasigurt dhe në një botë me gjithnjë e më pole pushteti. Ndërsa Evropa përgatitet për një tjetër administratë Trump me moton “Amerika e Para”, dhe teksa jemi në vitin e tretë të luftës Rusi-Ukrainë, Macron nuk është udhëheqësi i vetëm i BE-së që po promovon vetë-mjaftueshmërinë ushtarake.

“Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainë, ka nxitur një ndjenjë të madhe emergjence për të rritur kapacitetet tona të mbrojtjes”- deklaroi në mars shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell. Një muaj më herët, presidentja e BE-së Ursula von der Leyen i kërkoi Evropës të “marrë përgjegjësinë për sigurinë e saj”, duke vënë në dukje”:“Ne nuk kemi kontroll mbi zgjedhjet apo vendimet në pjesë të tjera të botës”.

Një artikull i fundit në Politico, theksonte se NATO-ja dhe BE-ja kanë gjithnjë e më shumë përplasje midis tyre, pasi kjo e fundit po bëhet më aktive në mbrojtje. Disa po bëjnë thirrje që Komisioni Evropian i ardhshëm të emërojë Komisionerin e parë të Mbrojtjes, roli i të cilit do të ishte të financojë në mënyrën e duhur industrinë evropiane të armëve.

Por a do të ishte i besueshëm një angazhim i BE-së për të mbrojtur Ukrainën? Gjithnjë e më shumë, përgjigja është po, dhe kryesisht falë Macron. Në disa raste, presidenti francez ka ngritur mundësinë e dërgimit të forcave perëndimore në Ukrainë – një propozim që liderët e opozitës e kanë cilësuar si tejet të sinqertë, dhe të cilin Moska me sa duket po e merr seriozisht – dhe së fundmi ai sugjeroi se Parisi mund të “evropianizojë” arsenalin e tij bërthamor, duke e shpërndarë atë në të gjithë Evropën nën ombrellën bërthamore të Francës.

Përmes këtyre hapave, Élysée po përpiqet të krijojë një “paqartësi strategjike”, në mënyrë që Putin të mendojë se Perëndimi edhe mund të ndërhyjë ushtarakisht, në rast se ai e përshkallëzon agresionin e tij kundër Ukrainës. Duke pasur parasysh pozicionin gjithnjë e më të favorshëm negociues të Rusisë, Moska mund të jetë më pak e gatshme se sa ishte 2 vjet më parë për t’i dhënë dritën jeshile anëtarësimit të Ukrainës në BE.

Për ta bërë më të pranueshme për Putinin pjesëmarrjen e Ukrainës në kuadrin e përbashkët të sigurisë së BE-së, Macron duhet të mbledhë liderët evropianë dhe të zotohet se në këmbim, ata do të bllokojnë pranimin e Ukrainës në NATO, të cilën Uashingtoni filloi ta kërkojë që në Samitin e Bukureshtit në vitin 2008, pavarësisht kundërshtimit të fortë të Rusisë.

Për më tepër, presidentët francezë dhe ukrainas duhet të premtojnë se vetëm vendet evropiane – dhe jo Amerika – do të bashkëpunojnë ushtarakisht me Ukrainën pas luftës. Përpjekjet e SHBA-së për ta NATO-izuar Ukrainën, si de fakto ashtu edhe de jure, e bënë më të mundur pushtimin e saj nga Putin.

Tani për të zgjidhur këtë konflikt, duhet të zhbëhet ai gabim strategjik. Angazhimi për ta mbrojtur Ukrainën pa mbështetjen e Amerikës, do t’i nxiste vendet e BE-së që të vazhdojnë të mbajnë një barrë më të madhe në fushën e mbrojtjes, si dhe të forcojnë bashkëpunimin ushtarak.

Po ashtu do t’i jepte mundësinë Shteteve të Bashkuara të lirohet nga disa prej angazhimeve të saj në mbrojtje, për t’u fokusuar sa më shumë tek Kina. Meqë Ukraina ka një interes periferik për sigurinë e Shtetet e Bashkuara, Uashingtoni duhet ta bëjë absolutisht të qartë se nuk do të futej në luftë me Moskën nëse vendet evropiane të NATO-s, do t’i vijnë në mbrojtje Ukrainës në të ardhmen, në kundërpërgjigje nga ndonjë sulm i ri i Rusisë.

Dhe kryeqytetet evropiane duhet t’ia bëjnë të qartë – Moskës, Uashingtonit dhe Kievit – se detyrimet e Amerikës në NATO, nuk do ta mbulonin një skenar të tillë. Natyrisht, Shtetet e Bashkuara nuk do ta trajtonin me dashamirësi një vasal evropian që do të kërkonte kontrollin mbi krizën e Ukrainës, por prishja e këtij vasaliteti është pikërisht ajo që synon Macron.

Dhe nëse Evropa, Ukraina dhe Rusia do të pranonin t’i jepnin fund luftimeve, dhe do të firmosnin një pakt si ai që u përshkrua më sipër, ndaj Uashingtonit do të kishte një presion që të distancohet dhe t’i japë një shans paqes. Më në fund do të përfundonte një luftë brutale e shkatërruese, dhe Evropa sovrane për të cilën ëndërron Macron, do të ishte disa hapa më pranë realitetit.